"Peizazhe në tranzicion", në Paris
Galeria "Jean-Gabriel Mitterand" ka pritur vetëm pak ditë më parë ekspozitën personale të artistit Edi Hila. Nën titullin "Peizazhe në tranzicion", 19 tablotë në akrilik e vaj dhe 4 vizatimet e kësaj ekspozite, dëshmojnë realitetin e një peizazhi në transit politik dhe thellësisht social. Kuratori i kësaj ekspozite, Ami Barak, thotë në vlerësimin e tij se në skenën ballkanike evropiane një numër i madh personalitetesh artistike, kanë bërë karrierë jashtë kufijve të vendeve të tyre dhe në rastin e Shqipërisë nuk mungojnë protagonistë të planit të parë, si Anri Sala e Adrian Paci. "Ndërkaq, në Tiranë jeton dhe punon Edi Hila, i cili përmes disa manifestimeve ndërkombëtare ku është aktivizuar vitet e fundit, shfaqet pa dyshim si një artist i rëndësishëm dhe mund të cilësohet si një nga piktorët më interesantë të fillimit të këtij shekulli. Ai kishte tërhequr vëmendjen e Rene Block dhe të Harald Szeeman, të cilët e kanë kërkuar të marrë pjesë në ekspozita të rëndësishme...", shkruan ai në tekstin kuratorial. Sipas kuratorit Barak, si në tërë vendet e rajonit, tranzicioni është substancial dhe ndihet në çdo detaj të relievit në fshat apo qytet. Duke filluar nga ndërtesat e braktisura me një orientim modern në arkitekturën e tyre, artisti me një mjeshtëri impresionante, arrin të nxjerrë në pah paradoksin e tyre dhe një frymë misteri që i përshkon. Ai përqendrohet gjithashtu në pragmatizmin e qytetarëve të tij, të cilët me kurajë ushtrojnë tregtitë e vogla buzë rrugës. Një botë bashkëkohore evropiane, ballkanike, në të njëjtën kohë po aq globale, e drejtuar nga imazhet televizive, në skenat e rrugëve dhe interierëve, një botë që e tregon historinë, që trondit vazhdimësinë e peizazhit me brutalitetin e pësuar deri në skutat më të imta. Pas prezantimit të piktorit rumun, Ion Grigorescu, galeria franceze "Jean-Gabriel Mitterand", ku është hapur ekspozita e Hilës, insiston në projektin e saj për t‘i prezantuar skenës franceze personalitete të artit të huaj, cilësia e punimit të të cilëve, meriton gjithë vëmendjen e botës së artit. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datën 7 mars 2009.