Vendimi ; Ardhja e emigrantëve, shtyhet orari i aplikimit të pasaportave
Ministria e Brendshme ka vendosur që të shtyjë orarin e aplikimit për pasaportat biometrike, për t’iu ardhur në ndihmë emigrantëve shqiptarë, të cilët kthehen në atdhe me rastin e festave të fundvitit. Sipas njoftimit për shtyp nga Ministria e Brendshme, duke filluar nga dita e djeshme, zyrat e aplikimit për pasaporta biometrike do të shërbejnë për qytetarët nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 18:00 të mbrëmjes. “Këto zyra do të jenë të hapura në të gjitha bashkitë dhe komunat e mëdha, me të njëjtin orar, edhe ditën e shtunë dhe të diel. Shërbimi për qytetarët do të ofrohet edhe në datën 31 dhjetor, nga ora 08:00 deri në orën 15:00”. Ndërkohë që zyrat nuk do të jenë të hapura në datën 25 dhjetor, që është festa e Krishtlindjeve. Njoftohet se ky shtim i orarit të punës së zyrave të aplikimit për pasaporta biometrike synon t’u vijë në ndihmë në mënyrë të veçantë qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit dhe ndodhen në Shqipëri për festat e fundvitit. Në të njëjtat orare do të punojnë edhe zyrat e shpërndarjes së pasaportave biometrike pranë drejtorive dhe komisariateve të policisë. Marrëveshja për këtë shtim orari u arrit pas negociatave të Ministrisë së Brendshme me kompaninë koncesionare “Aleat”. Ministria e Brendshme kërkon angazhimin maksimal në shërbimin ndaj qytetarëve të të gjithë punonjësve të zyrave të gjendjes civile dhe zyrave të kompanisë “Aleat”. Ndërkohë që u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të gjithë kohën e shërbimit të zyrave përkatëse për të aplikuar dhe për t’u pajisur me pasaporta biometrike. Sipas Ministrisë së Brendshme, pajisja me pasaportën biometrike u jep shtetasve shqiptarë në dorë një dokument të standardeve evropiane dhe në të njëjtën kohë është kontributi i secilit qytetar shqiptar, për të arritur liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.