E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi miraton licencën e celularit të katërt

Projektligji mbërrin në kuvend jashtë radhe. Nuk plotësohet kuorumi, merren "borxh" deputetë

Opozita nuk merr pjesë në votimin e projektligjit për licencën e operatorit të katërt celular në vend


TIRANË- Kuvendi votoi dje në një seancë jashtë radhës në orët e vona të pasdites projektligjin për dhënien e licencës së operatorit të katërt të telefonisë së lëvizshme në vend. Pa praninë e deputetëve të opozitës, i vetmi zë kritik ndaj proceduravë të organizimit dhe të zhvillimit të tenderit, i cili më pas votoi pro këtij projektligji, ishte deputeti i Partisë Demokristianë, Frrok Gjini.

Para se ky projektligj të sillej në Kuvend, duhej bërë një transparencë e plotë në lidhje me aksioneret që përbëjnë ketë konsorcium. "Më parë duhen bërë të ditur, se kush janë këta aksionere, si e kanë vënë pasurinë dhe me cilin kanë të bëjnë.

Vendimi, bie ndesh me nismat e qeverisë për rritjen e transparencës duke zhvilluar tenderat në mënyrë elektronike. Gjithashtu, ky vendim i marrë nga qeveria, e bën nul garën në këtë tender. Me duket se marrja e këtij vendimi në mënyrë të përshpejtur ka të bëjë me fushatën elektorale që po afron",- tha ai.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit, Alketa Mukavelati, u shpreh se, që nga shpallja e tenderit deri në zhvillim të tij, është ndjekur një procedurë tepër korrekte, duke vendosur kushte të qarta dhe strikte për të mos lejuar asnjë shkelje.

"Në projektligj parashikohet se konsorciomit, aksionet kontrolluese të cilat i ka Post Telekomunikacioni i Kosovës, nuk i lejohet që të bëjë transferim aksionesh apo rishitje license deri sa të ketë mbuluar me rrjet 95 për qind të popullsisë",- tha ajo para deputetëve të mazhorancës në komisionin parlamentar të veprimtarive prodhuese.

Në komision merrnin pjesë vetëm tetë anëtarë të mazhorancës, dhe mbledhja është drejtuar nga nënkryetari, Rexhep Uka, në mungesë të kryetarit Ylli Bufi, i cili e konsideroi si jo transparente procedurën e ndjekur nga qeveria për miratimin e kësaj licence.

Në mungesë të kuorumit të nevojshëm, komisioni është detyruar të marrë "borxh" dy deputetë të djathtë nga komisioni parlamentar i medias.

Dhënia e licencës së operatorit të katërt të telefonisë celulare pa tender nga ana e qeverisë, është kundërshtuar ashpër nga Partia Socialiste duke e cilësuar këtë veprim si vjedhjen më të të fundit që Sali Berisha po i bën shqiptarëve.

Në një dalje për mediat dy ditë më parë, nënkryetari i grupit parlamentar i saj, Erjon Braçe, u shpreh se, kuvendi po e shqyrton atë me mënyrë të përshpejtuar për të fshehur parregullsitë që ajo përmban. "Mjafton të lexosh thjesht dhe vetëm relacionin që shoqëron projektligjin dhe kupton qartë se kjo është vjedhja e fundit",- tha Braçe.

Ai gjithashtu bëri me dije se, deputetët e Partisë Socialiste kanë kërkuar dokumente shtesë në lidhje me dhënien e kësaj licence.

Sipas relacionit shpjegues që shoqëron projektligjin për dhënien e licencës së operatorit të katërt për telefoninë e lëvizshme, oferta e dhënë nga PTK-ja është shumë e vlefshme, por nuk mund të shpallej fituesi, pasi sipas procedurës së prokurimit publik, një tender është i suksesshëm kur numri i ofertave konkurruese të vlefshme është më shumë se numri i ofertave të dhëna.

Tenderi për operatorin e katërt celular, parashikohej të përfundonte që në muajin janar të këtij viti, por ai u shty për tu zhvilluar më datë 20 shkurt 2009, i cili gjithashtu dështoi pa shpallur asnjë fitues.

Ofertat e dhëna gjatë zhvillimit të tenderit ishin vetëm ato të "Univers PG", me 5 milionë euro, e barabartë me shumën fillestare që MPPTT-ja kishte caktuar për nisjen e ofertave dhe konsorciumit të kryesuar nga PTK-ja, me 7.2 milionë euro. Me projektligjin e miratuar dje në komision, konsorciumit i jepet licenca celulare me afat përdorimi 15 vjet.



Bufi: Mbledhja e komisionit jashtë kalendarit


TIRANË- Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese u zhvillua pa praninë e asnjë deputeti të opozitës dhe në mungesë të vetë kryetarit, Ylli Bufi.

I kontaktuar nga "Shekulli", Bufi, u tha se, mbledhja e mbrëmshme është zhvilluar jashtë kalendarit, pasi duhej që më parë të merrej një vendim nga Konferenca e Kryetarëve për kohën se kur do të shqyrtohej ky projektligj.

"Mbledhja për votimin e këtij projektligji është bërë jashtë kalendarit dhe se më parë duhej të merrej një vendim nga Konferenca e Kryetarëve",- tha Bufi.

Ai theksoi gjithashtu se, Partia Socialiste, ka kërkuar vazhdimisht që t'i ofrohen dokumenta shtesë në lidhje me këtë proces, të cilat ende nuk i janë dhënë. "Gjatë shqyrtimin e kësaj licence, dhe për vetë rëndësinë e saj nevojitej një nivel i lartë transparence nga qeveria", - tha ai.

Projektligji i kaluar, me tetë vota pro, i cili është minimumi i kuorumit për ta bërë të vlefshme një vendim të marrë nga ky Komisioni, do të miratohet në seancë parlamentare diten e enjte, ku pritet të ngjallë debate të tjera.

Pas miratimit në komisionin e veprimtarive prodhuese, licenca e katërt celulare pritet të miratohet përfundimisht në seancën plenare të radhës, që është ditën e enjte.

Një nga kushtet e kontratës është pagesa prej 7.2 milionë eurosh, që konsorciumi shqiptar duhet të paguajë shtatë ditë nga miratimi përfundimtar i kontratës.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›