E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkon për të vjedhur, vdes gjatë zbritjes

21/04/2009  Identifikohet 20-vjeçari

TIRANE- Ka tentuar të kryejë grabitje në fabrikën e këpucëve në Shkozë, por fati këtë herë nuk ka qenë me 20-vjeçarin Fatmir Cakrrin. Policia e Tiranës tha se në orët e para të mëngjesit të djeshëm është gjetur në oborrin e një fabrike këpucësh një trup i pajetë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar efektivët e komisariatit nr. 1 të kryeqytetit, të cilët për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes kanë kryer një sërë veprimesh hetimore. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes mësohet se viktimës i janë gjetur disa sende metalike si leva, kaçavida, të cilat sipas ekspertëve hetimore i shërbenin 20-vjeçarit për të grabitur objektet. Nga hetimet e kryera rezulton se 20-vjeçari Fatmir Cakrri së bashku me një person tjetër të paidentifikuar kishte ardhur nga qyteza e Kamzës për të grabitur, fabrikën e këpucëve që ndodhet tek ish-uzina e traktorëve në Shkozë. Mësohet se dy të rinjtë kanë mundur të ngjiten në murrin rrethues të fabrikës, mirëpo kur kanë hipur mbi të, 20-vjeçari siç duket duhet të ketë humbur ekuilibrin dhe për pasojë ka rënë nga një lartësi katër metra në oborrin e fabrikës së këpucëve. Përplasja e trupit të tij me tokën ka qenë fatal, pasi sipas ekspertëve që kanë kryer veprimet hetimore fillimisht 20-vjeçari ka rënë me kokë, rrëzim ky që i ka shkaktuar menjëherë vdekjen. Ndërkohë që për të hedhur sa më shumë dritë mbi ngjarjen është marrë në pyetje edhe polici privat i fabrikës së këpucëve, i cili është shprehur para hetuesve se gjatë natës nuk kishte ndjerë asnjë gjë të dyshimtë dhe se trupin e të riut e kishte vënë re kur kishte zbardhur dita. Aktualisht materialet hetimore të kësaj ngjarjeje i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, e cila do të kryejë edhe hetimet e mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›