E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Persona të papërgjegjshëm njoftuan për bombë të rreme në Shkodër



Shkodër – Policia e Shkodrës doli para pak minutash me një qëndrim zyrtar në lidhje me dyshimet për eksploziv pranë shkollës fetare dhe banesës së kryeparlamentares, duke thënë se “persona të papërgjegjshëm njoftuan për bombë të rreme”. Në deklaratën për media, Drejtoria e Policisë së Shkodrës informoi se dje paradite, personeli i shkollës jopublike, 9-vjeçare “Zemra e Krishtit”, në lagjen “Mark Lula” të qytetit, sinjalizoi se në afërsi të portës kryesore, pikërisht jashtë mureve rrethuese të shkollës, ndodhej një pako e dyshimtë. Drejtoria Rajonale e Policisë komunikoi me Policinë e Shtetit dhe kjo e fundit e urdhëroi sektorin vendor që të mos bëjë asnjë veprim, duke dërguar në vendin e supozuar të lëndës plasëse, një ekip ekspertësh antieksploziv të repartit RENEA. “Pasi u bë sigurimi i vendit dhe evakuimi i të gjithë personave që gjendeshin në shkollë dhe në një rreze disa qindra metrash përreth saj, u morën masa për verifikimin e pakos dhe asgjësimin e saj”, - detajoi policia. Ekspertët antieksploziv konstatuan se në pako ishin vendosur tre fishekzjarrë, të cilët nuk paraqisnin asnjë rrezikshmëri. “Pakoja ishte një ambalazhim fishekzjarrësh, e cila ishte bosh brenda, pa asnjë lloj lende shpërthyese, por dukej si imitim i një pakoje me lëndë shpërthyese”, - pranoi policia. Ndërkohë, Drejtoria e Policisë së Shkodrës, shprehu dhe shqetësimin që persona të papërgjegjshëm investojnë forcat policore vendore dhe nga qendra në Tiranë, në operacione të pavlera dhe që krijuan një situatë pasigurie në qytetin e Shkodrës.

SHBA-të i dhurojnë një poligon virtual qitjeje Policisë shqiptare

Tiranë - Në ambientet e Qendrës së Formimit Policor u zhvillua sot ceremonia e dhurimit të aparaturës “STAZ”, një poligon qitje me rreze lazër, që u dha për Policinë e Shtetit nga Ambasada Amerikane. Në këtë ceremoni merrte pjesë Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, menaxheri i programit amerikan ICITAP si dhe përfaqësues të lartë të Policisë së Shtetit. “Policia e Shtetit ka një infrastrukturë ligjore të standardeve të larta, falë edhe ndihmës së dhënë ndër vite nga Programi amerikan ICITAP”, - u shpreh ministri i Brendshëm, z. Bujar Nishani. Ndërkohë, ambasadori amerikan Xhon Uidhers u shpreh se Shtetet e Bashkuara gëzojnë një marrëdhënie shumë të ngushtë me Shqipërinë, e cila vërtetohet më së miri edhe në bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit dhe programin e Departamentit të Drejtësisë ICITAP. “Kur punonjësit e policisë ballafaqohen me kundërshtim fizik në kryerjen e detyrave të tyre, ata janë të autorizuar që të përdorin forcën e arsyeshme dhe të domosdoshme për të arritur misionin e tyre, si një e drejtë dhe detyrë e tyre. Sa forcë të përdorin dhe kur mund ta përdorin, janë veprime, të cilat punonjësit e policisë duhet t’i ndërmarrin çdo ditë, për të cilat jo rrallë herë kanë më pak se një sekondë kohë”, - pohoi ambasadori. Ky vendim,- sipas ambasadorit, - që ndodh në çdo moment, duhet të bëhet pa cenuar për asnjë moment të drejtën e qytetarit për t’u mbrojtur nga përdorimi i forcës së paarsyeshme. Ambasadori amerikan sqaroi se “stimulatori i trajnimit për përdorimin e armëve të zjarrit është një sistem modern, i cili përdor teknika ndërvepruese në përdorimin e armëve me lazër”. Ky është një projekt i përbashkët, ku Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion ambientet e vendosjes së këtij sistemi dhe të gjitha shpenzimet për rregullimin e saj, sipas të gjitha standardeve, ndërkohë që ky program u ble nga ICITAP, me një kosto rreth 111 mijë dollarë amerikanë.

Tentoi të vriste katër bashkëmoshatarë, ndalohet i riu

Tiranë - Specialistët e Hetimit të Krimit pranë Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Alban Allushi, 23 vjeç, lindur dhe banues në komunën Dajt, Tiranë. Arrestimi i tij u krye pasi akuzohet se më datë 21 shkurt 2009, rreth orës 16:30, në fshatin Linzë, në parkingun e lokalit “Golden Gold”, ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë shtetasit Saimir S., Altin L., Maksim H. dhe Ergys H., duke qëlluar disa herë në drejtim të tyre, ku si pasojë është plagosur vetëm shtetasi Saimir S., i cili ndodhet i shtruar në SQU, jashtë rrezikut për jetën. Materialet e para hetimore në ngarkim të shtetasit Alban Allushi i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “vrasje në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë dhe “mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

I shpërthen granata në dorë, plagoset rëndë 12-vjeçari

Shkodër - Një 12-vjeçar nga fshati Vukpalaj në rrethin e Malësisë së Madhe ka mbetur i plagosur pas shpërthimit të një granate. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, teksa 12-vjeçari Robert Gjeka, ka qenë duke luajtur në afërsi të shtëpisë së tij, në një shkurre nga ku ka gjetur një granatë, e cila ka shpërthyer në dorën e tij nga pakujdesia. Në momentin e shpërthimit fëmija ka qenë i vetëm. Pas ngjarjes së ndodhur në momentin e mbërritjes së familjarëve 12-vjeçari është dërguar në Spitalin rajonal të Shkodër, ku ndodhet në sallën e reanimacionit në gjendje të rëndë për jetën. Sipas mjekëve, gjendja e tij është kritike, pasi nga shpërthimi i granatës djali ka pësuar dëmtime të rënda në gjoks dhe në kokë.

24 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›