E Diel, 1 Nëntor 2026

Virusi i gripit, më të rrezikuar ata që vuajnë nga një sëmundje tjetër



Emanuela Sako

Më të rrezikuar ndaj gripit janë personat që vuajnë nga një sëmundje tjetër. Sipas specialistëve, personat që kurohen për një sëmundje tjetër janë kontigjenti më i rrezikuar ndaj virusit të gripit. Specialistët japin këshilla për të shmangur prekjen nga virusi. Ata përcaktojnë kategoritë më problematike, për të cilat duhet treguar më tepër kujdes. Sipas specialistëve, kategoritë më problematike janë të gjithë ata persona në moshë të re dhe në moshë të thyer që vuajnë nga sëmundje të tjera, si psh nga mushkëritë, veshkat, tensioni etj. Këta persona duhet të jenë nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekut, pasi temperatura e lartë që shkakton virusi i gripit mund të lërë pasoja te personat që vuajnë nga këto sëmundje. Nga ana tjetër, mjekët rekomandojnë që të gjithë të prekurit t’u drejtohen spitaleve para se të marrin medikamente apo kura kundër gripit. Sipas tyre, më problematike janë zonat rurale, ku të prekurit marrin mjekimet pa rekomandimin e mjekut, duke iu drejtuar farmacive.
Numri
Ashtu siç ishte parashikuar nga specialistët e ISHP-së, muaji shkurt pati një rritje të numrit të të prekurve nga virusi i gripit. Ndërkohë, parashikohet që dhe muaji mars të ketë të njëjtin intensitet përsa i përket shtimit të numrit të të prekurve. Sipas të dhënave paraprake të ISHP-së, numri i personave të prekur në të gjithë vendin mendohet të jetë mbi 15 mijë, një pjesë e madhe e të cilave nuk u drejtohen klinikave. Ndërsa në Spitalin Pediatrik të Tiranës, numri mesatar i fëmijëve që drejtohen çdo ditë i kalon të 250 personat. Viruset që janë në qarkullim kanë pothuajse të njëjtat simptoma, por janë disa llojesh. Mjekët rekomandojnë që të gjithë qytetarët të mund të kapin sëmundjen në fazat e para për të mos kaluar në një acarim të gjendjes shëndetësore.
Simptomat
Simptomat e gripit janë temperatura e lartë që çon deri në bllokimin e frymëmarrjes. Specialistët shprehen se çdo infeksion viral stimulon zhvillimin e një infeksioni bakterial dhe në këtë rast sëmundja kalon në ftohje. Virusi i gripit që është në qarkullim shoqërohet me kollë të fortë, temperaturë të lartë, të vjella etj. Ndërkohë në qarkullim ka disa viruse gripale, për të cilat vaksina antigrip është pothuajse e pavlefshme. Specialistët e ISHP-së sqaruan se vaksina antigrip mbron nga tre grupe virusesh, ndërsa në qarkullim ka disa lloje virusesh gripale. Sipas tyre, ata që kanë kryer vaksinën antigrip vuajnë nga një prekje më e lehtë e gripit krahasuar me personat e tjerë që nuk kanë marrë vaksinën ose nuk e kanë kryer atë në kohën e duhur. Këtë vit, numri i qytetarëve dhe fëmijëve që kanë kryer vaksinën kundër virusit të gripit është më i lartë se sa vitin e kaluar. Por, nga ana tjetër, edhe numri i të prekurve nga virozat për këtë vit është më i lartë se ai i vitit të kaluar.

24 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›