E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia në sallën e gjyqit: Një deputet mbronte bandën e Lushnjës

Debati mes deputetit Ilir Bano dhe anëtarit të bandës Enver Boriçi. Krimet e Rënda do të thërrasin si dëshmitar deputetin Ilir Bano

Laureta Rryçi

Tiranë - Dosja e bandës së Lushnjës do të përfshijë edhe emra politikanësh. Dëshmia më e fundit, e dhënë në sallën e gjyqit rastësisht, ka pohuar se banda e Lushnjës funksiononte nën mbrojtjen e një politikani. Sakaq emri i një tjetër deputeti është bërë publik për shkak të një bisede që ka zhvilluar ai me një nga anëtarët e bandës. Për këtë shkak, deputeti i Partisë Demokratike, Ilir Bano, do të thërritet si dëshmitar në këtë proces. Ky vendim u mor dje nga Kolegji Penal i Krimeve të Rënda pasi emri i politikanit doli gjatë thënieve të një dëshmitari. Dëshmitari Pëllumb Meço rrëfeu para gjykatës se rastësisht kishte dëgjuar një bisedë mes deputetit Bano dhe njërit prej anëtarëve të bandës së Lushnjës, Arben Boriçi. Sipas tij, ata po debatonin me zë të lartë dhe Boriçi po i kërkonte llogari Banos se përse nuk influenconte që të bëheshin shkrime pozitive në emër të bandës. Në seancën e djeshme kanë qenë edhe tre dëshmitarë të tjerë, mirëpo dëshmia e Meços ka pasur më tepër interes dhe për vetë kolegjin duke e detyruar këtë të fundit të marrë vendimin për të shtuar një dëshmitar më shumë në këtë dosje.
Politikanët
Edhe pse kanë kaluar vite nga dita që Pëllumb Meçe u mor forcërisht nga banda e Lushnjës bashkë me të vëllain, ai vazhdon të mos e dijë arsyen e shoqërimit. Meço nisi rrëfimin e tij duke thënë: “Bashkë me vëllain na shoqëruan drejt Komisariatit Nr. 2 të qytetit (ishte komisariati që drejtohej nga Aldo Bare) dhe nuk na e thanë motivin”. Më tej, ai vazhdoi dëshminë e tij duke thënë se rastësisht aty kishte parë dhe dëgjuar kryetarin e asaj kohe të Partisë Demokratike për qytetin e Lushnjës, Ilir Bano. Sipas tij, Bano po debatonte me Enver Boriçin. Ky i fundit duket se po i kërkonte Banos të influenconte për emrin e mirë të bandës. “Përse nuk ndikoni të bëhen shkrime pozitive për ne, pasi ne nuk kemi lejuar të trafikohet asnjë vajzë lushnjare dhe të mos bëhet asnjë grabitje”, - i ka thënë Boriçi deputetit Bano. Ndërkohë, Bano ia ka kthyer përgjigjen duke i thënë se ai ishte përfaqësues i Partisë Demokratike dhe se këta kishin deputetin e tyre që kujdesej për ta. Për të mësuar se cili është ky deputet, kolegji penal vendosi të thërrasë si dëshmitar Ilir Banon.
Dëshmitë
Lirije Aliu dhe Enver Aliu ishin dy dëshmitarët e tjerë në seancën e djeshme. Lirija dëshmoi në cilësinë e bashkëshortes së njërit prej viktimave që pretendohet nga prokuroria se është ekzekutuar nga banda. Ajo dëshmoi se nuk kishte dijeni kush kishte qëlluar mbi të shoqin vetëm se kishte mësuar për vdekjen e tij. Po kështu dhe kunati i saj, që ishte në të njëjtën kohë edhe vëllai i viktimës, dëshmoi se edhe ai nuk kishte dijeni për autorët e krimit. Ndërsa dëshmitari Virgjil Haxhiu mbante mend shumë mirë se si anëtarët e bandës në vitin ‘97 e kishin nxjerrë nga shtëpia me forcë atë, kunatën, nipin dhe i kishin masakruar duke i rrahur në komisariatin që në atë kohë drejtohej nga Aldo Bare. Sipas tij, vetëm kur ishin kthyer në shtëpi kishin vënë re se shtëpia e vëllait ishte djegur e gjitha. Sipas tij, shtëpinë ia dogjën anëtarët e bandës ngaqë i vinin gjoba dhe se ato asnjëherë nuk kishin pranuar t’i paguanin.

Vjedh kasafortën e lokalit ku punonte, policia e vë në pranga

Tepelenë – Forcat e policisë së Tepelenës kanë arrestuar dje shtetasin Armand Sala, pasi dyshohet se ka vjedhur shumën prej 158 mijë lekësh në kasafortën e lokalit, i cili shërbente edhe si sallë me kompjutera për lojëra fati të firmës “APEKS”. Bëhet e ditur se pas kësaj autori është larguar në banesën e tij dhe në orët e para të mëngjesit ka njoftuar policinë e Tepelenës se i është vjedhur lokali ku në kasafortë pretendonte se kishte një shumë prej 700.000 lekësh. Grupi hetimor ka kryer të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje dhe ka bërë shoqërimin në ambientet e policisë të punonjësve dhe personave të dyshuar. Nga veprimet hetimore dhe provat e grumbulluara në vendngjarje është përcaktuar mekanizmi i vjedhjes, ku është provuar se shtetasi Armand Sala i kishte vjedhur vetë lekët, pasi kishte shlyer borxhet dhe kishte shpenzuar një shumë prej 800.000 lekësh qysh më parë, shumë të cilën i detyrohej kompanisë “APEKS” të lojërave të fatit tek e cila ishte punësuar. Nga kontrolli që iu bë në banesë këtij shtetasi u gjet shuma prej 158.800 lekësh, që i kishte vjedhur në kasafortë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “vjedhjes”.

31 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›