Pranga në Kukës Dan Hutrës, vrau gruan në Tiranë
Ai është prangosur në autobusin e linjës Durrës- Kukës pas një informacioni të marrë nga policia në rrugë operative
KUKËS- Arrestohet në Kukës 25- vjeçari që pak ditë më parë ka masakruar të shoqen me thikën e bukës në një banesë në kryeqytet. Dan Riza Hutra,është prangosur rreth orës 14:00 të ditës së djeshme në afërsi të fshatit Shëmri të rrethit të Kukësit. Arrestimi i tij u krye pa ndonjë rezistencë në autobusin e linjës Durrës-Tiranë, ku i shumëkërkuari Hutra po udhëtonte në drejtim të fshatit tij të lindjes Kalimash. Menjëherë pas krimit ai është nisur me masa tepër të rrepta sigurie në drejtim të kryeqytetit.
***
Burime nga policia kriminale e komisariatit e Kukësit pohuan dje se arrestimi i Dan Hutrës ka ardhur si rezultat i të dhënave të grumbulluara në rrugë operative. Hetuesit kishin zbuluar se pas vrasjes ai ishte larguar nga Tirana në Drejtim të fshatit të tij të lindjes, Kalimash. Pas marrjes së këtyre të dhënave, agjentë të policisë kriminale kanë mbajtur nën vëzhgim të rreptë të gjithë të afërmit e Hutrës në fshatin Kalimash. Të gjitha lëvizjet e të afërmve të tij janë përgjuar nga ana e policisë. Dëshmitarë nga fshati Kalimash i kanë bërë të ditur policisë se kishin parë Dan Hutrën në fshat ende pa u bërë publik krimi që ai kishte kryer. Por ata kanë sqaruar se nga dita kur ishte shpallur në kërkim, nuk e kishin parë më Hutrën në fshat por kishin dëgjuar se ai ishte kthyer sërish në Tiranë. Nga hetimet është mësuar se ai ka marrë disa sende personale në kryeqytet dhe është nisur sërish për në fshatin e tij.
***
Mëngjesin e së shtunës policia ka marrë informacione se Dan Hutra ishte nisur përsëri drejt Kukësit. Menjëherë në aksin rrugor Kukës-Fushë-Arrës janë instaluar dhjetëra forca policie kryesisht të veshur civilë. Policia ka kaluar në sitë të gjitha automjetet në kërkim të Dan Hutrës, por në asnjërin prej tyre ai nuk është gjendur. "Shpresonin te autobusët, pasi personat në kërkim zgjedhin kryesisht mjetet e transportit publik, pasi ato nuk i nënshtrohen kontrolleve të shpeshta për të mos bezdisur pasagjerët. Agjentë të veshur civilë kanë qenë si pasagjerë në disa prej autobusëve që kanë qarkulluar në aksin rrugor Kukës-Tiranë",- thanë burimet e policisë së Kukësit. Sipas tyre, njëri prej agjentëve ka hipur si pasagjer në autobusin e linjës Durrës-Kukës, në fshatin Lajthizë të rrethit të Pukës. Ai ka identifikuar Dan Hutrën, i cili po udhëtonte në këtë autobus. Ndërkohë që nga identifikimi i të kërkuarit, automjete private me policë civilë të armatosur, kanë mbajtur nën vëzhgim të rreptë autobusin për rreth 20 kilometër, nga Lajthiza deri tek kthesat pa arritur në fshatin Shëmri. Në këtë vend kanë qenë të stacionuar dhjetëra forca policie me uniformë dhe civilë, ku shumica e tyre kanë qëndruar të fshehur.
***
Policia ka ndaluar fillimisht autobusin me pretekstin e një kontrolli rutinë për drogë e armë. Pasagjerët janë detyruar që të zbresin një nga një dhe në momentin kur Dan Hutra po dilte nga dera e autobusit, policia i ka vënë prangat pa i lënë mundësi të bëjë rezistencë. Gjatë kontrollit, Dan Hutrës nuk i është gjetur asnjë armë. Ai është transportuar menjëherë në qelitë e komisariatit të Kukësit, dhe më pas është nisur në drejtim të kryeqytetit, nën masa tepër të rrepta sigurie.