E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD: Gjykatat s‘kanë siguri, shkak mangësitë e policisë

 

TIRANE – Gjykatat “vuajnë” për efektivë të Policisë së Rendit. Edhe pse ekziston dispozita ligjore, që përcakton pranë tyre shërbim të vijueshëm të Policisë së Shtetit, që vepron sipas urdhrave të kryetarit të gjykatës, krerët e këtyre institucioneve duken të pakënaqur me sigurinë që u ofrohet. Lajmi u bë i ditur në takimin e djeshëm mes zëvendëskryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu dhe kryetarëve të gjykatave të së gjitha rretheve gjyqësore dhe të apelit. Ndërsa zv/kryetari Spahiu i ka ftuar kryetarët e gjykatave në diskutim nëse dispozita 41 e ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, po zbatohet apo thjesht ka ngelur në letër, këta të fundit shprehën mungesën e personelit policor në gjykatat që ata drejtonin. “Unë mund të them se neni 41 deri tani nuk është aplikuar. Dhe nëse do të flasim për aplikim të kësaj dispozite duhet të kemi parasysh një polici, e cila të jetë polici e gjykatave, e cila duhet konceptuar tërësisht ndryshe dhe duhet të jetë e organizuar në mënyrë ndryshe. Në të gjitha gjykatat ka nga një polic që është për gjykatën dhe një polic që është për prokurorinë. Të dy këta policë nuk bëjnë gjë tjetër veçse ruajnë objektin”, u shpreh kreu i Gjykatës së Vlorës, gjyqtari Artur Malaj. I njëjti problem u evidentua edhe nga kreu i Gjykatës së Tiranës, Albert Meçe, i cili sqaroi se: “Problemi kryesor lidhur me rendin dhe sigurinë në gjykatën e Tiranës është mungesa e personelit policor”. Zëvendëskryetari i KLD, Spahia deklaroi se pasiguria në gjykata mund të cenojë parimin e zhvillimit të procesit të drejtë ligjor. “Siguria në gjykata nuk prezumon vetëm mbrojtje të gjyqtarëve, por siguri për të drejtën, publikun, avokatët, prokurorët si dhe për gjyqtarët gjithashtu”, u shpreh Spahiu. Kjo pasi, sipas tij, në një mjedis të pasigurt qytetarët mund të hezitojnë të kërkojnë të drejtën e tyre dhe gjyqtarët mund të kenë vështirësi në dhënien e drejtësisë. Në takim u vlerësua si i rëndësishëm fakti, që për zbatimin e nenit 41 kërkohet përgatitja e të gjitha akteve nënligjore të nevojshme dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm mes kryetarëve të gjykatave dhe Policisë së Shtetit. Bëhet e ditur se qëllimi i takimit ishte për t’i “servirur” KLD-së një “panoramë” të mbrojtjes së gjykatave, që më pas do të vlerësojë çdo hapësirë ligjore dhe mundësi për përmirësimin e situatës.               ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›