E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitari: Autobusi u qëllua në kryqëzim

Një prej banorëve të zonës së N.Tullës që ndodhej pranë vendit të ngjarjes tregoi se po pinte një kafe fare afër banesës së fisit Meta, të cilët u sulmuan në atë moment.

"Qenë shumë vetë që u përfshinë në këtë rrahje dhe ngaqë i njihnim të dyja palët e ndjenim veten të pafuqishëm për të ndërhyrë, - shprehet ai.

- Le që nuk kishte besë tek kjo ndërhyrje, pasi duke qenë të fortë të dy fiset, ishte e pritshme edhe arma mes tyre. Kalemët sapo qenë kthyer dhe, mbase, edhe bast mund të kenë vënë njerëzit, si të papunë që janë këtu, se sherri do të ndizej flakë...

Pasi u rrahën keqazi duke gjuajtur me gurë drejt ballkonit të shtëpisë së Metëve, ne qëndruam tek dera e klubit. Qëllonin e shanin si mos më keq. Befas u ndje krisma e armës. U qëllua disa herë, një nga një, me një pushim në mes.

Në këtë kohë po kalonte edhe autobusi i linjës së Fllakës. Pasi u dëgjuan krismat, autobusi ndaloi, por heshtja që pasoi pas krismave të para e gënjeu shoferin, i cili u nis ndoshta duke menduar se ato vinin nga larg dhe s'mund ta dëmtonin. Kur u afrua tek udhëkryqi mes rrugës së makinës dhe hyrjes në lagje, u dëgjuan krisma të tjera dhe autobusi ndaloi.

Atëherë pamë se po i nxirrnin njerëzit të gjakosur. Fillimisht u hutuam të gjithë pasi njëri dukej sikur i qenë derdhur trutë dhe qe gjithë gjak. Një person që ishte i veshur mirë nxori telefonin dhe se di se kë mori, policinë apo spitalin, por policia erdhi për 10 minuta dhe u mor me të rrahurit duke kërkuar personat që kishin qëlluar. Gjatë kësaj kohe u munduam që të gjejmë ndonjë makinë për të nisur të plagosurit.

Fillimisht ndaluam një furgon mallrash tip frigoriferik që vumë të plagosurin e parë. E dyta ishte një grua e gjakosur që mbaj mend se e nisëm me një kamioncinë... Sherrin më duket se e nisën Kalemët, që kapën e rrahën 3 gra me hunj...

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›