E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e energjisë, Fieri hidhet në protestë

Qytetarët e Fierit protestuan dje në mbrëmje ndaj gjendjes aktuale në vend
FIER- Qytetarët e Fierit protestuan mbrëmë në qendër të qytetit, për problemet kryesore që shqetësojnë vendin. Fillimisht ata janë mbledhur para teatrit "Bylis" dhe më pas kanë përshkruar rrugën kryesore deri në sheshin "Fitorja" të këtij qyteti, duke mbajtur në duar banderola me parulla të ndryshme. Ka qenë një protestë e organizuar nga dega e Partisë Socialiste e Fierit, e cila i ka bërë thirrje qytetarëve fierakë, që të dalin në shesh për të protestuar për krizën që po kalon vendi. Në tubimin e organizuar me këtë rast, përveç drejtuesve kryesorë të Partisë Socialiste dega Fier, morën pjesë edhe deputetët e Fierit, Petro Koçi, Albert Caci, si dhe kryetari i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj. Në këtë tubim kishte ardhur gjithashtu Kryetari i Asamblesë së PSSH, Gramoz Ruçi. Ky i fundit ka folur për politikën e Sali Berishës, që e ka varfëruar më shumë popullin. "Sot protestojmë kundër errësirës, duke i thënë ndal qeverisë së errësirës së Sali Berishës. Ai na premtoi në Janar, drita 24 orë, hidrocentrale, energji nukleare dhe ja ku jemi sot në një errësirë totale. Prandaj, të thërrasim të gjithë "Sali gënjeshtari"! Qeveria e tij ka shtuar më shumë rritjen e papunësisë, shtimin e varfërisë dhe e ardhmja jonë nuk është peng i politikës së vjetër, e cila ka realizuar vetëm kriza",- tha Ruçi. Më pas, protestuesit janë nisur në drejtim të sheshit "Fitorja" duke mbajtur në duar qirinjtë e ndezur, duke hedhur në të njëjtën kohë edhe parulla të ndryshme kundër varfërisë, shtimit të errësirës, papunësisë etj. Në fund, protestuesit janë shpërndarë qetësisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›