Ditari i Azem Hajdarit: Ditët e para të PD
Procesverbali i mbledhjeve të PD-së së sapokrijuar. Debatet për mënyrën e të bërit opozitë dhe vështirësitë finaciare
Qëndrimi i Berishës për Ramiz Alinë, zgjedhja e kryetarit dhe përjashtimi i Shenasi Ramës
TIRANË- Në ditët e para të krijimit të saj, në dhjetor të vitit 1990, Partia Demokratike nuk i ka shpëtuar dot debateve mes anëtarëve të Kryesisë së parë të saj dhe as përjashtimeve të para nga radhët e saj. Dokumenti i procesverbaleve të para të këtyre mbledhjeve, i cili mban firmën e një prej themeluesve të Partisë Demokratike, Azem Hajdarit hedh dritë pikërisht mbi këto debate dhe përjashtime, të panjohura më parë për opinionin publik. Ky dokument, i cili mund të konsiderohet si ditari sekret i atyre ditëve të para kur Partia Demokratike sapo ishte krijuar, nis të shkruhet në datën 19 dhjetor 1990, pas njohjes zyrtare të pluralizmit, regjistrimit të PD-së në Ninistrinë e Drejtësisë, atëherë kur nisin dhe mbledhjet e rregullta të Komisionit Nismëtar të partisë. Sipas procesverbaleve të bëra dje për herë të parë publike nga emisioni "Exclusive", përgjithësisht mbledhjet zhvilloheshin një herë në ditë, por edhe dy herë në ditë në Qytetin Studenti, ndërsa diskutimet regjistroheshin në një protokoll. Ky protokoll fillon me mbledhjen e 19 dhjetorit, ku jepen idetë e para për statutin e PD, organizimin e strukturave, konferencat e shtypit, marrëdhëniet me mediat e huaja, selinë e partisë, por edhe detaje për telefona dhe fatura financiare. Ky dokument dëshmon se, ndihmat e para u dhanë nga studentët. "Si do të bëhet likujdimi i faturave?", pyet një prej anëtarëve të komisionit, ndërsa një tjetër përgjigjet se: "Do të na sjellim ndihma studentët". Që në mbledhjen e dytë, komisioni vendosi, sipas protokollit, të kërkojë shtyrjen e datës së zgjedhjeve, lirimin e të burgosurve politikë dhe ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve. Sipas këtij dokumenti, një nga pikat më të nxehta të debatit brenda kryesisë së sapokrijuar ishte përcaktimi nëse Partia Demokratike do të ishte opozitë politike ndaj PPSH-së. Ky debat është zhvilluar në datën 23 dhjetor të vitit 1990 dhe nis me një deklaratë të Sali Berishës e vijon më pas me një deklaratë të Eduart Selamit, sipas së cilit, përcaktimi opozitë vjen nga përmbajtja. Në një kohë që kishte anëtarë që mendonin se, fjala opozitë duhej përdorur, por jo në një shkallë të gjerë. Kishte të tjerë që ishin të mendimit se duhej përdorur zyrtarisht opozitë, pasi rreziku kryesor ishte që PD-ja të mos pranohej si e tillë, por si derivat i frontit.
Qëndrimi ndaj Ramiz Alisë
Një tjetër debat mes anëtarëve të Kryesisë së parë të PD-së dhe që pasqyrohet në dokumentin e sipërpërmendur, është qëndrimi që duhet të mbante PD-ja ndaj Ramiz Alisë. Në këtë debat, Eduart Selami shprehet se, duhet të kihet kujdes qëndrimi ndaj Ramiz Alisë, pasi ai ka teserë dhe është President, ndërsa Sali Berisha nuk është dakord që t'i bëhet thirrje për të ikur nga partia. "Presidenti është besnik i Kushtetutës. Ai nuk e braktis. Ne nuk e pranojmë kandidaturën e tij për President pas zgjedhjeve, se është Sekretar i Partisë. Kjo burokraci, armik kryesor ka Ramiz Alinë",- shprehet Berisha, ndërsa anëtarë të tjerë, si Arben Meçe, vlerësojnë mbledhjen e Alisë dhe mendojnë se roli i tij nuk ka mbaruar. Në ditarin sekret të PD-së pasqyrohen dhe kritikat për disa drejtues kryesorë të partisë, si Berisha dhe Pashko, që flasin në emër të partisë dhe kritikat e para janë hedhur nga Rexhep Uka.
