Dëshmitari i masakrës,zbulohet letra për Berishën
TIRANE – Emri i kryeministrit aktual u lakua disa herë në seancën e djeshme gjyqësore në ngarkim të personave të akuzuar si autorë të “masakrës së Cërrikut” në vitin 1997, ku u vranë 6 gardistë dhe u plagosën 15 të tjerë. I pandehuri Llazar Bicja pretendoi dje se kishte qenë prezent kur kryebashkiakja e atëhershme e Cërrikut, po informonte në lidhje me ngjarjen me anë të telefonit presidentin e atëkohshëm Sali Berisha. Ndërsa i pandehuri Meti Bozi, kërkoi nga gjykata marrjen në cilësinë e dëshmitarit të shtetasit Rushan Mimini, kërkesë që u pranua nga gjykata. Sipas Boizit, Mimini ishte dëshmitar okular në ngjarje dhe ai do të vetëtonte mospërfshirjen e tij në masakër. I pandehuri Bozi paraqiti përpara gjykatës një letër të nënshkruar nga Mimini dërguar kryeministrit aktual në vitin 2007, ku pretendohej se nga ana e Miminit njiheshin rrethana, që do të ndihmonin në zbardhjen e procesit. Në seancën e djeshme gjykata përfundoi pyetjen e të “penduarit dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë” Bujar Buzani. Buzani risolli edhe njëherë në sallën e gjyqit momente nga ngjarja ku humbën jetën 6 gardistët. Ai pohoi se ditën e ngjarjes kishte parë vetëm kufomat dy policëve të vrarë. “Një person me emrin Landi, ka nxjerrë dy kufoma policësh të djegur nga blinda e policisë. Unë vetëm këto të viktima kam parë”, pohoi i penduari Buzani. Pas përfundimit të pyetjeve të Buzanit, dy të pandehut të tjerë Llazar Bicja dhe Meti Bozi kërkuan të bënin deklarime përpara gjykatës. Në deklarimin e tij, i pandehuri Bicja, ish kreu i PS në Cerrik, theksoi se ditën e ngjarjes kishte qenë në bashkinë e Cerrikut në një takim informal me kryetaren e bashkisë, Mishelina Milo dhe disa persona të tjerë”. Pasi janë lajmëruar se qyteti ishte rrethuar me tanke ata janë larguar në panik nga bashkia, por për shkak se banesa e tij ndodhej në anën tjetër të qytetit ai ka qëndruar për disa orë tek banesa e kryetares së bashkisë. Ndërsa të nesërmen ai pohoi të kishte shkuar sërish tek kryebashkiakja për ta pyetur ç’kishte ndodhur. “Ajo ka folur në telefon për 10-15 minuta me Berishën. Mbaj mend që i thoshte: Nuk ka banda të armatosura në Cërrik zoti President! Ngjarja ka ndodhur si një rrufe në qiell të hapur! Nuk kam dijeni për të vrarë zoti President!”, tha Bicja. Sipas të pandehurit Bicja, ai kishte zbatuar gjithmonë ligjin dhe se kishte dhënë edhe “ok”-in për arrestimin e të pandehurve të tjerë. Ndërsa i pandehuri Meti Bozi deklaroi se kishte qenë i pranishëm vetëm si dëshmitar në ngjarje. Bozi deklaroi se me të pandehurin Bicja kishte pasur vetëm marrëdhënie punë për shkak të pozicionit të tij politik.