E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk është nacional-socializëm

• Koço DaneÇfarë është e majta nacionaliste? Eshtë ajo një nevojë dhe imperativ për zhvillimin e kombit shqiptar? Eshtë ajo një domosdoshmëri për evropeizëm dhe integrim të kombit shqiptar në familjen evropiane? Eshtë ajo një garanci e paqes dhe stabilitetit të Ballkanit? Apo është një ...variant i nacional-socializmit të Hitlerit? Duhet pranuar apo duhet refuzuar?Pyetjet e shtruara kanë dhënë dhe përgjigjet sipas njerëzve, shtresave dhe mentaliteteve të njerëzve. Po analizojmë një prej tyre. Sipas disave, e majta nacionaliste shqiptare nuk është asgjë tjetër, veçse një variant i zbutur i nacional-socializmit të Adolf Hitlerit. Dhe meqë është kështu, atëherë duhet refuzuar sepse është e dështuar. Për partizanët e këtij mendimi mjafton formulimi i tezës e majta nacionaliste, mjafton krahasimi i saj me ndonjë origjinal të hershëm për ta asgjësuar si tezë. Në rastin konkret mjafton krahasimi me nacional-socializmin e Hitlerit për ta refuzuar. Por a kanë të drejtë? Nuk kanë të drejtë. Partizanët e krahasimit midis të majtës nacionaliste shqiptare dhe nacional-socializmit hitlerian janë të larmishëm edhe midis tyre. Një pjesë atakojnë të majtën nacionaliste duke u nisur nga dogmat e mësuara dikur apo tani, duke u nisur nga klishetë shekullore, sipas të cilave mjaftojnë vetëm disa traktate për të shpjeguar dukuritë dhe fenomenet e secilit vend. Prandaj edhe bien në gabime kur barazojnë të majtën nacionaliste shqiptare me nacional-socializmin. Fjalët e njëjta nuk janë apriori teza të njëjta dhe mendime të njëjta. Fshehur pas nocioneve integrim, globalizëm, sot në mjedise politike, mediatike evropiane etj., ekziston një realitet përçmimi dhe racizmi demokratik. Baza e tij është fakti i thjeshtë se ata që nuk janë bashkuar me njëri-tjetrin nuk mund të japin asnjë lloj kontributi si komb në familjen e madhe evropiane. I vetmi kontribut i tyre është ai i banorit të këtij apo atij shteti të Evropës dhe kontributi i zjarrfikësit. Partizanët e krahasimit të së majtës nacionaliste me nacional- socializmin kudo ku jetojnë, e ndiejnë këtë frymë përbuzjeje. Ja disa shembuj të thjeshtë: Shembulli i parë: Janë me mijëra shqiptarë në Tiranë që e ndiejnë këtë përbuzje përballë kangjellave të ftohta raciste të konsullatave të huaja dhe nëpunësve të tyre. E ndiejnë përditë dhe çdo vit. Por çfarë është kjo ftohtësi? Eshtë shprehja më tipike e qëndrimit ndaj atij që nuk bën dot veten e tij. Janë kangjellat e atyre që kanë mbajtur një ligjëratë apo një deklaratë një ditë, një muaj, një vit apo një dekadë më parë në Tiranë apo në Bruksel. Shembulli i dytë: Para disa kohësh, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë mori vendim për të kufizuar përdorimin e Flamurit Shqiptar nga shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre dhe në shtetin jo të tyre në Maqedoni. Çfarë bënë shqiptarët pas kësaj fyerje nacionale? Asgjë, përveç një beteje mediatike neveritëse të disa partive politike shqiptare. Por çfarë bëri ultra-nacionalizmi maqedonas? Ai u trimërua dhe disa ditë më pas bëri një masakër ndaj shqiptarëve në fshatin Brodec. Thelbi i saj ishte se, Ju shqiptarët mund të jetoni me neve vetëm si qytetarë të dorës se dytë, ndryshe do të ketë përsëri Brodec. Por çfarë bënë shqiptarët? Disa politikanë të tyre vazhduan luftën mediatike, ndërsa dhjetëra-mijëra të tjerë varrosën të vrarët e masakrës. Protestë mortore! Shembulli i tretë: Janë me dhjetëra variante të artikuluara mbi të ardhmen e përkohshme të Kosovës. Që nga Hong-Kongu deri tek Ishujt Folkland afër Argjentinës. Përse? Për të kënaqur 6 për qind të qytetarëve të saj. Eshtë hartuar një plan që i jep këtij 6 përqindëshi më shumë se 24 për qind territori. Eshtë hartuar një Plan që i jep këtij 6 përqindëshi të drejtën e gjuhës dhe flamurit në të gjithë territorin e Kosovës. (Ndërsa në Maqedoni për 25 për qind të qytetarëve nuk lejohet as flamuri dhe as gjuha shqipe. Por asesi deri tani nuk ka zgjidhje. Ai që është pakicë vazhdon të kërkojë shumë e më shumë. Ndërsa ai që është shumicë vazhdon të marrë pak dhe më pak. Dhe megjithatë, direktivat e Brukselit kërkojnë që shqiptarët të tërhiqen akoma, të presin akoma deri në shkurt, deri në mars etj., etj. Po shqiptarët çfarë bëjnë? Ata protestojnë duke mos marrë pjesë në zgjedhje në masën 60 për qind. Pranimi dhe përqafimi i të majtës nacionaliste do të ndikojë fuqishëm në ndryshimin e kësaj situate fyese dhe përçmuese. Shumica e shqiptarëve në Tiranë, Tetovë apo Prishtinë e dinë tashmë këtë gjë. Por ata janë të pafuqishëm ta pranojnë dhe  përqafojnë atë për shkak të tundimit të madh që ka jeta individuale dhe të privacioneve që ka jeta e kombit shqiptar. Për shkak të Politikës dhe Diplomacisë së Lodhjes që është ushtruar mbi ata përgjatë një shekulli. Kësisoj, kjo pafuqi nuk na shfaqet hapur, por rreket të fshihet pas gjoja krahasimit me nacional-socializmin hitlerian. (Domethënë ne jemi dakord me këtë pozitë të pafavorshme të kombit shqiptar, por meqë platforma e ofruar për bashkimin e tij ngjan me nacional-socializmin e Hitlerit, e refuzojmë. Prandaj më mirë të përçarë, më mirë banorë, më mirë komb i pabërë sesa hitlerianë). Eshtë një justifikim i dobët, një mbulesë prej pëlhurë të tejdukshme, por gjithsesi është një justifikim i pafajshëm. Nuk shkon më tej sesa justifikimi. Kjo shtresë është vetëm refuzuese dhe jo më tepër. Me një Politikë më Duruese ajo mund të shndërrohet nga Refuzuese në Aderuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›