E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmitarët forcërisht në gjyq

 

Armand Bajrami

Dëshmitarët e kërkuar nga Prokuroria në gjyqin për zhdukjen e Remzi Hoxhës, të cilët nuk i janë përgjigjur thirrjes për t’u paraqitur, do të çohen forcërisht në sallën e gjyqit. Vendimi është marrë dje nga gjyqtari Xhelal Elezi, kryesuesi i trupës gjykuese të kësaj dosjeje te Krimet e Rënda. Ai nuk përjashton as dëshmitarët VIP të këtij procesi, të cilët kanë refuzuar thirrjen e gjykatës për të dëshmuar. Në seancën e djeshme në ngarkim të katër ish-zyrtarëve të lartë të SHIK-ut të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, si edhe rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopulit dhe Avdul Loshajt në vitin 1995, kanë dëshmuar në lidhje me dijeninë që kanë pasur me këto ngjarje vetëm 3 dëshmitarë. Ndërsa bëhet e ditur se për këtë seancë nga organi i akuzës ishte kërkuar paraqitja përpara togave të zeza e 13 dëshmitarëve. Në përfundim të marrjes së dëshmive të personave të paraqitur, gjykata njohu palët me shkaqet e mosparaqitjes së dëshmitarëve të tjerë, mes të cilëve edhe Fatos Klosi, ish-kreu i SHIK-ut dhe Agim Shehu, ish-zëvendës drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Për Klosin gjykatës i ishte bërë me dije se vendbanimi i tij rezultonte i ndryshuar nga adresa e dhënë prej akuzës për lajmërimin e tij. Ndërsa për të kërkuarin si dëshmitar në këtë proces Agim Shehu, kryesuesi i seancës u shpreh se, “refuzon marrjen e fletëthirrjes”, e thënë ndryshe, nuk pranon të paraqitet për të dëshmuar. Këto konstatime kanë shkaktuar reagim të menjëhershëm tek prokurori i çështjes Xhevat Hana, i cili i kërkoi gjykatës marrjen e tyre të detyrueshme në sallën e gjyqit. Hana e konsideroi mosardhjen e dëshmitarëve “thjesht një shmangie”. Gjithashtu ai hodhi poshtë pretendimet se adresat e dhëna nga organi i akuzës janë të pasakta. “Ne adresat i kemi të sakta. Nuk i kemi shpikur vetë”, u shpreh Hana. Në përfundim gjykata vendosi që në seancën e ardhshme, e cila do të zhvillohet në 30 nëntor, të bëhet sjellja e detyrueshme e dëshmitarëve që kanë marrë dijeni gjyqin. Për Shehun u vendos që të njoftohet edhe njëherë nga një oficer i Policisë Gjyqësore për paraqitjen në gjykatë. Në rast se ai kundërshton, atëherë do të sillet në gjykatë forcërisht. Ndërsa për Klosin u vendos të verifikohet adresa e tij zyrtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›