Polici e Shtetit; Ministri Basha prezanton drejtorin e ri, Hysni Burgaj
Ministri i Brendshëm, z. Lulzim Basha, prezantoi dje në një ceremoni të posaçme drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj.
Fillimisht ministri Basha komunikoi për të pranishmit në ceremoni vendimin e Këshillit të Ministrave që liron nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Ahmet Prençi dhe emëron në këtë detyrë z. Hysni Burgaj. Pas kësaj u zhvillua ceremoniali i dorëzimit të Flamurit dhe simbolit të Policisë së Shtetit nga drejtori i mëparshëm, z. Ahmet Prençi tek Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj, i cili bëri betimin. Gjatë fjalës përshëndetëse, ministri Basha shprehu vlerësimin për punën e kryer nga z. Prençi në krye të Policisë së Shtetit në drejtim të kryerjes së reformave të rëndësishme, sidomos pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për Policinë e Shtetit, si dhe për ndërmarrjen e hapave kurajoze për të rritur performancën dhe prezantimin e policisë shqiptare në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare. “Gjatë kësaj kohe, Policia e Shtetit arriti rezultate shumë të larta në luftën kundër krimit, ndërtoi dhe forcoi marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat simotra në vendet e rajonit dhe të BE-së, u bë një nga faktorët për pranimin e Shqipërisë në NATO, si dhe u parapriu detyrimeve për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së, për të cilin të gjithë shpresojmë të realizohet së shpejti. Policia e Shtetit mori gjithashtu përgëzime unanime për performancën e saj gjatë zgjedhjeve të qershorit të këtij viti”, - u shpreh ministri Basha. Ministri i Brendshëm, z. Lulzim Basha, shprehu ndërkohë bindjen se drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj, në bashkëpunim me drejtuesit e tjerë të policisë, do të vazhdojnë rrugën e mbarë në të cilën Policia Shqiptare ka ecur dhe në të njëjtën kohë do të vazhdojnë edhe reformat e nisura. “Le të rikonfirmojmë sot nga kjo ceremoni, se në misionin e saj fisnik për rend dhe siguri, nëpërmjet policimit në shërbim dhe në përgjigje të nevojave të komunitetit, duke mbrojtur jetën dhe pronën, nëpërmjet goditjes së krimit dhe akteve kriminale, nëpërmjet bashkëpunimit me partnerët për të parandaluar dhe penguar prishjen e rendit dhe qetësisë publike, në respekt të sigurisë dhe të drejtave njerëzore, Policia e Shtetit do të vazhdojë të qëndrojë si një shpatë në kokën e krimit dhe një mburojë e lirive dhe të drejtave të qytetarëve të republikës”, - deklaroi ministri Basha, duke garantuar se në këtë mision Policia e Shtetit do të ketë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe shtetit. Gjatë kësaj ceremonie ishin të pranishëm drejtues e punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të misioneve të huaja që asistojnë policinë shqiptare.