E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështimet e Shqipërisë në Gjykatën e Strasburgut

Nëse do t‘i bësh një skaner të vërtetë problemeve të shumta që ka sistemi ynë i drejtësisë, mjafton t‘u hedhësh një sy vendimeve të Gjykatës së Strasburgut për çështjet shqiptare. Në shumicën e tyre, shteti shqiptar, ka humbur dhe ka paguar, madje fare lehtë. Vetëm vitet e fundit, qytetarët shqiptarë deri më tani të dorëzuar përballë hermetizmit korruptiv të drejtësisë, kanë mësuar se ka edhe një institucion tjetër madhor, ku mund të kërkojnë drejtësi; ajo është Gjykata e Strasburgut. Shumicën e çështjeve që kanë përfunduar në favor të qytetarëve në gjykatën europiane janë ato të pronave dhe arsyeja dihet se përse. Dëmi financiar, deri tani, llogaritet në 1.5 milionë euro dhe pritet të jetë disa herë më i madh në vitet në vazhdim, nëse fitojnë çështjet që janë në radhë për gjykim. Pjesa më e madhe e çështjeve të shqyrtuara janë humbur nga shteti ynë dhe kjo kushton jo vetëm shumë para, por edhe një situatë implikuese për drejtësinë tonë në sy të ndërkombëtarëve. Por cilat janë çështjet më të njohura shqiptare që kanë përfunduar në Gjykatën e Strasburgut? Aktualisht janë 39 dosje, për të cilat vendimet pritet të shpallen në ditët në vazhdim nga Gjykata e Strasburgut, e cila ka konfirmuar zyrtarisht se ka mbaruar shqyrtimin e tyre. Po kështu në të njëjtën fazë ndodhen edhe dosjet "Grori" dhe "Mishgjoni". Edhe çështja e gjykimit dhe dënimit të Dritan Dajtit për vrasjen e biznesmenit Agim Beqja, është në shqyrtim e sipër. Ndërsa dosjet e fundit për të cilat shteti shqiptar është penalizuar janë "Dauti", "Hamzaraj" dhe "Xheraj".
Dosja "Hajdari"
Ankimi në Strasburg i tre të dënuarve për vrasjen e liderit demokrat Azem Hajdari ka mbërritur rreth katër vjet më parë, menjëherë pasi u konsumuan të gjitha rrugët ligjore të kësaj çështjeje në Shqipëri. Të tre të akuzuarit, me ankime të veçanta, kërkojnë pafajësi, duke pretenduar se nuk janë autorë të krimit, për të cilin kanë marrë: Mulosmani burg të përjetshëm, Izet Haxhia 25 vjet dhe Ismet Haxhia 20 vjet burg. Gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje, shtetit shqiptar iu desh të dërgonte një gjykatës "ad hoc", (për këtë rast). Kjo për shkak se gjykatësi i emëruar nga qeveria shqiptare, Ledio Bianku, hoqi dorë nga gjykimi i çështjes për faktin se gjatë kohës që punonte në Tiranë ishte shprehur publikisht në lidhje dosjen. Në mënyrë që të shmangte çdo keqkuptim apo dyshim për njëanshmëri në këtë çështje, ai hoqi dorë, ndërsa qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, caktoi gjykatësin durrsak, Markelian Koçi.
Dosja "Grori"
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg dënoi për herë të parë Shqipërinë me gjobë, jo për çështje pronash, por për moskrijimin e kushteve për mjekimin e sëmundjes dhe mosdërgimin në Spitalin e Burgut të të dënuarit me burgim të përjetshëm, Arben Grori. Sipas vendimit të datës 7 korrik 2009, që mban numrin e aktit 553, Gjykata e Strasburgut dënoi Shqipërinë me 15 mijë euro gjobë. Këto para do t‘i jepen të dënuarit Grori, nga të cilat 8 mijë euro do të përfitojë si dëme jofinanciare dhe 7 mijë euro për shpenzimet e procesit në Strasburg. Sipas një vendimi të zbardhur kohët e fundit nga sekretaria e kësaj gjykate, shteti shqiptar dënohet për tri shkelje të rënda të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut ndaj të dënuarit me burgim të përjetshëm. "Shtatë gjyqtarët që shqyrtuan ankimin, pasi