Dështimi i Reformës Zgjedhore, shtyhet afati edhe për tre muaj
PS e PD, kanë rënë dakord që të shtyjnë edhe tre muaj punën e komisionit
TIRANË- Ashtu si edhe pritej, Komisioni parlamentar i Reformës Zgjedhore do të shtyjë afatin e punës së tij edhe për tre muaj të tjerë. Kjo është konfirmuar dje nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, si dhe nga bashkëkryetari socialist i komisionit, Kastriot Islami, ndërkohë që, një ditë më parë, shtyrja u paralajmërua nga përfaqësuesit e partive të vogla në komision. Gjatë komunikimeve të ndryshme me median, Patozi dhe Islami, përveçse kanë bërë të ditur shtyrjen e afatit të komisionit me tre muaj, kanë paraqitur edhe qëndrimin e tyre mbi nevojën e kryerjes së reformës brenda muajve që vijnë. "Unë besoj se ka nevojë për një shtyrje afati, duke pasur parasysh punën e bërë deri tani",- është shprehur kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Ndërkohë, bashkëkryetari socialist i komisionit, Kastriot Islami shprehet se, reforma zgjedhore mund të ndikojë edhe në rrezikimin e ftesës së vendin tonë për anëtarësim në NATO, duke qenë se ajo përbën dhe një nga reformat më të rëndësishme, përfshirë edhe atë në sistemin e drejtësisë, që duhet të përmbushë vendi ynë përpara Samitit të Bukureshtit. "Ftesa për në NATO mund të rrezikohet, duke qenë se reforma zgjedhore është një nga reformat më të rëndësishme",- thekson deputeti i PS-së. Megjithatë, sipas tij, nëse ka vullnet dhe arrihet konsensusi mes palëve, muajt e mbetur janë mëse të mjaftueshëm për të realizuar reformën. Përsa i përket shtyrjes së afatit të komisionit, bashkëkryetari socialist Islami pohoi se, për këtë çështje ai ka biseduar dhe ka rënë dakord me bashkëkryetarin demokrat, Ilir Rusmali, por edhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. "Kam qenë në biseda me bashkëkryetarin dhe Kryetarin e Parlamentit, për një shtyrje afati të komisionit",- është shprehur dje për mediat, Kastriot Islami. Përgjatë tre muajve që kaluan, anëtarët e komisionit të posaçëm nuk kanë mundur të realizojnë me sukses asnjë prej pikave të reformës zgjedhore, përfshirë këtu edhe atë të sistemit zgjedhor, ndonëse çështja e sistemit ka mbizotëruar në diskutimet e komisionit. Sot përfundon zyrtarisht mandati tremujor i komisionit, por përfaqësuesit e partive politike nuk kanë rënë dakord ende për sistemin zgjedhor që do të aplikohet në zgjedhjet e vitit 2009, ndërkohë që të vegjlit dhe të mëdhenjtë duket se kanë qëndrimet të kundërta për çështjen në fjalë.