Enciklika për Bujqësinë, 30 mijë ha e paregjistruar
Enciklika e PS për Bujqësinë, paraqet një panoramë të gjerë të situatës së bujqësisë në vend
TIRANË- Partia Socialiste ka publikuar dje të plotë Enciklikën për Bujqësinë, e hartuar pas turit që kreu i PS-së, Edi Rama zhvilloi në të gjithë vendin dhe diskutoi me fermerët shqiptarë për problemet e tyre. Në këtë dokument një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe reformës së tokës, ku thuhet se, si rezultat i reformës së tokës, deri në fund të vitit 2006 është privatizuar rreth 563 696 ha tokë, ose 98,9% e sipërfaqes së planifikuar për ndarje, dhe janë dhënë dokumentet e pronësisë për 550 600 ha tokë, ose 97,6% e tokës së ndarë. Sipas dokumentit, nga fondi gjithsej i tokës bujqësore (699 423 ha) nuk janë privatizuar 110 584 ha, nga ish-sektori kooperativist dhe 25 143 ha nga ish-sektori shtetëror, gjithsej 135 727 ha, ose 19,4% e fondit të tokës bujqësore. Ndërkohë, sipas informacioneve të PS-së, ndarja e tokës në shkallë vendi ka shkuar në rreth 565 000 ha. Në Enciklikën për Bujqësinë theksohen dhe një sërë problemesh që kanë të bëjnë me reformën e pronësisë, si zgjidhja e konflikteve, ku ka ende rreth 25 mijë ha tokë në konflikte; përfundimi i dhënies së tapive, ku ka rreth 30 mijë ha tokë të pa pajisur me tapi; përfundimi i kalimit në pronësi të tokës që është dhënë në përdorim, sipërfaqe që ndodhen kryesisht në zonën bregdetare dhe zonat brenda vijave të verdha; mungesa e një gjykate të specializuar për zgjidhjen e konflikteve të tokës: përfundimi i reformës, zvarritjes që prodhon abuzim dhe korrupsion. Përsa i përket papunësisë në fshat, socialistët kanë arritur në konkluzionin se, është një fenomen i vazhdueshëm dhe kronik, duke qenë se gjatë periudhës së tranzicionit nuk është trajtuar apo analizuar asnjëherë ky fenomen. Në këtë dokument theksohet se, ndonëse për 17 vite me radhë në të gjitha programet elektorale flitet për nxjerrjen e fshatit nga varfëria, situata çdo ditë shkon drejt përkeqësimit dhe rreth 70 për qind e ta pazënëve me një punë të përhershme, në shkallë vendi, janë me orgjinë nga fshati. "Faktori i papunësisë është ai që detyron mjaft banorë të fshatrave shqiptarë që të migrojnë vazhdimisht, brenda dhe jashtë vendit",- një tjetër konkluzion në të cilin ka arritur kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë dialogut të zhvilluar për bujqësinë. Përsa i përket fragmentimit të tokës, në Enciklikën e Partisë Socialiste theksohet se, tregu i tokës bujqësore është ende i pazhvilluar dhe ndonëse ka zmadhim të fermave, paralelisht ndodh edhe fragmentimi i mëtejshëm i pronës për arsye të ndarjeve brenda familjes. Lidhur me përdorimin e tokës bujqësore, është arritur në konkluzionin se, ajo nuk punohet në rreth 40 për qind të fondit të saj të përgjithshëm, në një kohë që, theksohet se, kuadri ligjor për mbrojtjen e tokës është plotësuar që në vitin 2005 dhe mbetet i paplotësuar.
Migracioni në fshat:
Papunësia në këtë sektor mbetet një nga plagët më të rënda dhe faktor kryesor i varfërisë që detyron njerëzit të migrojnë vazhdimisht, brenda dhe jashtë vendit.
70 për qind e ta pazënëve me një punë të përhershme në shkallë vendi janë me orgjinë nga fshati
Problemet lidhur me reformën:
Zgjidhja e konflikteve. Ka ende rreth 20 000-25 000 ha tokë që është me
konflikte
Ka akoma rreth 30 000 ha tokë që nuk është pajisur me tapi
Toka bujqësore
Lidhur me përdorimin e tokës bujqësore, është arritur në konkluzionin se, ajo nuk punohet në rreth 40 për qind të fondit të saj të përgjithshëm.