E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja, bingo me të parën Kampione Bote



Leonard Karaj

Spanja bën bingo me të parën herë që arrin në finalen e një Kupe Bote. Mjaftoi një gol i Andres Iniesta në minutën e 116-të të shtesës së dytë që spanjollët të festonin trofeun e tyre të parë botëror, dy vjet pasi patën dalë edhe Kampionë të Europës. Kështu “furitë e kuqe” bëhen skuadra e dytë evropiane e cila arrin që në harkun e dy viteve të fitojë si trofeun e Kampionatit Europian por edhe të Botëror. Më parë e kishte bërë Gjermania Perëndëimore në vitet 72 (evropianin) dhe 74 (botërorin). Madje në këtë të fundin pati mundur pikërisht Holandën e Johan Krujfit, e cila dilet për herë të parë në atë kohë në një finale të Kupës së Botës. Seria e finaleve të humbura vazhdoi katër vjet më vonë në Argjentinë dhe sërish në “Afrikë e Jugut 2010” duke shënuar një rekord me vete: si skuadra e vetme në botë që ka arritur të dalë tri herë në finalen e një Botërori pa mundur që ta fitojë atë.
Përsa i përket ndeshjes së mbrëmshme në fushën e lojës u panë dy skuadra që pikë së pari kishin frikë të luanin hapur pasi kuptohej qartë se kush shënonte do të vihej në mbrojtje të rezultatit. Në pjesën e parë ishin spanjollët ata që provuan disa herë të rrezikonin portën e Stekelenburg por pa mundur që të vënë seriozisht në provë këtë të fundit. Ndërsa Holanda luajti më së shumti në mbrojtje duke përdorur vetëm kundërsulmet me Roben. Në pjesën e dytë në fraksionin e parë ndryshon gjithçka. është Holanda ajo që bëhet më kërkuese dhe ka edhe rastin më të mirë për të shënuar. Shnajder jep një top të artë për Roben duke e nxjerrë përballë Kasijasit por holandezi nuk arrin të shënojë duke përplasur topin në këmbët e kapitenit të Spanjës. Një rast të tillë thuajse identik Roben do ta kishte sërish në minutat e fundit të lojës pore dhe në atë rast hipnotizohej nga Kasijas. Ndërsa Spanja provoi disa herë me anë të Iniestës, David Vilës por rastin më të mirë e ka pasur Serxhio Ramso i cili nga shumë pranë portës gjuajti me kokë mbi traversë.
Pas 90 minutash lojë nuk ka fitues. Skuadrat i drejtohet kohës shtesë të lodhur dhe me më pak fantazi. Në fundin e shtesës së parë është sërish Holanda që ka një rast por pa rezultat. Në fillim të pjesës së dytë, Iniesta me inkursionet e tija detyron Hetingën që të bëjë faull në hyrje të zonës dhe Ueb nxjerr kartonin e dytë të verdhë për mbrojtësin holandez duke lënë “portokallinjtë” me dhjetë lojtarë. Trajneri Van Marvjik i kishte bërë që të tria zëvendësimet ndaj në qendër të mbrojtjes u vu Van Bomel. Pas kësaj minute sulmet e spanjollëve u shpeshtuan aq sa në minutën e 116-të Kasavi gjen të lirë në zonë Iniestën, i cili nuk e ka të vështirë ta përcjellë topin në rrjetë. Minutat në vazhdim ishin veçse vonesa loje dhe ofendime të holandezëve ndaj arbitrit, por ajo që vlen ishte se Spanja fitoi trofeun e Kupës së Botës për herë të parë ndërsa Holanda largohet për herë të tretë duarbosh.

Holandë-Spanjë 0-1

Shënues: Iniesta 116’
Kartonë të verdhë: Van Persi 15', Van Bomel 22', De Jong 29', Van Bronkhorst 54', Heitinga 56', 109’, Roben 84', Van der Viel 111’, Matijsen 117’/ Pujol 17', Ramos 23’, Kapdevila 67’, Iniesta 118’, Ksavi 120’
Karton i kuq: Heitinga 109’
Arbitër: Hauard Ueb (anglez)
Holanda: Stekelenburg, Van der Viel, Heitinga, Matijsen, Van Bronkhorst (Brafheid 105’), Van Bomel, De Jong (Va nder Vart 99’), Van Persi, Roben, Shnajder, Kajt (Elia 71’). Trajner: Bert van Marvjik
Spanja: Kasijas, Ramos, Pike, Pujol, Kapdevila, Buskets
Ksabi Alonso (Fabregas 87’), Vila (Torres 106’), Pedro (Jesus Navas 60’), Ksavi, Iniesta. Trajner: Visente del Boske

Blater-Zuma japin kupën
Presidenti i FIFA-s, Josef Blater dhe ai i Afrikës së Jugut, Zuma kanë dhënë trofeun e Kupës së Botës skuadrës fituese, Spanjës. Ndonëse pritej që në fund të ndeshjes të ishte Nelson Mandela ai që do dorëzonte kupën, por nuk ndodhi kështu. Faktikisht lideri shpirtëror tashmë i kombit afrikano-jugor, Nelson Mandela erdhi në stadium në fillim të ndeshjes gjatë ceremonisë hapëse të finales, në një makinë duke përshëndetur edhe tifozët por nuk mundi të qëndronte deri në fund për shkak të gjendjes shëndetësore.

