Mjekët vendosin:Tri ditë në grevë pas plagosjes së kolegut
Fatos Mahmutaj
Mjekët e spitalit “Nënë Tereza” hidhen në protestë. Nga sot e për tri ditë radhazi, ata do të pezullojnë punën si reagim ndaj incidentit të fundit të ndodhur me mjekun Agron Ylli. Ai u plagos me thikë për një raport mjekësor. Protestues së bluzave të bardha do t’i bashkangjiten emrat me të njohur të mjekësisë shqiptare, si dhe shefat e pavionëve, duke pezulluar të gjitha operacionet e planifikuara dhe konsultat. Gjithashtu sot pritet që të dalë në një konferencë për shtyp edhe Drejtoresha e Spitalit, Gjeorgjina Kuli. Burime nga drejtoria pohuan se ajo do t’i bashkohet qëndrimit të mjekëve. Bluzat e bardha kërkojnë të mbrohet figura e mjekut që deri më tani është përgjithësuar me anën negative të rasteve të veçanta. Kjo është protesta e tretë e tyre pas një sërë agresionesh, që disa prej mjekëve kanë pësuar në spital ose në klinikat private. “Nuk mund të vijmë me frikë në punë. Shteti duhet të ndërhyjë që të na mbrojë. Situata e krijuar është e papranueshme”, shprehen bluzat e bardha. Sipas tyre, nëse nuk merren masa, greva do të vazhdojë pa afat. “Nëse qëndrojmë në heshtje, atëherë i bie të pranojmë dhunën që ushtrohet ndaj nesh. Nuk do ta bëjmë këtë”, pohojnë mjekët.
Gjykata
"Isha i dehur dhe doktori në vend që të më qetësonte, më acaroi duke më bërtitur".Bujar Valisi, 35-vjeçari që plagosi katër ditë më parë mjekun Agron Ylli, u përpoq dje t'i shpëtonte qelisë duke paraqitur dehjen si alibi, për të justifikuar goditjen me thikë ndaj endokrinologut e diabetologut 50-vjeçar. Rreth mesditës së djeshme ai u paraqit para gjykatësit të gatshëm Arben Micko, ku rrëfeu ngjarjen që për pak i kushtoi jetën mjekut. Sipas 35 vjeçarit bashkëshortja e tij vuante nga tiroidet dhe kishte nivel të lartë të kolesterolit në gjak. Për këtë shkak ishte njohur me mjekun 50-vjeçar, të cilit i kishte kërkuar ta ndihmonte për ta nxjerrë gruan në Kemp. Sipas tij, mjeku e kishte orientuar të plotësonte disa dokumente dhe t'ia sillte këtij, por edhe pas kësaj nuk ishte bërë i mundur realizimi i Kempit, ndërsa Valisi "vizitonte" shpeshherë klinikën e mjekut Ylli. Duke treguar për momentin e përplasjes me mjekun, Valisi pohoi se paraditen e së shtunës para se të takohej me mjekun kishte pirë dy gota pije alkoolike në një lokal për të hequr mërzinë. Pastaj me të gjitha raportet mjekësore, fletët e analizave, vërtetimet dhe dokumentet e ndryshme, që kishte mbledhur për muaj me radhë kishte shkuar në klinikën private ku punonte mjeku, në zonën e "Shallvareve", ku i kishte kërkuar 50-vjeçarit shpjegime për arsyet pse nuk ishte bërë i mundur Kempi, për bashkëshorten e tij. Biseda ka nisur me tone ashpra, dhe sipas 35-vjeçarit Valisi brenda pak çastesh të dy palët i kishin bërtitur njëri-tjetrit. "Në këtë moment, nuk munda të duroj më tepër dhe ia përplasa në fytyrë të gjitha dokumentet. Ndërkohë, nxora thikën dhe qëllova drejt tij, pa e kuptuar se në cilin vend do ngulej tehu", tha 35-vjeçari në gjyq. Më tej, ai pohoi se ishte penduar për veprimin që kishte kryer, ndërsa u justifikua se kishte vepruar si pasojë e konsumimit të një sasie alkooli para krimit. Ndërsa prokurori që kishte drejtuar hetimet paraprake pohoi, se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:30 të paradites së të shtunës dhe autori i dyshuar i ngjarjes, Bujar Valisi u arrestua në flagrancë, ndërkohë iu kap edhe thika me të cilën sulmoi mjekun. Prokurori i kërkoi gjykatës mbylljen e Valisit në qeli deri në përfundim të hetimeve, ndërsa i komunikoi atij akuzën e "plagosjes së rëndë me dashje". Sipas prokurorit, mjeku aktualisht, ndodhet jashtë rrezikut për jetën pasi dërgimi i tij në spital qe i menjëhershëm. Vetë i pandehuri dhe avokati i tij mbrojtës kërkuan një masë më të lehtë sigurie, duke e argumentuar kërkesën e tyre edhe me faktin se i arrestuari ishte krahu i vetëm i punës në familjen e tij, ndërsa bashkëshortja ishte e sëmurë. Pas kësaj gjykata vendosi masën e sigurisë "burg pa afat" për të, ndërsa i pandehuri dhe mbrojtësi i tij u shprehën se do e apelonin.
Pas plagosjes, Valisi tentoi të largohej
TIRANE - Bujar Valisi, ka tentuar të largohej nga vendngjarja pas plagosjes së mjekut Agron Ylli. Policia e kryeqytetit pohoi pas arrestimit të tij, mesditën e së shtunës se agresori kishte tentuar të largohej, por mbërritja e shpejtë e uniformave blu në vendngjarje bënë të mundur kapjen e tij dhe dërgimin me pranga në qeli. Po kështu, në vendngjarje sipas policisë, u kap edhe thika me të cilën i arrestuari kreu krimin e rëndë, që për pak i kushtoi jetën mjekut. Pas grindjes me mjekun në ambientet e brendshme të klinikës, 35-vjeçari e ka qëlluar atë më thikë dhe ka tentuar të largohej, por është vënë në pranga sapo ka dalë jashtë, pasi policët kishin mbërritur në vendngjarje të njoftuar nga persona, që kishin dëgjuar grindjen midis mjekut dhe personit të armatosur me thikë, i cili kishte hyrë në klinikë. Por sapo kanë mbërritur policët janë përballur me personin, që pasi kishte plagosur mjekun kishte tentuar të largohej, ndërsa ishte vënë në pranga vetëm pak metër larg vendit të ngjarjes. Pas mbylljes së tij në qeli është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, ndërsa vetë i pandehuri ka mbajtur gjatë gjithë kohës qëndrim pohues ndaj akuzës. fa.ma.
Hemorragjia i rrezikoi jetën mjekut
TIRANE - Mjeku endokrinolog dhe diabetolog Agron Ylli, aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërhyrja kirurgjikale në plagën e tij ka bërë që atij t'i ndërpritej hemorragjia, e cila i kishte kushtuar humbjen e një sasie të konsiderueshme gjaku. Mjekët të cilët kishin asistuar në operacionin kirurgjikal ndaj kolegut të tyre pohuan një ditë pas ngjarjes se 50-vjeçari Ylli ndodhej në fazën e rehabilitimit, pasi ishte përjashtuar më parë rreziku për humbjen e jetës. Kolegët e viktimës kanë pohuar gjithashtu, se gjendja e Yllit ishte mjaft e rëndë në momentin e mbërritjes në spital dhe nëse nuk do të ishte ndërhyrë shpejt, mjeku mund të kishte humbur jetën, pasi kishte humbur shumë gjak. f.m.