Zgjedhja e kryetarit
Në procesverbalin prej 200 faqesh përshkruhen me detaje të gjitha mbledhjet, diskutimet dhe rrethanat të më të vështira pranë PD-së edhe gjatë muajve të parë të vitit 1991. Një e tillë është situata e shkurtit 1991, kur Kryesia voton për kryetarin e ri, për të cilin kandiduan: Aleksandër Meksi, Genc Ruli, Azem Hajdari dhe Merita Zaloshnja. Sipas dokumentit të panjohur më parë, Aleksandër Meksi zgjidhet kryetar me shtatë vota më 12 shkurt të vitit 1991. Por, me kërkesë të Sali Berishës, Arben Imamit dhe Preç Zogajt, votimi për kryetar nuk do t'i lihej më kryesisë së PD-së, ku Meksi mori 7 vota. Kur Berisha propozoi Azem Hajdarin, pak ditë pas krijimit të Komisionit Nismëtar të PD-së, pati kritika që kryetarin e zgjedh një forum që është zgjedhur nga aktivi i partisë dhe konkretisht nga Kryesia. Kryesia që kishte zgjedhur Meksin, nuk kishte mandatin e aktivit. Nisur nga kjo logjikë, brenda 48 orëve mblidhet aktivi që zgjedh kryesinë e re, në përbërje të së cilës u zgjodhën anëtarë që ishin përkrahës të Berishës. Aleksandër Meksi i nënshtrohet sërish votimit në Kryesinë e re, ku kandidon Berisha, Meksi, Hajdari dhe Pashko. Numri i votave të dy kandidatëve Meksi dhe Hajdari ishte 9, i barabartë me numrin e votave të Berishës. Zërat për një balotazh u shuan shumë shpejt dhe Berisha u zgjodh kryetar i PD-së, më 14 shkurt 1991.
Pjesë nga protokolli i mbledhjeve të para të PD
1-
Një nga pikat më të nxehta të debateve brenda kryesisë, ishte përcaktimi i PD-së nëse do të ishte opozitë politike ndaj Partisë së Punës. Debati mban datën 23 dhjetor dhe fillon me deklaratën e Berishës
Një anëtar:
Saliu ushtron problemin që jemi në opozitë, sepse i takon kuptimit filozofik.
Eduart Selami:
Përcaktimi opozitë vjen nga përmbajtja. Është i partisë sonë.
Berisha
Unë mendoj që, taktikisht, jo në shkallë të gjerë, ta përdorim.
Anëtar:
Këtu nuk ka shkallë të gjerë, zyrtarisht duhet thënë opozitë, sepse rreziku kryesor, që të mos e pranojnë si opozitë, por si derivat i frontit.
2-
Diskutimi për qëndrimin që duhet të mbajë PD ndaj Ramizë Alisë
Eduart Selami:
Ju më kërkuat të them rroftë Ramiz Alia! Ta diskutojmë. Unë e quajta gabim sepse nuk mund ta mohoj rolin e Ramiz Alisë, por pozicioni i Ramizit është i dyfishtë. Është pikë kyçe. Sa kohë ka teserën, është President dhe Sekretar i Partisë së Punës. Duhet të kemi kujdes.
Sali Berisha:
Kam një vërejtje. Nuk jam dakord t'i bëhet thirrje për të ikur nga Partia. Presidenti është besnik i Kushtetutës. Ai nuk e braktis. Ne nuk e pranojmë kandidaturën e tij për President pas zgjedhjeve se është Sekretar i Partisë. Kjo burokraci, armik kryesor ka Ramiz Alinë.
