Bashkia, mbillen 30 pemë në kuadrin e nismës “Një qytetar–një pemë”
Bashkia e Tiranës ka mbjellë 30 pemë në disa nga akset kryesore të kryeqytetit. Kështu, një tjetër kompani e rëndësishme në kryeqytet iu bashkua nismës “Një qytetar – një pemë”, të iniciuar nga Bashkia e Tiranës. Kjo nismë ka synim të nxisë bashkëpunimin dhe kontributin e komunitetit, shoqatave jofitimprurëse, agjencive të ndryshme, bizneseve të mëdha dhe të vogla, kompanive private dhe shoqërive, në përmirësimin e cilësisë së mjedisit në kryeqytet. Në këtë kuadër, kompania “Unioni Financiar Tiranë” dhe “Union Bank” iu bashkuan në mënyrë vullnetare nismës “Një qytetar - një pemë”, përmes mbjelljes së 30 pemëve në rrugën “Sami Frashëri” (bulevardi “Bajram Curri” – sheshi “Willson”). Kryebashkiaku Edi Rama mori pjesë në përurimin e mbjelljes së pemëve. “Sot kam një lajm të mirë. Sapo ka kaluar 1 mijë numri i pemëve që po mbillen dhe do të mbillen në qytet, falë pjesëmarrjes së sipërmarrjes në këtë nismë. Është një lajm shumë i mirë, sepse është shprehje e rritjes së ndjeshmërisë qytetare, e rritjes së pjesëmarrjes qytetare për të ardhmen tonë të përbashkët dhe e rritjes së vazhdueshme të numrit të atyre që po i bashkohen kësaj nisme”, - u shpreh kryebashkiaku Rama.
Nismës “Një qytetar - një pemë” i janë bashkuar deri tani mjaft subjekte, të cilët, përmes aksionit të mbjelljes së pemëve, synojnë të japin ndihmesën e tyre në pastrimin e ajrit, në uljen e ndotjes dhe për krijimin e një mjedisi sa më të shëndetshëm, në funksion të rritjes së cilësisë së jetës në komunitet.
Kjo nismë synon të ndikojë pozitivisht në rritjen e vlerave të komunitetit e rivitalizimin e tyre. Çdo qytetar i Tiranës mund të japë kontributin e tij, duke u bërë kështu pjesë e kësaj iniciative që është një thirrje për veprim dhe është më shumë se të mbjellësh një pemë.
Vlorë, nis procesi i aplikimit për letërnjoftimet
Në Vlorë nisi dje procesi i aplikimit për pajisjen me letërnjoftimet elektronike, një proces i rëndësishëm për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të këtij viti. Prefekti i këtij qarku, Hasan Halili, u shpreh se procesi po zhvillohet normalisht, ndërsa personeli i zyrës përkatëse në Bashkinë e Vlorës po punon me intensitet për të përballuar kërkesat e shumta të qytetarëve. Sipas tij, procesi i aplikimit për pajisjen me letërnjoftimet elektronike ka nisur vetëm në qytetin e Vlorës, ndërkohë që gjatë kësaj jave ai do të fillojë edhe në pjesën më të madhe të njësive të qeverisjes vendore të qarkut, ku janë instaluar apo janë në përfundim të instalimit aparaturat përkatëse. Procesi i aplikimit të qytetarëve shqiptarë për letërnjoftimet elektronike është një projekt i qeverisë shqiptare që realizohet për herë të parë në Shqipëri. Ai nisi fillimisht në Tiranë, më 12 janar të këtij viti, por tashmë po shtrihet në të gjithë vendin. Ky proces mundëson përpilimin e saktë të listave të votuesve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, gjë që konsiderohet si një garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Prioritet, sipas një udhëzimi të Ministrisë së Brendshme, do të jetë pajisja e qytetarëve pa pasaportë. Sipas statistikave zyrtare në shkallë vendi, numërohen 730 mijë të tillë. Tashmë në kryeqytet ka filluar shpërndarja e letërnjoftimeve të para. Të parët që kanë përfituar nga marrja e kartave të identitetit janë banorët që kanë aplikuar që në fillim të nisjes së procesit.
Meteorologët, moti i ftohtë deri në fund të shkurtit
Ditët e ftohta që kanë mbërthyer vendin do të vazhdojnë deri në fund të këtij muaji. Sinoptikanët bëjnë me dije se i ftohti polar ka rreth dy javë që qarkullon në rajonin tonë, duke sjellë masa ajrore të paqëndrueshme, të ftohta dhe të thata. Gjatë kësaj jave, në vendin tonë pritet një rritje shumë e lehtë e temperaturave.
Moti do të jetë me vranësira në të gjithë territorin, më të theksuara në Verilindje dhe Juglindje. Gjatë kësaj jave pritet një rritje e lehtë e temperaturave. Për sot vendi ynë do të ndikohet nga periferia e presionit atmosferik të lartë. Mbi vendin tonë qarkullojnë masa ajrore të paqëndrueshme, të thata dhe të ftohta. Era do të fryjë me shpejtësi 2-12 m/sek në drejtimin lindje-verilindje. Valëzimi në bregdet parashikohet të jetë 4-5 ballë.
Ditën e martë vendi ynë do të vazhdojë të ndikohet nga vlera të larta të presionit atmosferik.
24 Shkurt 2009