E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xibri denoncon dhunën, akuzohet për shkelje vendimi

Kreu i Sindikatës së Minatorëve e ka cilësuar të pajustifikueshme dhunën pas protestës. Shërbimi i Provës e akuzon se ka shkelur vendimin e gjykatës dhe e referon në Prokurori

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, e ka cilësuar të pajustifikuar dhunën e policisë në fund të protestës. Në një reagim për mediat, Xibri ka rrëfyer se ishte duke i dhënë ndihmë një të moshuare, në momentet kur u ndalua nga policia. “Më rrahën dhe dhunuan në Bulevard. Në momentin që kalova prapa Kryeministrisë, jashtë syrit të kamerave, dëgjova zërin e zotit Vocaj. Më tha mos ki merak dhe iu drejtua dikujt, duke i kërkuar të më shoqëronin në komisariat. Mendova se nuk do të goditesha më, por nuk ndodhi kështu. Nuk kishte centimetër të trupit që nuk isha i goditur”- u shpreh Xibri, ndërsa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të marrin pjesë në demonstratën homazh në nder të 3 viktimave të 21 janarit. Por pas këtij reagimi publik, kreu i Sindikatës së Minatorëve është denoncuar sërish në Prokurori nga Zyra e Shërbimit të Provës. Ky institucion ka informuar Prokurorinë se Fiqiri Xibri ka shkelur vendimin e gjykatës së datës 25 nëntor 2010, me anën e së cilës është dënuar për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullimin e manifestimeve të paligjshme, duke vënë në provë për 18 muaj me detyrimin që të mos kryejë përsëri këtë vepër penale. Pjesëmarrja e tij në demonstratën e 21 janarit është cilësuar si shkelje e këtij vendimi nga Shërbimi i Provës, duke ia referuar Xibrin sërish prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›