Dëshmitari rrëfen vrasjet e bandës së Altin Dardhës
Laureta Rryçi
Tiranë - Rihapja e dosjes për vrasjet e kryera nga banda e Altin Dardhës janë rikthyer sërish në sallat e gjyqit. Pas kërkesës së një prej të pandehurve, Gëzim Kasemit, dosja ka nisur të gjykohet nga trupi gjykues i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës që kryesohet nga gjyqtari Gerd Hoxha. Në seancën e djeshme dëshmitari i thirrur nga akuza ka qenë pikërisht ish-inspektori i Krimeve, që është marrë me zbardhjen e vrasjeve të kryerja rreth një dekadë më parë. Gentian Musabelliu dëshmoi për vrasjen e Burhan Tomorit, si dhe rrëmbimin e inspektorit të policisë, Ferdinand Kalemi.
Dëshmia
Përpara gjykatës dëshmitari ka treguar se në datën 25 shkurt të vitit 1998, në afërsi të një lokali pranë stadiumit “Tomori”, jo më shumë se 100 metra larg Komisariatit të Beratit ishte ekzekutuar shtetasi Burhan Tomori. “Unë kam qenë inspektor zone. Kemi ndjekur nga mbas autorët, të cilat kanë qenë tre ose katër veta”, - ka deklaruar Musabelliu duke mos bërë të ditur emra. Më tej dëshmia e tij ka vijuar mbi kërcënimet që i ishin bërë. Ai ka treguar se mbi të është qëlluar mbi 150 herë me një mitraloz të lehtë, ku mbetën të vrarë aksidentalisht tre persona të tjerë. Sipas dëshmitarit, pas kësaj ngjarjeje ishte vrarë edhe shtetasi Sali Kumani, në lagjen “Uznovë”, ndërsa ishte rrëmbyer inspektori i policisë, Ferdinand Kalemi, së bashku me mjetin e tij të policisë. Gjatë procesit të djeshëm në ngarkim të Gëzim Kasemit dhe Agron Bilalit kanë dhënë deklarime edhe disa banorë të qytetit. Prokuroria e Beratit i akuzon dy të pandehurit si anëtarë të bandës së Altin Dardhës, tashmë i vdekur.
Atentatet
Nga hetimet e kryera nga prokuroria ka rezultuar se i pandehuri Gëzim Kasemi, në bashkëpunim me shtetasin Agron Balliu dhe “kokën” e bandës, Altin Dardhën, kanë organizuar një atentat për ekzekutimin e një prej kapove kryesorë të Beratit gjatë trazirave të vitit 1997, shtetasin Burhan Tomori. Burhani dyshohet të kishte vrarë disa muaj më parë babanë e Altin Dardhës, dhe ky i fundit vendosi të hakmerrej. Dardha, së bashku me shokun e tij Altin Isufi, dhe dy të dënuarit tashmë Agron Bilalin dhe Gëzim Kasemin, kanë gjetur Burhanin në një lokal dhe kanë qëlluar mbi të. Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se gjatë largimit në drejtim të Skraparit, Dardha ka qëlluar pa shkak mbi shtetasin Sali Kumani, në lagjen “Uznovë”, duke e lënë të vdekur. Më pas ai i ka rrëmbyer makinën fuoristradë të tipit “Toyota”, e cila ishte në pronësi të shtetasit Riza Qosa. Disa kilometra më tej, Dardha ka marrë peng inspektorin e policisë, Ferdinand Kalemi, së bashku me mjetin e tij të policisë. I pandehuri Gëzim Kasemi u dënua më 12 mars të vitit 2001 me 23 vjet burg në mungesë. Kasemi u ekstradua në vendin tonë dy vjet më parë. Në vitin 1999, po për këto vepra penale, Gjykata e Beratit e deklaroi të pafajshëm duke e liruar në sallën e gjyqit. Dhe që nga ajo kohë vendndodhja e 30-vjeçarit Kasemi nuk dihej, por kjo situatë vazhdoi deri kur autoritetet italiane lajmëruan se personi i shpallur në kërkim, Gëzim Kasemi, është arrestuar në qytetin e Milanos. Sipas vendimit të gjykatës, 30-vjeçari Kasemi ka qenë një nga anëtarët e bandës së Altin Dardhës, që njihet si një nga bandat më të frikshme jo vetëm në qytetin e Beratit në atë kohë, por në të gjithë Shqipërinë. Bandë që, sipas Akuzës, ka vepruar nga vitit 1997 deri në vitin 1999. Shtetasi Gëzim Kasemi u dënua në mungesë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë më 12 mars të vitit 2001 me 23 vjet burg, vendim i cili ka marrë formën e prerë në shtator të po këtij viti nga togat e zeza të Gjykatës së Apelit në kryeqytet.
Denoncoi ish-bashkëshortin për kallashnikovin e fshehur në oborr
Lezhë – Një 45-vjeçare ka ndjerë rrezik nga një armë që ka zbuluar se ish-bashkëshorti i saj fshihte në banesën ku dikur ndanin jetën martesore. Policia informon se ngjarja ka ndodhur dje në fshatin Gocaj të rrethit Lezhë. Mira Ujkaj gjendej në banesë kur ish-burri i saj 59-vjeçar Mark Ujkaj, fshihte në oborr një armë AK-47. “Gruaja ka denoncuar përmes celularit në sallën operative se ish-i shoqi kishte fshehur në oborrin e shtëpisë një automatik tip ‘Kallashnikov’ dhe ndiente pasiguri për këtë fakt”, - pohuan burime policore. Në vendngjarje mbërritën uniformat blu që gjetën në vendin e sinjalizuar nga Mira Ujkaj, një thes ku ndodhej arma automatike si dhe dy krehra fishekësh.
Policia sqaroi se Mark Ujkaj, 59 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gocaj Lezhë, me gjendje civile i divorcuar, rezulton i dënuar më parë për veprën penale të kanosjes serioze për jetën dhe armëmbajtje pa leje.
Gjendet i vrarë një 25-vjeçar, dyshohet qitje e paqëllimshme në gjueti
Lezhë – Një i ri ka mbetur i vrarë në Lezhë, kurse policia ka ndaluar 39-vjeçarin i cili dyshohet për vrasje nga pakujdesia. Burime policore thanë për gazetën se viktima është identifikuar si Kujtim Elezi, 25 vjeç, i martuar, lindur dhe banues në fshatin Ishull Lezhë. Policia deklaroi se ka kryer dje në mesditë arrestimin e 39-vjeçarit Skënder Djala, lindur në fshatin Shënkoll dhe banues në Lezhë. “Arrestimi i tij u bë pasi dy ditë më parë ka vrarë nga pakujdesia me arme gjahu, 25-vjeçarin Kujtim Elezi”, - thanë burime policore. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Ishull - Shëngjin të rrethit Lezhë. Dy miqtë kishin dalë për gjueti kur në një moment ende të paqartë, 39-vjeçari Djala ka bërë qitje me armën e zjarrit teke gjysmë-automatike. Sikundër ka deklaruar i prangosuri, qitja ka qenë e pavullnetshme, pasi ai ka qëlluar në drejtim të supozuar të gjahut, por ka shkaktuar plagosjen fatale të të riut që ndërroi jetë menjëherë. Policia tha se pas arrestimit të Skënder Djalës dhe sekuestrimit të armës së zjarrit, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
24 Shkurt 2009