E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmorët shqiptarë, luftëtarë dhe artistë

Prej 40 vitesh ka rendur nëpër Shqipëri, ka rrëmuar në jetët e dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare dhe ka gjetur gjithë sa ka mundur: letra, ditarë, poezi, tregime, vizatime gjithashtu. Aty gjen piktura të Jordan Misjes, vizatime të Vojo Kushit, por edhe të Qemal Stafës, nota violine, të hedhura në pentagram nga vetë ai, ashtu siç gjen copëza ditari të Margarita e Kristaq Tutulanit, letra drejtuar nënës, poezi e tregime gjithashtu...

Mehmet Gëzhilli, botues i "Argeta LMG", prej thuajse një jete i është kushtuar përmbledhjes së veprimtarisë së dëshmorëve, anës personale të jetës së tyre. Ai kujton se në vitin 1968-‘69, me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të atdheut, Ministria e Mbrojtjes kishte menduar të realizonte një libër kushtuar dëshmorëve. Asokohe ishte student ushtarak i vitit të parë. I vjen në mendje shkrimtari Resul Bedo, i cili punonte në ushtri dhe mbulonte kulturën. Ai mblodhi rreth 50 studentë, duke shtuar idenë që të angazhoheshin në grumbullimin e materialeve për të realizuar një libër të denjë për dëshmorët, në përvjetorin që po vinte. "Nga të gjithë këta studentë mbeta vetëm unë e Fluturak Gërmenji, ndërsa në krye kishim Resul Bedon. Më pas u shtuan edhe dy ushtarë që ishin marrë me letërsi, shkrimtari Ilinden Spasse (djali i Sterio Spasses) dhe Petrit Bezhani. Ne kërkuam nëpër të gjithë Shqipërinë. Grumbulluam aq shumë materiale, sa nga një libër u bënë dy të tillë. Vëllimet u shtypën në Republikën e Kinës. U titulluan ‘Yje të pashuar‘. Pas kësaj përgatita edhe dy vëllime të tjera, të cilat filluan të shtypeshin në Shqipëri", thotë Gëzhilli, i cili pas këtyre librave vazhdoi t‘i kushtohej personalisht grumbullimit të materialeve, të dhënave e detajeve nga jeta e dëshmorëve, gjithçka ata kishin krijuar. "Që nga koha kur isha student edhe më pas në shtypin e kohës, kam publikuar shumë materiale nëpërmjet rubrikave të ndryshme. Çdo të diel, në gazetën ‘Zëri i popullit‘ botoja fotografi ose piktura prej dëshmorëve, në gazetën ‘Drita‘ dhe ‘Nëntori‘ botoja rubrikën ‘Krijime të dëshmorëve‘, kurse në revistën ‘Ylli‘, për çdo numër mbaja dy deri në katër faqe me relike dhe objekte të dëshmorëve me titullin ‘Mikro Muzeu‘. Më vonë, në vitin 1979 u botua një përmbledhje e titulluar ‘Letrat e Dëshmorëve‘, ndërsa në vitin 1980 u botua libri ‘Pena e partizanëve‘ me krijimtarinë e 27 dëshmorëve", vazhdon më tej ai. Mehmet Gëzhilli kujton shumë mirë se gjithë sa pasqyrohej në shtypin e kohës, lexohej prej kryetarit të Akademisë së Shkencave të kohës, profesor Aleks Buda. "Ndodhesha në Përmet me detyrë ushtarake dhe nëpërmjet telefonit më kishin njoftuar se prof. Aleksi më kërkonte në Akademinë e Shkencave. U befasova. E takova ditën që më kishte kërkuar. Ai më priti së bashku me profesor Anastas Dodin. Profesor Aleksi më pyeti se ku i gjeja unë dorëshkrimet e dëshmorëve dhe se çfarë kisha konkretisht? Kisha arritur të grumbulloja materiale për pesë vëllime, të cilat i kisha përmbledhur në një titull të përbashkët ‘Luftëtarë dhe artistë‘. I thashë se vëllimi i parë titullohej ‘Poezia e dëshmorëve‘, i dyti ‘Proza e dëshmorëve‘, i treti ‘Letra të dëshmorëve‘, i katërti ‘Ditar dëshmorësh‘, ndërsa i pesti ishte përmbledhje me vizatime, qëndisma, fotografi, punime artistike bërë nga dëshmorët. Më kujtohet se Aleks Buda u entuziazmua kaq shumë sa iu drejtua menjëherë prof. Anastasit, duke i thënë: ‘Caci, do ta botojmë në kolanën ‘Trashëgimia kulturore e popullit tonë‘...", tregon Gëzhilli. Ai ende nuk e ka lënë pas dore këtë punë të nisur në rini. Më tej, vazhdon duke treguar se e kishin trembur disi fjalët e akademikut Buda dhe i ndrojtur i pati thënë se pesë vëllime kushtojnë shumë. Atëherë ai iu përgjigj: "Mos ki merak djalë, letrën, piktorët, shtypshkronjën më të mirë do ta gjejmë për ata djem". Mehmeti kthehet në Përmet. Nis të rishikojë veprën dhe në kohën kur gjithçka ishte gati, ndodhi që profesor Aleks Buda, u paralizua, e më pas ndërroi jetë. Pas kësaj, pesë vëllimet nuk u botuan asnjëherë të plota. Sot, rreth 40 vite më pas, vepra është gati. E pasuruar, sigurisht. Ai ka arritur të mbledhë rreth 3 mijë faqe dorëshkrime, ku përmblidhet krijimtaria e më se 300 autorëve të ndryshëm, dëshmorë të Luftës Nacionalçlirimtare, një krijimtari unike në llojin e vet. "Këtu gjendet i gjithë shpirti i derdhur në poezi, letra, ditarë, vizatime shumë të thjeshta, por mjaft të sinqerta dhe cilësore. Ata asnjëherë nuk kishin menduar se këto materiale do të mblidheshin e do të botoheshin". E gjithë vepra e sistemuar tashmë pritet të dalë në botim. E përmbledhur ajo do të jetë si një udhërrëfyes i një periudhe të caktuar, që i përket Luftës Nacionalçlirimtare. Në një kohë kur të bëje art e letërsi nuk ishte mendimi kryesor për të gjithë të rinjtë që iu kushtuan lirisë. Kolana e plotë, e cila për arsye financiare nuk po e shikon dritën e botimit, është një panoramë e përmbledhur e vlerave artistike të dëshmorëve shqiptarë, një "zbërthim" i anës njerëzore të tyre, të cilët ne i njohim dhe i nderojmë vetëm si luftëtarë.