Del Boske: Fitore hitorike
“Mendoj se unë dhe gjithë spanjollët u kemi një borxh shumë të madh këtyre 23 futbollistëve. Mendoj se ata janë heronj dhe se kanë shkruar jo vetëm historinë e futbollit të Spanjës, por edhe historinë e vendit tonë. Të gjithë lojtarët ishin të jashtëzakonshëm. Dua t’ju them se katër futbollistë të formacionit titullar nuk do të mund të luanin nëse do të ishte një ndeshje normale, pasi kishin jo pak probleme fizike, por ata hynë në fushë dhe shpesh herë më bënin shenjë që të mos shqetësohesha”.

Iniesta, “heroi” i finales
Andres Iniesta është “heroi i Johanesburgut”. Futbollisti katalanas rezultoi lojtar deciziv i finales mes Holandës dhe Spanjës jo vetëm për golin e shënuar i cili zhbllokoi ndeshjen dhe i dha trofeun e parë në histori Spanjës por dhe për faktin se ishte i vetmi futbollist që rrezikoi seriozisht portën e holandezëve në harkun e 120 minutave lojë. Mesfushori i Barcelonës ka qenë gjatë gjithë takimit organizatori i çdo sulmi dhe futbollisti, të cilit nuk iu hoq topi asnjëherë nga këmba.

Forlan, “Topi i Artë” i FIFA
Media angleze ka publikuar vetëm pak minuta pas ndeshjes se FIFA ia ka akorduar “Topin e Artë”, sulmuesit të Uruguait, Diego Forlanit. Organi më i lartë i futbollit ngurroi ta publikonte fituesin e këtij çmimi, por sipas “goal.com”, bomberi i Uruguait që realizoi 5 gola gjatë këtij Botërori, është cilësuar nga specialistët e jurisë së FIFA-s edhe si lojtari më i mirë i kompeticionit që u zhvillua në “Afrikën e Jugut”. Kandidatë për të marrë këtë çmim ishin edhe nëntë lojtarë të tjerë, midis të cilëve, edhe Ksavi, Iniesta, Shnajder dhe Roben.

Myler, “lojtari i ri më i mirë”
Tomas Myler ka marrë çmimin si lojtari i ri më i mirë i Kupës së Botës, pas një paraqitje me të vërtetë shkëlqyer në këtë kompeticion. Lojtari 20-vjeçar i Gjermanisë, ndihmoi Kombëtaren e tij të renditet e treta në Kupën e Botës, duke shënuar edhe pesë gola. “Jam shumë i lumtur dhe krenar për paraqitjen time në Kupën e Botës. U renditëm të tretët, por unë përjetova një eksperiencë të jashtëzakonshme, Tani dua që ta fitoj këtë kompeticion, pasi kam besim që Gjermania është e aftë ta bëjë këtë gjë. Krenaria do jetë diçka që do më ndjekë gjithnjë”, ka thënë Myler.

Pauli godet në shenjë, gjen edhe finalistin
Orakulli Paul është ylli i vërtetë i këtij Botërori. Me telepatinë e tij ai ka arritur të parashikojë edhe fituesin e këtij Botërori, Spanjën. Ndërkohë më parë ai kishte gjetur saktësisht të gjitha ndeshjet e Gjermanisë, fitoret ndaj Australisë, Argjentinës, Anglisë, Ganës e Uruguait, por pati parashikuar saktësisht edhe humbjet nga Serbia e Spanja. Ndërkohë dje është mësuar edhe prejardhja e vërtetë e oktapodit Paul. Sipas të përditshmes gjermane “Bild” instruktorja e oktapodit e kishte kapur në muajin prill të para tri viteve në brigjet italiane pranë ishullit Elba. Verena Bartsh, në një intervistë ka pohuar se e ka kapur me duar kur Paul nuk ishte më shumë se katër javë dhe ishte i madh vetëm 10 centimetra. Kështu hidhet poshtë ideja se Pauli vinte nga ujërat e Vejmounth, në Britaninë e Madhe.

Libri i Artë

Uruguai 1930: Uruguaj
Uruguaj 4–2 Argjentinë
Italia 1934: Italia
Itali 2–1 çekosllovaki
Francë 1938: Italia
Itali 4–2 Hungari
Brazil 1950: Uruguai
Uruguai 2-1 Brazil
Zvicër 1954: Gjer.Perëndimore
RFGJ 3-2 Hungari
Suedi 1958: Brazili
Brazil 5–2 Suedi
Kili 1962: Brazili
Brazil 3–1 çekosllovaki
Angli 1966: Anglia
Angli 4–2 RFGJ
Meksikë 1970: Brazili
Brazil 4–1 Itali
Gjermani 1974: Gjermania.P
RFGJ 2–1 Holandë
Argjentinë 1978: Argjentina
Argjentinë 3–1 Holandë
Spanjë 1982: Italia
Itali 3–1 RFGJ
Meksikë 1986: Argjentina
Argjentinë 3–2 RFGJ
Itali 1990: Gjer.Perëndimore
RFGJ 1-0 Argjentinë
SHBA 1994: Brazili
Brazil (3-2 pen) Itali
Francë 1998: Franca
Francë 3–0 Brazil
Kore-Japoni 2002: Brazili
Brazil 2–0 Gjermani
Gjermani 2006: Italia
Itali (5-3 pen) Francë
Afrikë e Jugut 2010: Spanja
Holandë 0-1 Spanjë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›