E Shtunë, 31 Tetor 2026

Institucionalizimi ndërkombëtar i krizës politike

Projekt-rezoluta e Këshillit të Evropës mbi
krizën politike në Shqipëri ka rikthyer debatin mbi institucionalizimin
ndërkombëtar të krizës politike dhe nevojën e zgjidhjes urgjente të saj.
Projektraporti i jep shanse opozitës të gjejë një rrugëzgjidhje për kërkesat e
saj, ndërkohë që përqendron shpresat tek autoriteti i Presidentit të Republikës

Mero Baze*

Kriza politike shqiptare është kthyer tani në
një axhendë të institucioneve evropiane. Projektraporti i Këshillit të Evropës,
mbi gjendjen e institucioneve demokratike në Shqipëri e përshkruan Shqipërinë
në prag të destabilizimit dhe bën thirrje për një zgjidhje urgjente të krizës
politike.

Projektraporti pritet ti propozojë
Parlamentit të këshillit të Evropës, të ngrihet një Komision hetimor për
zgjedhjet e 28 Qershorit, të fuqizohet roli i Presidentit Topi si negociator
dhe të hapet kështu rruga për rikthimin e opozitës në parlament.

Pavarësisht mënyrës se si qeveria po reagon
ndaj kësaj projekt-rezolute, është e sigurt se ajo është ndjerë keq nga fakti
se kriza politike, të cilën Berisha ka dashur ta injorojë, tani është kthyer në
axhendë të institucioneve më të rëndësishme politike evropiane.

Kjo natyrisht është një goditje për mënyrën se
si Berisha ka dashur të anashkalojë këtë krizë, duke u marrë me elementë
anësorë dhe duke personalizuar betejën me liderin e opozitës. Tanimë Berisha ka
dy rrugë.

E para të pranojë projekt-rezolutën dhe të
ulet në bisedime me zotin Rama, dhe e dyta të nisë miliona euro në adresë të
lobistëve të vet dhe të ndryshojë projekt-rezolutën në sesionin e parlamentit
që mbahet javën e ardhshme. Rruga e parë, do të ishte më dinjitoze, pasi do ti
rikthente autoritetin e humbur politikës shqiptare dhe do ta shpëtonte vendin
nga një përplasje, e cila mund tu kushtojë rëndë të gjitha palëve.

Rruga e dytë, ajo e aktivizimit të milionave
të zeza për të lobuar kundër projekt-rezolutës në Stasburg, do të mund ti japë
Berishës ndonjë koncesion të përkohshëm, por do ta acarojë dhe më keq krizën
politike këtu. Rekomandimet e grupit të reporterëve, të cilat fokusohen te
gjetja e gjuhës së përbashkët dhe roli i forcuar i presidentit Topi, janë
rekomandime që kanë të bëjnë me krijimin e një demokracie funksionale në vend
dhe rikthimin e autoritetit të institucioneve.

Duke parandjerë rrezikun e mosdëgjueshmërisë
nga politika shqiptare, reporterët e Këshillit të Evropës kanë parashtruar dhe
hapat e tjerë që mund të ndërmerren në rast të mosfunksionimit të propozimit të
tyre. Ata propozojnë dërgimin në Shqipëri të kryetarëve të grupeve parlamentare
respektive, popullorë dhe socialistë, më pas kryetarët e gjithë grupeve
parlamentare dhe në fund fare vetë kreun e Këshillit të Evropës me grupin e
reporterëve.

Nëse situata shkon deri këtu, atëherë kriza
politike shqiptare do të hyjë në spiralen e axhendës evropiane dhe kostoja
sidomos për qeverinë do të rritet dhe më shumë. Është në interes të saj ta
zgjidhë atë, pa e kthyer në plan pune të komunitetit ndërkombëtar, njësoj si
krizën e vitit 1997.

(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet janë
personale

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›