E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radioja e talebanëve:Kush nuk dëgjon, ekzekutohet

Çdo mbrëmje, rreth orës 20.00, banorët e Suatit, një prej tri qyteteve më të rëndësishme pakistaneze, mblidhen rreth radiove të tyre për të dëgjuar çdo informacion që ndodh, sepse nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, atëherë ata e dinë se çfarë do të ndodhë kundër tyre.

Përmes një stacioni radiofonik, një udhëheqës talebanësh, Shan Doran, informon pothuajse çdo mbrëmje dëgjuesit e shumtë për aktivitetet e saposhpallura anti-islamike në luginën e Suatit, për shembull të shesësh DVD, të ndjekësh emisionet e ndryshme televizive përmes kabllorit, të këndosh, të kërcesh, të kritikosh talebanët, të rruash mjekrën dhe t‘i lejosh vajzat të shkojnë në shkollë. Më pas lexon listën me emrat e atyre që talebanët kanë vrarë kohët e fundit për përdhosje të dekreteve të tyre dhe emrat e atyre që do të vriten për të njëjtin motiv. "Kontrollojnë gjithçka përmes radios", thotë një qytetar i Suatit, që nuk ka preferuar ta thotë emrin e tij, nga frika se mos e vrasin talebanët. "Të gjithë njerëzit janë të detyruar të dëgjojnë".

Vëmendja ndërkombëtare vazhdon të jetë e fokusuar te talebanët, të cilët qeverisin hapësirat tribale gjysmë-autonome të Pakistanit, nga ku përgatisin edhe sulme kundër ushtarëve amerikanë në Afganistan. Për Pakistanin është e papranueshme të humbasë luginën e Suatit. Në krahasim me zonat e tjera tribale më të izoluara, Suati, një hapësirë tokësore e banuar nga 1.3 milionë banorë, ka një të kaluar kulturore shumë të pasur, është një zonë që i përket Pakistanit. Pas një vit luftimesh, tani pothuajse e gjithë zona është nën kontrollin e talebanëve: ky është depërtimi i tyre drejt Lindjes. Duke e forcuar edhe më shumë pushtetin e tyre, talebanët kanë marrë në dorë kontrollin e një pjese të konsiderueshme të Pakistanit dhe po i detyrojnë banorët vendas të bëjnë një interpretim të ngurtë të islamit: po shumëfishojnë numrin e prerjes së kokave dhe dënimet për të vdekur në publik, po përdorin një shtypje të ashpër sociale dhe kulturore, pavarësisht keqtrajtimit të grave në këtë vend, i cili dikur ishte i pavarur, relativisht laik, i mbjellë me fruta dhe famëmadh për kërcimtaret e tija.

Vitin e kaluar, vetëm në Suat u janë prerë kokat, janë rrahur e vrarë në mënyra të ndryshme mbi 70 agjentë policie dhe 150 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Këtë informacion e ka bërë të ditur Malik Naveed Khan, inspektor i përgjithshëm i policisë për provincën e kufirit veriperëndimor. Policët janë aq të terrorizuar, saqë, për të mos rrezikuar jetën, shumë prej tyre kanë bërë njoftim në gazetë për dorëheqjen zyrtare nga shërbimi. Farooq Khan, një agjent i Mingorës, qyteti më i madh i luginës, ku gjenden vazhdimisht koka të prera të policëve dhe njerëzve të thjeshtë - kishte vendosur ta vazhdonte shërbimin, por muajin e kaluar, teksa po bënte pazar në një qendër tregtare, u qëllua me automatik nga disa persona të maskuar që po udhëtonin me një motoçikletë dhe vdiq në sy të të gjithë njerëzve. "Gjithmonë thoshte: ‘Duhet të qëndroj dhe të mbroj tokën tonë‘", pohon sot vëllai i tij, duke treguar një foto në celular.

Sipas mendimit të disa analistëve dhe ekspertëve, ankthi që vazhdon të rritet në Suat është shembulli i problemeve që trazojnë vendin: një qeveri e paaftë dhe indiferente, e cila u bashkohet forcave të sigurisë dhe atyre militare, që sipas batakçinjve pakistanezë, e kanë pranuar me dëshirë thellimin e terrorit në vendin e tyre. Kriza e vazhdueshme është shndërruar në një bankë prove kyçe për qeverinë e Asif Ali Zardari dhe sistemet e sigurisë, besnikëria e së cilave mund të vihet në diskutim. Për t‘u bërë ballë akuzave, kohët e fundit qeveria e Zardarit i ka kritikuar ashpër "tentativat hezituese për të tërhequr ekstremistët nga zona" dhe ka premtuar se do të pengojë militantët "që po vrasin barbarisht qytetarët tanë". Por, me rritjen e presionit, Presidenti ka bërë të ditur para pak ditësh se qeveria do të jetë e gatshme të bëjë marrëveshje me militantët që do të pranojnë autoritetin e saj.

Nga intervistat me funksionarë të ndryshëm të qeverisë pakistaneze, të ushtrisë dhe politikës, rezulton se sot, në luginën e Suatit lëvizin pa u shqetësuar nga 2000 deri në 4000 guerilierë talebanë të armatosur. Burime konfidenciale kanë deklaruar se ushtria pakistaneze numëron 12000-15000 trupa në Suat, që, sipas banorëve të zonës dhe liderëve politikë, qëndrojnë brenda kampeve të tyre dhe nuk do të ishin në gjendje të patrullonin zonën, apo të tregonin më denjësisht që mund të sfidojë, ose të dekurajojë militantët. Nga ana tjetër, ushtria nuk i ka vënë ende në zbatim inkursionet dhe kontrollet në një fshat të vogël që, sipas asaj që tregojnë banorët e vendit, njihet si lagjja e talebanëve në Suat. Gjithashtu, nuk rezulton që ushtarët të kenë shkatërruar dhe të kenë nxjerrë jashtë përdorimit radiot e montuara nëpër motoçikleta, ose makina që Shan Doran dhe liderët e talebanëve në Suat i kanë përdorur me qëllim për të terrorizuar banorët. Po t‘u përmendej emri në një listë të zezë, qytetarëve nuk u mbetej gjë tjetër përveç dy alternativave: të zhdukeshin nga Suati, ose t‘u pritej koka në mes të fshatit.

Sado që ushtarët përpiqen të veprojnë, po e tregojnë se nuk janë të përgatitur për këtë lloj operacioni. Taktika e tyre e preferuar është ajo që të hedhin bomba në zona të ndryshme, duke i bërë kështu më shumë dëme popullsisë civile se sa militantëve. Në disa zona të qytetit, popullsia vendase ka vendosur t‘i luftojë talebanët. Megjithatë, në Suat progresi i lëvizjes, pavarësisht pranisë së fortë të ushtrisë, ka bindur shumë njerëz se ushtarët kanë bërë ndonjë marrëveshje me ekstremistët. "Mënyra me të cilën arrijnë të marrin kaq shumë armë është vërtet e çuditshme", thotë Muzaffar el-Milk Khan, parlamentar i Suatit, të cilit së fundmi militantët islamikë i kanë shkatërruar shtëpinë. "Popullsia lokale është e lodhur, e sfilitur dhe nëse do të mundej, do t‘i ekzekutonte një nga një talebanët", shton Naveed Khan, agjent policie. "Fatkeqësisht talebanët janë aq të dhunshëm, saqë askush nuk guxon t‘u bëjë ballë. Nëse gjithë kësaj lufte nuk do t‘i vihet një kufi, atëherë ata do të hyjnë në zona të tjera të Pakistanit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›