E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitarët: Kemi frikë të vijmë në gjyq

Çifti Haxhia refuzon të përballet në gjyq me anëtarët e bandës së Lushnjes, të cilët akuzohen se i dogjën shtëpinë

Rasti i dytë brenda një jave, ku dëshmitarët e prokurorisë nuk paraqiten në procese gjyqësore

TIRANË- “Nuk vijmë në gjyq për të dëshmuar, pasi nuk ndjehemi të sigurt”. Ky është pretendimi i çiftit Shkëlqim e Servete Haxhia, që për të disatën herë radhazi kanë objekt sulmi nga pjesëtarët e bandës së Lushnjes. Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda në vazhdimin e procesit gjyqësor ndaj dosjes së dytë të pjesëtarëve të bandës së Lushnjës, kërkoi që të vijnë për të dëshmuar çifti lushnjar Shkëlqim e Servete Haxhia, të cilët në gushtin e vitit 1998, u bënë pre të djegies së banesës nga anëtarët e “bandës”, si dhe ishin dëshmitarë të plagosjes së shtetasit Arben Kicja, në vitin 2003 të ndodhur në verandën e lokalit të tyre. Edhe pse fletë-thirrja e togave të zeza ishte dërguar në banesën e çiftit Haxhia nga policia lokale, ata nuk kanë ngurruar të shprehin frikën për të dëshmuar, duke firmosur mbi fletë-thirrjen e dërguar nga Tirana: “morëm dijeni për orarin dhe zhvillimin e gjyqit, por nuk vijmë se nuk ndjehemi të sigurt për të dëshmuar”.

Edhe pse kishin firmosur këtë deklaratë, para dyerve të Gjykatës erdhi vetëm dëshmitari Shkëlqim Haxhia i shoqëruar nga tre persona, ku dukej qartë frika për të shprehur të vërtetën e djegies së banesës dhe plagosjes së dëshmitarit të mbrojtur tashmë, Arben Kicja. Ndërkaq, 10 dëshmitarët e tjerë të kërkuar nga akuza, mes tyre edhe tre kushërinjtë e të vrarit nga banda, Artur Daja, i cili ishte edhe strumbullari i nisjes së këtyre vrasjeve në qytetin e Lushnjës, figuronin të larguar nga Shqipëria. Ndërsa disa nga dëshmitarët e tjerë, të thirrur nga Gjykata kishin marrë dijeni për orarin e gjyqit dhe zhvillimin e procesit gjyqësor por nuk kanë preferuar të paraqiten, duke i lënë shkak prokurorit të kërkojë shoqërimin e tyre të detyrueshëm me policë. Rasti i djeshëm i shprehjes së frikës për të dëshmuar nga dëshmitarët, është i dyti brenda javës pranë kësaj gjykate, pas ngjarjes ku u gjet i vdekur dëshmitari kryesor i trafikut të municioneve Kosta Trebicka.

Vetëm pak ditë më parë, po pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda në procesin gjyqësor të rrëmbimit dhe zhdukjes së biznesmenit kosovar, Remzi Hoxha, nuk kanë preferuar të paraqiten dëshmitarët e kërkuar nga akuza për t’u përballur me ish-zyrtarët e SHIK-ut që janë të pandehur në këtë proces. Pas hapjes së seancës gjyqësore dhe leximit të raporteve të policisë në lidhje me dëshmitarët e kërkuar nga akuza, u evidentua mungesa e dy avokatëve mbrojtës të cilët ndodheshin në një gjyq tjetër, ku mungesa e tyre u bë shkak edhe i shtyrjes së seancës gjyqësor për javën tjetër. Sipas prokurorisë, arsye e thirrjes së shtetasit Shkëlqim e Servete Haxhia në gjykatë për të dëshmuar, është rasti i djegies së banesës së tyre në gusht të vitit 1998, ku të pandehurit: Ilir Stergu, Arben Boriçi, Erion Cici, Jorgo Muzaka, Rexhep Gina në bashkëpunim me Aldo Baren, Enver Dondollakun, Leonard Priftin e Enver Boriçin shkuan në shtëpinë e shtetasit Shkëlqim Haxhia. Pas kontrollit të banesës, ata nuk e kanë gjetur në shtëpi personin që po e kërkonin, dhe në shenjë revolte i kanë vënë zjarrin shtëpisë dhe kanë larguar me dhunë personat e familjes që ndodheshin brenda nga aty.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›