E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitari “X”: Limaj donte ta ekzekutonte Kuçin

PRISHTINE-Urdhri ishte i prerë: Kushdo që do të guxonte ta lironte Blerim Kuçin e priste plumbi. Kuçi që konsiderohej dezertor nuk mund të lirohej. Aq më pak kur arrestimin e tij e kishte kryer personalisht ish-komandant Çeliku.

Ish-mbikëqyrësi i të ashtuquajturit burgu i Kleçkës i themeluar dhe kontrolluar nga UÇK-ja gjatë vitit 1998-1999 ka thënë se këtë urdhër e kishte marrë nga komandant Çeliku që të mos guxonte ta lironte, ndryshe do të vritej. Ky ish-pjesëtar i UÇK-së që tashmë identifikohet si dëshmitari “X” i ka rrëfyer prokurorit special Maorizio Salustro prej ditës së parë kur i është bashkuar UÇK-së e deri ditën që u është dorëzuar autoriteteve, shkruan sot “Koha Ditore”.
Dëshmitari bashkëpunues që nuk do të ndiqet penalisht as për vrasjen e dy serbëve të cilat thotë se i ka kryer vetë me urdhër të Fatmir Limajt ka rrëfyer gjerë e gjatë në disa intervista të zhvilluara gjatë vitit të kaluar. Ai ka folur për arrestimin e Blerim Kuçit, kryetarit aktual të Suharekës dhe lirimin e tij “diplomatik” nga ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.

“Kur u lirua Blerim Kuçi sipas urdhrit të Sokol Dobrunës, Fatmir Limaj filloi ta mallkonte atë. Blerim Kuçi ishte një komandant në zonën e Suharekës. Sipas thashethemeve që i kam dëgjuar ai gjoja u kishte thënë ushtarëve të tij t’i linin armët e tyre dhe të iknin për në Shqipëri. Për këtë arsye vetë Fatmiri e kishte arrestuar atë dhe personalisht e kishte dërguar në burgun e Kleçkës”, i ka thënë dëshmitari prokurorit, dëshmitë e të cilit i ka siguruar gazeta “Koha Ditore”.

Gazeta ka siguruar dëshminë e tij rreth 200 faqe në të cilën ka bërë skica e sqaruar ato që kishte shkruar në ditarin e tij. Kur ai ia shkruante para emrin të ndonjë të burgosuri “plus” kjo nënkuptonte që ai ishte ekzekutuar. Dëshmitari “X” ka thënë se ka kryer vrasje me urdhër të Limajt. Për këtë vrasje të dyfishtë atij i ishin rrahur krahët nga Limaj. Një pjesë të madhe të dëshmisë ky dëshmitar ia ka kushtuar Blerim Kuçit i cili refuzoi të dëshmon për prokurorinë dhe u ndëshkua me një muaj burgim. Sipas këtij dëshmitari, Limaj kishte thënë për Kuçin se duhej të ekzekutohej.

“Kuçi ishte burgosur për ca kohë dhe ishte mbajtur në shtëpinë kryesore. Kur e sollën në kamp, Limaj më tha nëse e liron këtë do të të vras. Ky duhet të ekzekutohet. Pas disa ditësh Dobruna e lëshoi urdhrin me shkrim ku thuhej se ai dëshironte që Kuçi të çohej pranë tij. Unë e mora letrën por më vinte keq që nuk munda ta ekzekutoj urdhrin e Dobrunës”, ka thënë dëshmitari “X”.

“Pastaj unë shkova që të bisedoja me Sokol Dobrunën. Ai më tha se Blerim Kuçi nuk mund të ekzekutohej kështu. Unë i thash se kisha një urdhër nga Fatmir Limaj për të mos e liruar të burgosurin. I thash se nuk doja të merrja plumb per Kuçin që do të thotë nga Fatmir Limaj do të më vriste sikur ta liroja Kuçin”. Dëshmitari ka thënë se i kishte propozuar Sokol Dobrunës që të gjente një mënyrë tjetër për ta zgjedhur problemin. I kishte thënë që të shkruante një urdhër ku do të thuhej se “Kuçi ishte i sëmurë dhe se nuk mund të shkonte në burg prandaj duhej të sillej para tij dhe të merrej në pyetje”. Pas kësaj Sokol Dobruna i kishte dërguar katër oficerë të Policisë Ushtarake që ta merrnin Kuçin.

“Kësaj radhe nuk kishte shans të refuzoja. Deri atëherë Kuçi kishte qëndruar rreth 20 ditë në burg. Pasi që Kuçin e mori Dobruna kam dëgjuar se e liroi nga akuza dhe iu kishte dhënë prapë uniforma dhe kishte shkruar në Shtabin Qendror. Kur Limaj e kuptoi se Kuçi ishte liruar ai u mërzit shumë. Ai filloi të më kërkonte mua dhe unë kisha frikë se do të më vriste”, ka thënë ai. “Kur më gjeti unë ia tregova letrën e Sokol Dobrunës dhe i thash se nuk e kam ditur që Sokoli do ta lironte Kuçin sepse urdhri thoshte se ai thjeshtë donte ta merrte në pyetje. Kadri Veseli dhe Adem Grabovci ishin të pranishëm dhe u munduan ta qetësojnë Fatmirin se nuk ishte faji im dhe se nuk ishte e drejtë të më vriste. Pastaj Fatmiri u tërbua me Sokol Dobrunën, ndërsa mua më la të qetë”.

Dëshmitari ka treguar se UÇK-së iu kishte bashkuar më 16 prill 1998. Kur kishte shkuar në Kleçkë e kishte takuar Fatmir Limajn, Isak Musliun dhe Shukri Bujën. Kjo ishte hera e parë që i kishte takuar ata. Asokohe ata paraqiteshin vetëm me nofka – nofka e Isak Musliut ishte “Çerçizi”, e Shukri Bujës “Gazetari” dhe e Fatmir Limajt – “Çeliku”. Fatmir Limaj po ashtu thirrej edhe “Daja”., shkruan sot “Koha Ditore”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›