Finalja e Botërorit, mbi 760 mln shikues
Leonard Karaj
Finalja e Kupës së Botës ka regjistruar një shikueshmëri prej mbi 760 milion personash; shifër kjo, më e madhe se ajo e Botërorit 2006, midis Gjermanisë dhe Italisë dhe që kalon me afro 100 milion edhe shikueshmërinë e ceremonisë hapëse të lojërave “Olimpike” të Pekinit 2008. Sipas drejtorit të FIFA-s për transmetimet, Erikson, shikueshmërinë më të lartë e kanë regjistruar fansat nga Holanda dhe Spanja, në të cilat ndeshja është parë nga afro 90% e personave madhorë. Po kështu, Evropa ka pasur edhe raportin më të lartë të shikueshmërisë për person, duke qenë e para, me afro 30%. “është hera e parë, që një eveniment sportiv do të shihet në më shumë se 100 vende. Numri i personave që ndoqën sfidën në SHBA dhe Kanada ishte më i larti në këto vende, i të gjitha kohërave. U munduam, që për këtë komepticion të ishim pranë një numri sa më të madh personash dhe mendoj që ia dolëm mbanë. Kemi informacione, se ka pasur një shikueshmëri tepër të lartë edhe në vendet e izoluara, ku regjimet nuk e kanë lejuar transmetimin e këtij kompeticioni, siç është Korea e Veriut. Jemi të lumtur që futbolli arrin të kalojë edhe barrierat politike apo regjimet më të izoluara”, - kanë qenë komentet e Erikson. FIFA ka përfituar nga të drejtat televizive, radiot dhe internet në këtë kompeticion afro 2 miliardë dollarë, ku këtu nuk përfshihen fitimet nga sponsorizimet, të cilat mendohen të kenë qenë tepër më të larta. “Fitimet televizive mund të kishin qenë edhe më të larta, por rritja e tyre nuk ishte qëllimi ynë, por përkundrazi, shikueshmëria. Në mjaft vende transmetimi ka qenë pa pagesë”, - është shprehur Erikson. Bilancet zyrtare, mbi të gjithë të ardhurat dhe shpenzimet do të bëhen zyrtare vetëm në muajin mars të vitit të ardhshëm. Që tani kanë nisur procedurat dhe për shitjen e të drejtave televizive për Brazil 2014 dhe Botërorin e vitit 2018, ndërkohë, që vendet organizatore të këtij të fundit dhe Botërorit 2022, do të shpallen në muajin dhjetor. Ndërkohë ajo që nuk është thënë zyrtarisht, por investiguar nga shumë gazetarë e mediat kritike ndaj politikës që ndjek Blater janë përfitimet direkte që FIFA ka marrë nga ky Botëror, të ardhura këto që në fakt duhet t’i shkonin vendin organizator, Afrikës së Jugut.