Lezhë, arrestohet “koka” e grabitjes së 5 milionëve
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
Arrestohet organizatori i grabitjes së 5 milionë lekëve në Lezhë, ndërsa janë shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij. Elton Gjini, 38 vjeç nga Lezha, u prangos dje rreth orës 05:00 në një hotel në Golem të Kavajës. Në sajë të mjeteve të sofistikuara të hetimit, blutë arritën të lokalizojnë vendndodhjen e tij e më pas t’i vënë edhe prangat. Dy bashkëpunëtorët e grabitjes spektakolare që ndodhi më 11 mars në mes të ditës në qytetin e Lezhës janë Enver Diva, 30 vjeç nga Mamurrasi dhe Florind Marku, 24 vjeç nga Lezha. Policia ka shpërndarë fotot e tyre në të gjitha pikat e kalimit kufitar, pasi dyshohet se ata mund të tentojnë të largohen jashtë vendit. Sipas policisë, ka prova më se të mjaftueshme për t’iu adresuar të arrestuarit dhe dy të kërkuarve akuzën e grabitjes. Policia në bashkëpunim me prokurorinë kanë dokumentuar episodet e kësaj ngjarjeje në sajë të përgjimeve telefonike të tre personave. Madje, në bashkëpunim edhe me kompanitë celulare është arritur të jepen koordinatat e sakta për vendndodhjen e “kokës” së grabitjes, Elton Gjini. Por grupit të hetimit i kanë shërbyer edhe materialet filmike të kamerave të sigurisë të bankës, si dhe mjeti që u gjet i shkrumbuar pak ditë pas ngjarjes në një luginë në fshatin Tresh të Lezhës. Në fakt, të dielën e kaluar u arrit të lokalizohej vendndodhja e tij në një hotel në Lezhë. Për shkak të rrezikshmërisë që ai paraqiste u kërkua ndihma e RENEA-s, por këta të fundit dështuan në prangosjen e tij në momentet e fundit. Dyshohet se rrjedhja e informacionit brenda radhëve të policisë i dha udhë të lirë të kërkuarit për t’u larguar vetëm pak minuta para ndërhyrjes. Por Gjini nuk do të kishte të njëjtin fat në hotelin e Golemit. Blutë e Lezhës në bashkëpunim me policinë e Durrësit ndërhynë mëngjesin e djeshëm, duke mos i lënë asnjë shteg arratie të shumëkërkuarit. Sipas burimeve, organizatori i grabitjes ishte me precedentë penalë në drejtim të vjedhjeve me armë, krime të cilat ai i kishte kryer në Itali. Gjini dyshohet edhe për autorësinë e një vrasjeje në Lezhë, por pas arrestimit dy vite më parë u la i lirë për mungesë provash. Mësohet se edhe dy të kërkuarit, Diva dhe Marku, ishin liruar nga burgu pak muaj më parë, për grabitje me armë. Diva ishte dënuar me 12 vite burg, ndërsa Marku me 7 vite. Policia bëri të ditur se të dy të rinjtë janë larguar nga banesat e tyre. Madje në shtëpinë e Divës në Mamurras forcat e RENEA-s kryen operacion paralel me atë të Gjinit të dielën e kaluar. Por edhe Diva arriti të largohej në kohë, e madje ai shkëmbeu edhe zjarr me forcat speciale. Policia konfirmoi dje se po punon për gjetjen e parave të grabitura.