E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmon dhimbjen në Facebook, studentja në Angli mbytet në Liqen

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 01-07-2011 10:59

Tiranë- Pak orë para se të zhytej drejt vdekjes në Liqenin Artificial, ka lënë si dëshmi të dhimbjes, statusin e saj në “Facebook”. “Delirium tremens” ishin fjalët e fundit të Sheila Omurit, 22-vjeçares që u gjet e mbytur në ujërat e liqenit, në orët e para të mëngjesit të së martës. Fjalët e saj në Facebook përshkruajnë simptomat e kllapisë haluçinante, që njerëzit përjetojnë gjatë përpjekjeve për të lënë alkoolin ose drogën, ndërkohë që Policia e Tiranës po heton depresionin si shkak të vetëmbytjes së Omurit. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se trupi i 22-vjeçares u gjend mëngjesin e së martës në Liqenin Artificial, pas njoftimit nga disa kalimtarë të rastit, që e kanë parë atë. Forcat e policisë mbërritën në vendngjarje, duke nxjerrë nga uji trupin e pajetë të 22- vjeçares, e cila më pas u identifikua si Sheila Omuri. Menjëherë pas nxjerrjes së trupit nga uji, ai u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku në bazë të të dhënave paraprake rezulton se Omuri është vetëmbytur në ujërat e Liqenit, në kushte të rënda depresioni. Nga ana e saj, Policia e Tiranës është duke vijuar hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat që çuan 22- vjeçaren drejt vetëmbytjes. Përveç prindërve të saj, në pyetje janë marrë dhe miqtë, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë parë shenja të veçanta tek ajo, të cilat mund të jepnin idenë se po planifikonte vetëvrasjen tragjike. Nga ana tjetër, efektivët e policisë janë duke hetuar të gjitha pistat e mundshme, por dyshimet kryesore të ardhura dhe pas verifikimeve të ekspertizës ligjore, janë fokusuar në vetëmbytjen e saj në kushte të rënda depresioni. Mësohet se Sheila Omuri prej disa vitesh jetonte të Angli, ku edhe ka kryer studimet. Ajo ishte kthyer pak kohë më parë në Shqipëri. Ndërkohë, në bazë të hetimeve të kryera deri më tani nga Policia e Tiranës, mësohet se gjatë kohëve të fundit 22-vjeçarja kishte shfaqur shenja depresioni. Të paktën kështu thuhet në dëshmitë e të afërmve të vajzës së kthyer nga Anglia, e që i dha fund jetës duke u vetëmbytur. “Ne jemi ende në proces hetimi të shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë, por ekspertiza mjeko-ligjore ka arritur në përfundimin se 22-vjeçarja është vetëmbytur, duke përjashtuar të gjitha dyshimet e tjera”, - pohojnë për “MAPO”-n burime nga Policia e Tiranës. Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve që e çuan Sheila Omurin drejt vetëmbytjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›