E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajden: Kemi trashëguar një situatë kaotike

Xho Bajden, zëvendëspresidenti i ri i SHBA-së, ka dhënë intervistën e tij të parë për rrjetin televiziv CBS në Amerikë, që kur mori këtë post të martën e kaluar. Bajden, një ish-senator me përvojë në politikën e jashtme, ka folur për shumë nga çështjet që shqetësojnë sot imazhin e Amerikës, mes të cilave dy luftërat dhe mbyllja e burgut famëkeq të Guantanamos. Bajden thotë se të gjithë të burgosurit e burgut famëkeq do të kthehen në vendet e tyre të origjinës, ndërsa nuk arrin të mohojë se në Kabul "priten" ende shumë viktima.

Zoti zëvendëspresident, me një zgjedhje simbolike javën e shkuar, Presidenti Barak Obama ka thënë se ka ndërmend ta mbyllë Guantanamon brenda fundit të vitit. Por brenda atij burgu ka persona me të vërtetë të rrezikshëm. Shumë senatorë e kanë shtruar këtë problem. Mund t‘i çojnë këta persona në burgjet e SHBA-së, ku pastaj një gjykatës duhet të vendosë dhe nëse nuk ka prova të mjaftueshme kundër tyre, atëherë mund të qëndrojnë këtu në SHBA.

Atëherë pyetja është kjo: Çfarë do të bëjnë me ta Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Para së gjithash, asnjë nga këta persona nuk do të qëndrojë në SHBA, sepse askush, përveçse njërit, nuk është qytetar amerikan. Guantanamoja do të mbyllet dhe pikë. Këta persona do të ndiqen penalisht nga gjykatat amerikane, në gjykatat ushtarake, ose do të dërgohen në vendet e tyre.

Por disa vende thonë se nuk do t‘i pranojnë?

Është e vërtetë, megjithatë do t‘i vlerësojmë rast për rast. Po përpiqemi të kuptojmë se çfarë ka atje brenda. Mbajtja hapur e Guantanamos, imazhi i tij famëkeq dhe pasojat në botë, nuk tregoi gjë tjetër, veçse bëri që terrorizmi të zhvillohej akoma më shumë dhe jo të luftohej.

Ju sapo jeni kthyer nga disa zona të botës, më të prekurat nga terrorizmi, si Afganistani, Pakistani, Iraku. Dy javë më parë një aeroplan, ku piloti nuk ishte amerikan, sulmoi një grup të armatosur të Al-Kaedës në territorin pakistanez. Presidenti i mëparshëm e kishte autorizuar CIA-n dhe Forcat e Armatosura amerikane të godisnin edhe përtej kufirit. Obama do të bëjë të njëjtën gjë?

Nuk mund të flas për një sulm specifik. Por, mund të them se Presidenti i SHBA-së ka thënë gjatë fushatës elektorale dhe në debate se nëse ka një objektiv të nivelit të lartë, si për shembull Al-Kaeda, nuk do të hezitonte të reagonte dhe ta përballonte. Por kam edhe një lajm të mirë. Në udhëtimin tim të fundit, kam qenë shumë herë në Pakistan, kam gjetur një bashkëpunim të madh me ushtrinë pakistaneze në ato zona tribale, si për shembull Warizistan, për të cilat thuhet gjithmonë se nuk mund të qeverisen dhe se drejtohen nga terroristët. Pikërisht aty fshihen të këqijtë, njerëzit e Al-Kaedës. Tani ajo që po bëjmë, është se po punojmë me Pakistanin për të rritur kapacitetin e forcave të tij antikryengritëse dhe kemi arritur një marrëveshje për t‘i kontrolluar më mirë lëvizjet e terroristëve përmes kufirit me Afganistanin.

Megjithatë, ju keni thënë se në Afganistan gjërat kanë për t‘u përkeqësuar akoma më shumë, derisa në fund të rregullohen?

Është e vërtetë.

Çfarë do të thotë kjo?

Ajo që ka ndodhur është shkaktuar, nuk dua të them nga neglizhenca, por nga dështimi për t‘u furnizuar me burime ekonomike, politike dhe ushtarake të mjaftueshme, si dhe nga dështimi për të arritur një politikë koherente me aleatët, ekonomikisht, politikisht e ushtarakisht. Situata është përkeqësuar shumë, talebanët kontrollojnë një pjesë të mirë të vendit, madje edhe zonat që më parë nuk i kontrollonin. Kjo është pika e parë. Pika e dytë është se 95 për qind e prodhimit botëror të opiumit vjen nga Afganistani. Kemi nevojë të trajnojmë policinë lokale, policinë kombëtare, forca te të cilat kemi besuar verbërisht në Irak, madje edhe në Bosnjë. Por, korrupsioni është shumë i madh dhe ka përfshirë çdo sferë të jetës aty. Disa nga aleatët tanë që duhej të trajnonin këto forca nuk e bënë. Me pak fjalë trashëguam një situatë kaotike.

Si mund të dilet nga e gjithë kjo?

Para së gjithash duhet të fitojmë terren atje ku kemi humbur. Për këtë kemi nevojë për ushtarë të tjerë. Do të shumëfishojmë forcat për stërvitjen e policisë dhe ushtrisë afgane. Kjo do të thotë që do ta "angazhojmë" armikun shumë më tepër që tani e në vazhdim.

Prisni humbje të mëdha?

Nuk e them me qejf, por mendoj se do të jetë kështu. Do të ketë edhe humbje. Komandanti në Afganistan më pati thënë: "Xho, do ta çojmë punën deri në fund, por duhet të përballemi me armikun dhëmbë për dhëmbë".

Si mendoni se është situata tani në Irak?

Duke përdorur një metaforë futbollistike, jemi në mes të fushës, por duhet të hymë në zonë. Ndërsa tani vjen edhe pjesa më e vështirë. Shtimi i numrit të trupave ka funksionuar. Ushtria jonë ka bërë gjithçka që i kemi kërkuar. Ajo që ngelet për t‘u përfunduar është pajtimi politik i Irakut. E kam thënë shumë herë, se para së gjithash duhet vendosur nëse Iraku duhet të ketë një sistem federal, apo një qeveri të fortë qendrore. Irakianët po diskutojnë për këtë zgjedhje. Këtë vit do të ketë zgjedhje të rëndësishme lokale dhe kombëtare. Qëllimi përfundimtar është që të mbërrijmë në një "pajtim" politik mes sunitëve, shiitëve, kurdëve, turkomanëve dhe arabëve. Të gjithë së bashku. Progres ka, por kemi nevojë për një kthim pas. Në fund të fundit ka ndodhur e njëjta gjë në Amerikë. E nisëm me sistem federatash dhe shtete shumë të forta, pastaj krijuam Kushtetutën dhe një qeveri qendrore mjaft të fortë. Gjërat kështu shkojnë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›