E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, çështjet e "nxehta" që dominojnë këtë verë

ELBASAN- Prokuroria Elbasan ndodhet në stinën e “nxehtë” të trajtimit të disa çështjeve penale. Sipas kryeprokurorit Elvin Gokaj gjatë kësaj periudhe kanë dominuar çështjet penale që kanë të bëjnë me falsifikimin e pronave, me mbivendosjet, vjedhjet, krimin ordiner etj. “Në proces hetimor kemi rastin e një noteri nga Librazhdi, i cili akuzohet se ka falsifikuar disa prona dhe duke kryer veprime në kundërshtim me ligjin. Kanë qenë vetë qytetarët e Librazhdit ata që e denoncuan dhe tashmë ai është nën procedim penal”. Por Gokaj veçon rastet e trafikut të drogës, të cilat kanë qenë mjaft të shpeshta nga fillimi i vitit. “Nga janari e deri më tani policia dhe sektori përkatës i luftës kundër narkotikëve ka përfunduar disa operacione. Në prokurori kanë nisur çështjet penale për rreth 40 shtetas, ndaj të cilëve rëndon akuza e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”. Nga seria e këtyre operacioneve spikasin rastet e kapjes së sasive të vogla të lëndëve narkotike dhe shumë më pak i rasteve të trafikantëve të mëdhenj, çfarë presupozon se droga në Elbasan ose kalon transit ose qarkullon për përdorim të brendshëm.

Një nga proceset e suksesshme të kësaj vere ka qenë edhe dhënia e dënimit për rreth 30 nëpunës të administratës nëpër njësi vendore, të cilët kishin abuzuar me ndihmën ekonomike. “Ata u dënuan me gjoba që variojnë nga 1.5-2-2.5 milionë lekë të vjetra. Megjithatë, raste të tjera kemi nën hetim”, nënvizon kryeprokurori.

Nën hetim është edhe rasti i dhunimit të varreve të teqes së bektashinjve. “Kemi nisur një proces penal për këtë rast, bazuar në kallëzimin e kryer nga drejtues të fesë bektashiane në Elbasan. Ne do të hetojmë se kush i dha lejet e ndërtimit, nëse janë respektuar procedurat ligjore dhe se ku përfunduan eshtrat e tre baballarëve të kësaj teqeje”.

Ndërkohë, prokuroria Elbasan ka nën hetim edhe disa dosje të vjetra për abuzime e korrupsion, për krime të rënda, si vrasje, trafiqe etj. Prokurori i Elbasanit veçon bashkëpunimin e mirë që ka me policinë. F.S

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›