Dështimi i Shqipërisë gjermane
Historiani amerikan, Bernd J. Fischer, shqyrton rishtas veprën "Shqipëria gjatë luftës, 1939-1945". Ai konfirmon se pushtimi nazist nuk ishte aspak tradicional dhe, nga ana tjetër, përgatiti ngritjen e Enver Hoxhës dhe të komunistëve
Gjermanët hynin në Shqipëri në vjeshtën e parë të '43-shit dhe pak besonin se do ta fitonin luftën. Por, po pushtonin një vend që nuk e njihnin. Çfarë politike do të ndiqej në një vit e pak pushtim, që nuk ishte aspak një pushtim tradicional?
Historiani amerikan, Bernd J. Fischer, në konferencën e djeshme në Tiranë, me temë "Synimet e Gjermanisë Naziste në Shqipëri, 1943-1944", tha se nuk ka sjellë asnjë dokument që të përbëjë lajm për historianët shqiptarë (apo për të përditshmet që, sipas mënyrës së tyre, u intereson lufta). Me hapjen e disa arkivave pasi libri i tij ishte botuar (viti 2000), ai ka rishqytuar materialin, i ka bërë një kontroll më të kujdesshëm dhe për këtë u është referuar arkivave amerikane, arkivave të Uashingtonit. Sepse procesi i shkrimit të historisë është për Bernd Fischer-in "një proces in continuum". Në këtë mënyrë, ky historian mendjekthjellët kërkon ta ndriçojë të vërtetën në vazhdimësi.
Ku qëndron e reja? Tek periodizimi që i bën ai politikës gjermane në një vit pushtim, konkretisht i asaj politike që u ndoq nga afër nga Hermann Neubacher, përfaqësuesi i Ribbentropit për Europën Juglindore dhe përfaqësues i Hitlerit në Ballkan për çështjet ekonomike. Qysh në shtator të '43-shit do të vinte në Tiranë për të shënuar nisjen e zbatimit të politikave të pushtimit, "një pushtim i çuditshëm", që sugjeronte Shqipëri të pavarur dhe asnjanëse. Fischer-i pohon se faza e parë kishte për qëllim krijimin e aparatit qeveritar, duke bashkëpunuar me klasën e politikanëve dhe intelektualëve vendas.
Shqipëria do të udhëhiqej nga një regjencë, në të krye të së cilës u vendos Mehdi Frashëri, një figurë shumë e rëndësishme, portretin e të cilit Fischer-i e skicon me dashuri, dhe diku e quan "hidhërimi i Neubacher-it". Frashëri kërkon që të njihet asnjanësia e plotë e Shqipërisë, por Neubacher pranon asnjanësinë "relative" dhe sovranitetin "relativ".
Krejt ndryshe nga fryma e mbajtjes së krahut të njërës palë apo pale tjetër, siç ka ndodhur dhe ndodh në historiografinë shqiptare, Fischer-i shpreh respekt për intelektualët dhe nacionalistët që, duke u ndodhur dhe duke u afruar pranë politikës së pushtuesit, kishin për qëllim të bënin më të mirën. Për rastin e Mehdi Frashërit u referohet shpjegimeve që kishte dhënë në një pamflet të botuar në Tiranë për detyrën që kish marrë përsipër: druante se mos qëndresa ndaj gjermanëve dhe konflikti në ashpërsim e sipër midis Ballit Kombëtar dhe Lëvizjes Nacionalçlirimtare, mund ta dobësonte Shqipërinë deri në atë pikë sa të bëhej pre e shteteve fqinje.
"Çdo grup u afrua me gjermanët në emër të nacionalizmit. Roli i autoriteteve vendore ishte shumë i rëndësishëm. Gjermanët ishin të kujdesshëm për të zgjedhur figura vendase, me të cilët mund të punonin", - shpjegon Fischer-i. "Dhe këta ishin njerëz që kishin brenda zemrave të tyre dëshirën për më të mirën e Shqipërisë. Gjithë përpjekja e autoriteteve lokale ishte që të shpëtonin çfarë mund të shpëtohej. Nacionalistët përfaqësonin "the old tradition" dhe ata donin të ndalonin masakrat që kishin ndodhur në vende të tjera. Kurse për sa i përket anës së tyre politike, ajo ishte e gjitha në disfavor të tyre".
Ajo që Fischer-i e quan faza e dytë e vendimeve të Neubacher-it, kishte të bënte me rimëkëmbjen e ekonomisë, reformën agrare dhe krijimin e një force ushtarake. Asnjë nga këto pika të programit nuk funksionoi mirë dhe "këtu shoh zbehjen e politikës paqtuese të Gjermanisë". Po ashtu, edhe përpjekja për të përfshirë shqiptarët si trupa ndihmëse nën komandën e gjermanëve, gjë që nuk përputhej me pavarësinë relative të Shqipërisë, nuk funksionoi siç pritej.
"Krijimi i divizionit të SS "Skanderbeg" në Kosovë, i ekspozoi gjermanët për atë që ishin, pra, pushtues, kurse pavarësinë e Shqipërisë si fasadë. Në këtë mënyrë, edhe politikanët kolaboracionistë po humbitnin përkrahjen e njerëzve", - theksoi dje historiani amerikan.
Megjithatë, deri në gjysmë të pushtimit, Shqipëria prodhoi pak fanatikë të nazizmit. E ndërsa ky i fundit u ndesh me hezitimin e elitës për të qenë partnere e gjermanëve, Fischer-i sheh si përjashtim nga ky rregull shqiptarët e Kosovës. Edhe propaganda që ishte përdorur qysh para pushtimit, traktet që hidheshin në popull, "njoftonin" se gjermanët synonin t'i mbronin shqiptarët nga armiku, nga Italia fashiste dhe nga komunizmi. Në krye të entuziazmit që kishte krijuar përshtypjen se me ardhjen e gjermanëve kishte të ngjarë të krijohej "Shqipëria e madhe" nga bashkimi me Kosovën, qëndronte lideri i shqiptarëve atje, Xhafer Deva.
Neubacher-i dhe politika e tij dështoi dhe me qeverinë e Rexhep Mitrovicës, e cila kishte humbur besimin tek gjermanët. Prova për integrimin e zogistëve në pushtet dhe ardhja e qeverisë me Fiqri Dinen Kryeministër, shënojnë fazën e fundit të qeverisjes nën pushtimin gjerman. "Asnjë nga këto regjime s'ishte në gjendje të krijonte forca ushtarake për të sfiduar partizanët", - thekson Fischer-i.
Si rezultat, në pak më shumë se një vit pushtim ka humbje në njerëz, vendi është shkatërruar, ekonomia shqiptare bie në kolaps, shtoji kësaj edhe grabitjen që gjermanët u bënë rezervave të arit shqiptar. Por, rezultati më i rëndësishëm i këtij pushtimi, sipas Fischer-it "është kontributi që dha në ngritjen e Enver Hoxhës dhe të komunistëve". Prandaj ka shumë rëndësi njohja e Shqipërisë gjatë luftës, sepse finalja e saj shënoi një kthesë marramendëse për popullin shqiptar, për 45 vitet e ardhshëm.