E Diel, 1 Nëntor 2026

Maskat grabisin gjatë natës shtëpinë e pikën e basteve

 

Dashamir Biçaku

Një banesë në Vaqar dhe një pikë bastesh në Kombinat ranë pre e grabitjes me dhunë gjatë natës së kaluar në dy krime të ndryshme të ndodhura në Tiranë. Banesa e Shaqir Belës, 41 vjeç, në të cilën ndodheshin prindërit e tij dhe bashkëshortja, është grabitur mesnatën e të hënës duke u gdhirë dita e djeshme. Dy persona kanë hyrë në shtëpi të maskuar, duke grabitur 6 milionë lekë dhe një sasi bizhuterish. Pronari i banesës mësohet se kishte udhëtuar në Itali, duke lënë prindërit dhe bashkëshorten në shtëpi. Por gjatë të natës së hënë duke u gdhirë dita e djeshme, një pikë bastesh sportive është vjedhur në rrugën "Llambi Bonata" në kryeqytet. Në rastin e dytë autorët kanë hyrë në qendrën e basteve sportive duke marrë rreth 4 milionë lekë të vjetra.
Grabitja e banesës
Sipas burimeve të policisë, grabitësit kanë hyrë në banesë duke shfrytëzuar errësirën. Ata kanë marrë një shumë prej rreth gjashtë milionë lekësh të vjetra. Policia menjëherë pasi është lajmëruar ka nisur hetimet për zbardhjen e këtyre dy ngjarjeve. Nga hetimet paraprake të kryera nga agjentët e policisë, në të dy rastet janë ngritur dyshimet se autorët mund të ishin banorë të zonave në të cilat kanë ndodhur grabitjet. Për këtë shkak, policia mësohet se ka shoqëruar disa persona që dyshohet se kanë pasur dijeni mbi paratë dhe situatën konkrete të objekteve të vjedhura. Vjedhja e parë, sipas burimeve të policisë, ka ndodhur rreth orës 03:30 të mëngjesit të djeshëm në Vaqar, kur persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e familjes së Belës. Babai, nëna dhe bashkëshortja e tij, mësohet se kanë qenë në gjumë, ndërsa janë zgjuar të tmerruar për shkak të hyrjes së personave në shtëpi nga dritarja. Autorët kanë kërcënuar personat që ndodheshin në banesë për të mos kryer asnjë veprim. Më pas grabitësit janë drejtuar për te vendi ku ndodheshin paratë. Që andej sipas burimeve të policisë janë marrë 6 milionë lekë të vjetra. Grabitësit kanë qëndruar pak kohë në banesë, me qëllim që të mos i linin shumë kohë familjes për të lajmëruar policinë.
Vjedhja e eurolotos
Vetëm pak kohë pas grabitjes së ndodhur në Vaqar, salla operative e policisë ka marrë sinjalin për një tjetër ngjarje. Sipas njoftimit në rrugën "Llambi Bonata", në zonën e Kombinatit në kryeqytet, një pikë bastesh sportive ishte vjedhur me thyerje. Të paktën dy persona dyshohet se kanë hyrë nga dritarja e banjës së objektit dhe kanë marrë nga arka rreth 4 milionë lekë. Policia shkoi në vendin e ngjarjes, ku mësohet se janë gjetur prova me vlerë për hetimin. Hetuesit thanë se ende nuk kanë prova konkrete për autorët e ngjarjeve, por janë duke punuar me rrethin e të dyshuarve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›