E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet nga jeta violonçelisti

Ndërroi jetë ditën e diel Sazan Binjaku, violonçelisti i Orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Me gjithë sëmundjen që iu shfaq verën e kaluar, ai nuk u nda nga skena gjithë stinën dimërore. Mori pjesë para një jave në turneun e fundit të Orkestrës së TKOB në Greqi. Sazan Binjaku ka punuar për një kohë të gjatë në TKOB. Fillimisht si një nga pjesëtarët e grupit "Na bashkoi kënga popullore" dhe më pas në orkestrën simfonike të institucionit. "I gjallë dhe aktiv gjithmonë. Shumë i përkushtuar ndaj jetës familjare dhe me aftësi muzikore të shumanshme", kështu do ta kujtojnë Sazanin miqtë e kolegët e formacionit muzikor dhe i gjithë Teatri i Operës. Emri i Sazan Binjakut për gjithë ato që përmban si cilësi njerëzore dhe artistike me largimin e tij befasues dhe të dhimbshëm do t‘i përkasë kujtimit të paharruar të atyre që në jetë janë bashkudhëtues të rrugës së progresit artistik të TKOB dhe përfaqësojnë një emër me individualitet në vlerat e përbashkëta të artistëve të orkestrës simfonike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›