Disa nga anëtarët vlerësojnë në këtë mbledhje rolin e Ramiz Alisë dhe mendojnë se roli i tij nuk ka mbaruar. Mes tyre Arben Meçaj.
3-
Debati rreth problemeve në funksionimin e Komisionit Nismëtar dhe bien në sy kritikat për disa drejtues kryesorë që flasin në emër të partisë. Në një debat të tillë, kritikohet përdorimi i unit nga Berisha dhe Pashko. Kërkohet që ata të mos flasin në emër të partisë pa pyetur kryesinë dhe që të evitohen fjalimet që përmbajnë mendimet personale. Kritikat e para janë hedhur nga Rexhep Uka.
Rexhep Uka
Unë s'kam asnjë mendim të keq për asnjë, dhe për atë që erdhi sot me ne. Nuk kam asgjë, më asnjërin. Në terminologjinë e dikurshme, është përdorur uni, jo fjala ne. Për Saliun unë kënaqem. Ky uni nuk na shkon. Edhe Gramozi ka folur me unin.
Më 24 dhjetor, në ambientet e PD-së afrohet edhe Rama. Sipas procesverbalit, një gazetar i "Rojter" pyet, përgjigjet Berisha dhe më pas Rama citohet në disa rreshta.
Gazetari i "Rojter":
Po në lidhje me qëndrimin ndaj PPSH-së, që është për pluralizmin në kushtet e marksizëm-leninizmit?
Sali Berisha:
Ne nuk shohim dallim substancial në veprimtarinë e Partisë së Punës së Shqipërisë.
Edi Rama:
Nuk jam politikan. Si artist, si mbështetës i PD-së, duke pasur parasysh që është opozitare, nuk jam dakord. Ku është tribuna për të shprehur mendimet. PPSH nuk do të ndryshojë qëndrim në këtë rrugë. A do dështojë PD në shtyrjen e zgjedhjeve?
4-
Më 4 janar 1991 kryesia bëri një nga mbledhjet më të gjata, në të cilën diskutoi rreth qëndrimeve dhe kritikave të Shenasi Ramës, si individ drejtues në PD, që kanë lidhje me Shërbimin Sekret dhe regjimin komunist. Në procesverbal janë 13 faqe me debat, që përfundon me propozimin për përjashtimin e tij nga partia. Por, në fakt, Shenasi Rama kishte dhënë, sipas procesverbalit, vetë dorëheqjen më parë.
Azem Hajdari
Ti, mirë bëre që dhe dorëheqjen vetë. Çështja shoqërore dhe shqiptarët, kanë dy gjëra të ndryshme. Në Shkodër nuk ke punuar mirë. Në Lidhjen e Shkrimtarëve je mirë.
Një anëtar:
T'i ke treguar veten. Ti si anëtar i komisionit nuk ke kryer asnjë detyrë.
Sali Berisha:
Ramiz Alinë e kam takuar më 12 gusht me 40 mjekë. Zonja dhe Shenasiu më kanë thënë që kam qenë mjek i Enver Hoxhës. Shenasiu ngutet shumë. Sapo është krijuar Partia Demokratike.
Shenasi Rama:
Njerëz demagogë si Sali Berisha. Premtimet e bëra nga Partia Demokratike u lanë përgjysmë. PD-ja, që me krijimin e saj nuk ka bërë asnjë premtim. Ke një të metë të rëndësishme. Ke një anarshi në veten tënde.
Sali Berisha:
Bëj autokritikë që e kam futur në komision.
Arben Imami:
Propozoj të përjashtohet nga PD. Provokacion, shpifje për drejtimin e PD. Aprovojmë kërkesën e tij për largimin nga Komisioni Nismëtar.
Shenasi Rama, është i pari anëtar kryesie që u përjashtua nga Kryesia e PD-së.