E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata lë në burg dy grabitësit e grekut dhe trafikantin e makinave



TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi dje të linte në qeli, deri në përfundim të hetimeve, tre të arrestuarit e operacionit policor të koduar “Kilometri 29”. Kështu, paraditen e djeshme u paraqitën para gjykatës dy kryeqytetasit Shpëtim Taho, 25 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje automjetesh, dhe Artur Konja, 39 vjeç i dënuar më parë për vjedhje, si dhe lezhjani Aleksandër Pjetri, 27 vjeç, të cilëve prokuroria u komunikoi akuzat: “vjedhje me armë në bashkëpunim”, “pastrimit të produkteve të veprës penale”, “armëmbajtje pa leje” dhe “përvetësim e fshehje të sendeve të vjedhura”. Sipas përfaqësuesit të prokurorisë, më datë 5 korrik, në kilometrin 29, në Kërrabë, në rrugën Elbasan – Tiranë, Shpëtim Taho dhe Artur Konja, të maskuar dhe armatosur ndalojnë një mjet tip “Honda”, që drejtohej nga një qytetar grek. Nën kërcënimin e armëve, ata zbresin drejtuesin e mjetit dhe pasi e largojnë atë nga rruga në drejtim të pyllit, rrëmbejnë makinën dhe ecin drejt kryeqytetit. Rreth dy orë më vonë, ata mbërrijnë në Lezhë ku e shesin makinën në servisin e Alksandër Pjetrit. Ndërkohë Pjetri, pasi u blen makinën e vjedhur, u vë në dispozicion dy të grabitësve një mjet tip “Minicuper” për ta sjellë në Tiranë. Më pas rezulton që edhe kjo makinë ishte e vjedhur. Pas denoncimit të të dëmtuarit grek, policia nis hetimet dhe tri ditë më vonë arrin të zbardhë ngjarjen dhe të prangosë autorët. Gjatë kontrollit në servisin e Pjetrit, policia gjen një automatike 30 fishekë. Dje para gjyqtarit të gatshëm, Taho dhe Konja pohuan se nuk do të jepnin shpjegime pasi nuk kishin mundur të njiheshin me provat që organi i akuzës disponon në ngarkim të tyre. Ndërsa i pandehuri tjetër me ta, Aleksandër Pjetri, u mbrojt duke pohuar se nuk e dinte që makina që kishte blerë të ishte e vjedhur. Tri ditë pas grabitjes së shtetasit grek në rrugën Elbasan-Tiranë, policia e kryeqytetit arriti të ndalojë autorët e ngjarjes dhe të zbulojë edhe shitjen e makinës së grabitur për pjesë këmbimi në një servis jashtë Tiranës. fa.ma.

Hetimi
Zbulimi i tre autorëve të grabitjes së makinës së qytetarit grek u bë i mundur tri ditë pas ngjarjes, pasi policisë iu desh që të kontrollonte nëpër shumë servise për mjetin e denoncuar. Menjëherë pas gjetjes së mjetit, policia mori në pyetje drejtuesin e servisit, ndërsa ky dha informacione për shitësit e makinës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›