E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrugorët në aksion, bllokohen në fundjavë 40 patenta

TIRANE- Fundjava e ngarkuar dhe jeta e natës në kryeqytet detyron policinë të shkrijë shërbimet e saj të policisë rrugore me ato të komisariateve dhe shërbimeve të tjera të krimeve. Prej më tepër se disa javësh policia e kryeqytetit ka ngritur shërbimet policore për të kontrolluar lëvizjet e orëve të natës, në mënyrë të veçantë të drejtuesve të mjeteve që lënë lokalet e natës, në orët e para të mëngjesit pas orëve të shumta që mund të jenë kaluar para gotave të birrës, tekilës e uiskit.


Një masë e tillë, sipas burimeve të policisë rrugore, është marrë për të shmangur incidentet e ndryshme rrugore apo aksidentet e mundshme që mund të kenë si shkak apo origjinë të tyre konsumimin e pijeve alkoolike. Krerë të policisë së kryeqytetit kanë pohuar dje në mbrëmje se për këtë qëllim janë ngritur pika të ndryshme postblloqesh me shërbime të patrullave të përgjitshme të komisariateve të policisë së Tiranës, patrulla të policisë rrugore si dhe të policisë kriminale. Kombimini i shërbimeve mësohet se është kryer me qëllim jo vetëm ndëshkimin e kundravajtësve dhe shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, por edhe ndalimin e personave në kërkim.


Sipas burimeve të policisë rrugore vetëm gjatë orëve të mbrëmjes së të premtes, paraditen dhe në mbrëmjen e djeshme, efektivët e policisë rrugore kanë marrë masat e bllokimit të më tepër se 40 lejeve të drejtimit. Burimet pohojnë se këto leje drejtimi janë bllokuar gjatë kontrolleve të mjeteve të ndryshme drejtuesit e të cilëve janë gjetur në gjendje në momentin e ndalimit nga oficerët e policisë rrugore.


Për të parandaluar aksidentet dhe drejtimin e mjeteve në gjendje të dehur, blutë kanë ngritur pika postblloqesh në hyrje daljet e Tiranës, si pranë Doganës, Zogut ë Zi, Kinostudio, Shkollës Teknologjike, pranë farmacisë nr.10, si dhe në kryqëzime të tjera të rëndësishme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›