Misto Mame

Hero i Popullit (1921-1942)

E dashur nënë!

Aq shumë më ka marrë malli për ju, për farefisin, për gjithë fshatarët dhe për gurët e drurët e Erindit, sa që shpeshherë mendoj të nisem më këmbë e të vij aty...

Dërgomë, e dashur nënë, dërgomë pak dhe ose një copë gur të portës, ta kem këtu, të çmallem me të...

Ah, Atdhe!...

Kristaq Tutulani (1919-1943)

Flini të qetë o dëshmorët e kombit, flini të qetë, atje ku ju nderojnë bashkëqytetasit, flini të qetë se qëllimi për të cilin dhuruat jetën tuaj u realizua e kujtimi juaj u shenjtërua.

Flini të qetë ju... mburrja jonë e shembull i përjetshëm për djalërinë, flini të qetë, se të gjithë nderojnë kujtimin tuaj.

E kush nuk lavdërohet për trimërinë tuaj. E kush nuk preket kur kujton me mburrje fjalët tuaja të fundme, kur mitralozat kërcisnin kundra jush:

Rroftë Shqipëria!

Rroftë flamuri kuqezi!

(Nga fjala para popullit të Beratit në ditën e Shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1935. Kristaqi ishte 15 vjeç)

Margarita Tutulani

Heroinë e Popullit (1924-1943)

...Të gjithë jemi betuar para flamurit se do të derdhim gjakun tonë, djersën tonë, të gjitha ç‘kemi për të fituar lirinë e lumturinë.

Maj 1943

Shejnaze Juka

Heroinë e Popullit

Po më duket më e bukur se kurrë Firenza sonte, po më ringjall gjithfarë kujtimesh; po më kujtohet Shkodra e hyjnueshme ndër kso netësh magjistare kur hana u kunorëzue prej yjeve të pambarim, pasqyruet në liqenin tonë...

(Nga përshkrime kur ndodhej për studime në Firence të Italisë, 1940)

Perlat Rexhepi

Hero i Populli (1918-1942)

Një Pushkin dua të bëhem,

Një Majakovsk padyshim,

Si Migjeni dua të ngrihem

Si gojëmbli Naim.

Shekspir dua të arrij në dramë,

Enrik Hajne në poezi,

Si Alegeri me famë

Shqipërisë t‘thur lavdi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›