E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimi 4 milionë euro, në gjykatë Indrit Aliu

Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet për supermashtruesin Indrit Aliu. Sipas kërkesës për gjykim, 25-vjeçari ka mashtruar 9 shoqëri dhe individë të ndryshëm, me një vlerë rreth katër milionë euro. Burime nga akuza e kryeqytetit thanë se janë rreth 10 kallëzime për Aliun, të cilat janë hetuar bashkërisht, ndërsa dosja e tij ka shkuar në Gjykatën e Tiranës, ku edhe është regjistruar. Ai ka vepruar në Tiranë deri në mesin e muajit mars të këtij viti dhe më pas është larguar nga Shqipëria përmes pikës së kalimit kufitar të Qafë-Thanës. Prokuroria tha se në total ka marrë dhjetë kallëzime nga të dëmtuarit e mashtrimeve të Indrit Aliut, nga të cilët nëntë janë kompani biznesi dhe padia e dhjetë është bërë nga një individ. Skema e mashtrimit në të gjitha rastet ka qenë thuajse e njëjtë, nënshkrimi i kontratave për mallra apo shërbime, premtimi se shumat do të likuidoheshin brenda pak ditëve dhe më pas zhdukja pa gjurmë e Indrit Aliut. Sipas akuzës, ai ka hyrë ndërmjetës në tenderë rrugësh, ndërtime shkollash e veprash publike, ndërsa ka marrë automjete dhe kompjuterë nga kompanitë private, duke nënshkruar kontrata fiktive për blerjen e shërbimeve. Pasi premtonte shlyerjen e detyrimeve financiare, Indrit Aliu zhdukej pa lënë gjurmë. Viktimat e tij janë përpjekur të kontaktojnë me biznesmenin, që kishte krijuar kompaninë "Dejs" për koperturë në aktivitetin e tij të vërtetë.

Hetimet në liri
Hetimet e Prokurorisë së Tiranës për Indrit Aliun janë realizuar në mungesë, pasi i kërkuari është larguar nga Shqipëria në momentin që ndaj tij janë regjistruar në polici dhe prokurori kallëzimet e para. Gjurmët e fundit të Indrit Aliut janë hasur në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës, më 16 mars 2009, tri ditë pas denoncimeve të para ndaj tij në prokurori dhe polici. Për shkak se denoncimet po verifikoheshin, policia ende nuk e kishte shpallur në kërkim biznesmenin e dyshuar, i cili edhe pse kishte vjedhur me mashtrim rreth 4 milionë euro, arriti të largohej i qetë nga Shqipëria, duke përfituar edhe nga mosfunksionimi i sistemit të kontrollit TIMS në pikën tonë kufitare. Duke iu referuar të dhënave, organi i akuzës thotë se arratisja e 16 marsit 2009 ka qenë lëvizja e fundit e Indrit Aliut. Sipas të dhënave të policisë dhe prokurorisë, i kërkuari për vjedhjen e 4 milionë eurove dyshohet se ka ikur në Turqi, ndërsa më pas itinerari i tij mbulohet me mister. Viktimat e të akuzuarit si supermashtrues, pasi janë vënë në dijeni të hetimeve, kanë nxituar të denoncojnë në polici dhe prokurori episodet e detyrimeve financiare që Indrit Aliu ka ndaj tyre.

Skema
Prokuroria po heton rolin e biznesmenit Indrit Aliu në ndërtimin dhe rikonstruksionin e disa shkollave dhe rrugëve në Tiranë e Elbasan, pas të dhënave që implikojnë të dyshuarin edhe në këto raste. Gjatë aktivitetit të tij, Aliu ka nënshkruar kontrata, duke futur në veprim kompanitë që harxhonin paratë e tyre me premtimin se do likuidoheshin. Por, pas kryerjes së punimeve, i dyshuari zhdukej duke shkaktuar humbje të mëdha financiare për biznesmenët që i kishin besuar. Disa nga të dëmtuarit e Indrit Aliut pohojnë se ai zhvillonte takime të ndryshme në organet e pushtetit lokal dhe në ministri, duke premtuar tenderë dhe aktivitete të tjera për biznesmenët në këmbim të përfitimeve të paligjshme ndaj tyre. Pas rritjes së numrit të personave të dëmtuar, prokuroria u kërkoi të dhëna hipotekave, bankave të nivelit të dytë dhe zyrave të tatim-taksave, me qëllim identifikimin e pronave dhe pasurive të Indrit Aliut. Prokuroria ka bllokuar disa prona të tij, apartamente dhe zyra në Tiranë, të cilat do të bllokohen, me qëllim për t‘u përdorur për zhdëmtimin e bizneseve të mashtruara nga personi i shpallur në kërkim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›