Dëshmitë e myslimanëve shqiptarë, ekspozohen në Ramle
Një ekspozitë në kujtim të myslimanëve shqiptarë që strehuan hebrenjtë në shtëpitë e tyre gjatë Holokaustit, do të hapet sot në kullën përbashkët hebreje-arabe në Ramle, në kujtim të Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës. Ekspozita me titullin "BESA: Një Kod Nderi - Shqiptarët Myslimanë të cilët Shpëtun Hebrejtë gjatë Holokaustit" do të çelet sot në kullën përbashkët hebreje-arabe në Ramle, në kujtim të Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës. Ajo i kushtohet myslimanëve shqiptarë që strehuan hebrenjtë dhe do të hapet me praninë e disa autoriteteve drejtuese në vend. Ekspozita do të qëndrojë rreth tre muaj e hapur dhe do të vizitohet nga studentë hebrenj dhe arabë si pjesë e një programi special edukimi. "Shpresojmë që kjo ekspozitë të japë një shembull të qartë mbi atë se çfarë përfaqëson Holokausti dhe mbi zgjedhjet e vështira që iu desh popujve të bënin", thanë organizatorët e ekspozitës. Ekspozita fokusohet mbi shumë shqiptarë, të cilët rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë ekspozitë do të prezantohet një koleksion fotosh të realizuara nga fotografi amerikan, Norman Gershman, myslimanëve shqiptarë dhe familjeve të tyre të shoqëruara me shpjegime në formë kujtimesh nga ana e personazheve. Përpara Luftës së Dytë Botërore vetëm 200 hebrenj jetonin në Shqipëri. Pasi Hitleri erdhi në pushtet më 1933, qindra hebrenj u arratisën duke kaluar kufirin nga Jugosllavia, Gjermania, Greqia, Austria dhe Serbia. Kur gjermanët pushtuan Shqipërinë, populli shqiptar refuzoi të pajtohej me urdhrin nazist për të kthyer hebrenjtë të cilët jetonin në vend. Ndihma për hebrenjtë, e dhënë në vendet me popullsi kryesisht myslimane bazohej mbi BESEN, një kod nderi që përkthehet "mbajtje premtimi". Pothuajse të gjithë hebrenjtë të cilët jetonin brenda kufirit shqiptar gjatë pushtimit gjerman u shpëtuan. "Historia e jashtëzakonshme e Shqipërisë, ku një komb i tërë u tregua i gatshëm të ndihmonte hebrenjtë, është mbresëlënëse", tha kuratori i ekspozitës, Yehudit Shendar. "Shumë prej tyre u influencuan nga Islami për zgjedhjen e tyre. Kjo histori humane e rrëfyer përmes portreteve të tyre kombinohen për të nxjerrë në pah një aspekt të vogël, pak të njohur të Holokaustit".