shqyrtuan dokumentet dhe vendimet e depozituara nga palët, mbrojtja dhe shteti shqiptar vendosën në mënyrë unanime se ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës në lidhje me trajtimin e papërshtatshëm mjekësor të Arben Grorit gjatë mbajtjes në burg; shkelje të nenit 5/1 të Konventës në lidhje me arrestimin e Grorit nga 15 maji 2002 e deri më 29 dhjetor 2003, si dhe shkeljen e nenit 34 që lidhet me vonesën e qeverisë për të zbatuar urdhrin e Gjykatës së Strasburgut për ta shpërngulur të dënuarin Grori në një Spital Civil, pasi institucionet e vuajtjes së dënimit dhe Spitalit të Burgut nuk i plotësonin kushtet për mjekimin e tij, thuhet në vendim.
Çështjet
Zyra e Përfaqësuesit Ligjor për Gjykatën e Strasburgut ka nisur të veprojë që prej vitit 1999 në vendin tonë, kur edhe u vendos pranë Ministrisë së Jashtme. Kjo zyrë përbëhet nga përfaqësuesi i shtetit dhe dy juristë. Nga viti 1999 deri më sot janë dërguar nga shteti shqiptar 146 çështje, nga të cilat Gjykata e Strasburgut ka pranuar të shqyrtojë 76. Kjo Gjykatë ka dalë me 17 vendime, nga të cilat shteti ynë është ndëshkuar në 9 prej tyre. Dënimet kanë qenë si financiare ashtu edhe legjislative. Pavarësisht shumave financiare, vërejtjet thelbësore që Gjykata e Strasburgut ka bërë ndaj shtetit shqiptar kanë qenë me një rëndësi të veçantë edhe për anën legjislative, duke kërkuar në radhë të parë përshtatjen e Konventës Europiane me ligjet shqiptare.
Pronat, shteti humb miliona lekë
Dështimi shqiptar në Gjykatën e Strasburgut për çështjen e pronave duket se ka alarmuar qeverinë, aq sa të miratonte zhvendosjen e zyrës nga Ministria e Jashtme tek Avokati i Shtetit. Në të vërtetë, pronat janë çështja më delikate që ka shqetësuar shtetin shqiptar, gjatë përballjeve të tij me Gjykatën e Strasburgut, ndërsa dëmi financiar, deri më sot, llogaritet në 1.5 milionë euro. Pjesa më e madhe e çështjeve të shqyrtuara janë humbur nga shteti ynë dhe kjo humbje kushton jo vetëm shumë para, por edhe një situatë të vështirë në politike. Deri më sot, në Strasburg, janë 22 ankesa për çështje pronësie, kundër shtetit shqiptar. Nga këto, vetëm 4 kanë dalë me një vendim të prerë, ndërsa të tjerat janë në proces shqyrtimi. Por veçanërisht çështja e pronave i ka shkaktuar Shqipërisë një humbje të konsiderueshme të prestigjit ndërkombëtar, pasi, sipas shumë gjasave, edhe çështjet e tjera të ngjashme që janë në shqyrtim, do të dalin me të njëjtin rezultat negativ për qeverinë shqiptare.
Dosja e ish të përndjekurve
Edhe ish të përndjekurit politikë i janë drejtuar Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg, për të kërkuar të drejtat e tyre legjitime, "të cenuara nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që pezulloi ligjin e lustracionit". "Jemi thellësisht të zhgënjyer dhe të irrituar nga vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese. Pas këtij vendimi ne mbetemi i vetmi vend në Europë që nuk është ndarë ende nga krimet e diktaturës komuniste dhe nuk ka hapur dosjet e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit", thuhet në deklaratën e përbashkët të shoqatave të ish të përndjekurve politikë. Ish të përndjekurit njoftuan se një grup avokatësh, ndër më të njohurit në vend, kanë përgatitur padinë që do të ngrihet në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, pasi, sipas tyre "me të drejtat legjitime të ish të përndjekurve nuk mund të tallet askush".

Po. Ho

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›