Piu alkool, 59-vjeçari vdes në rrugë
TIRANE - Një person ka mbetur i vdekur për shkak të konsumimit të një sasie të konsiderueshme të alkoolit, ndërsa policia është njoftuar për ngjarjen nga dëshmitarët. Pranver Krasniqi, 59 vjeç, banues në Kombinat, është gjetur i shtrirë nga disa banorë, të cilët kanë lajmëruar policinë. Patrullat e Komisariatit nr.6 kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke dyshuar se viktima mund të ishte goditur nga persona të ndryshëm apo të ishte dëmtuar me sende të forta. Kur patrullat e policisë kanë mbërritur në rrugën e ish-fabrikës së qelqit, ku ndodhej i shtrirë viktima, është konfirmuar se ai ishte i vdekur, por pa shenja dhune. Sipas bluve, viktima njihej si konsumator alkooli dhe ky mund të ishte një prej shkaqeve të mundshme të ngjarjes. Autopsia e kryer në morg nga mjekët ligjorë ka konfirmuar se vdekja e Krasniqit është shkaktuar nga konsumimi i një sasie të konsiderueshme alkooli. Pas grumbullimit të provave dhe dëshmive, policia ka dërguar dosjen në prokurori, duke e cilësuar ngjarje paraprakisht si vdekje nga alkooli. d.b