Basha: Projektligj në ndihmë të familjeve të policëve të rënë në detyrë
Qeveria shqiptare ka dorëzuar një projektligj për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës deri sa ata të arrijnë në moshën 18-vjeçare, si dhe familjeve të tyre. Ndërkohë që më pas, ndaj fëmijëve do të jepen bursa të plota, në mënyrë që ata të kenë mundësinë të vazhdojnë studimet e larta në universitetet shqiptare. Premtimi është dhënë nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë festës së djeshme me fëmijët dhe të afërmit e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës. “Sot (dje) është nisur nga Ministria e Brendshme për mendim në ministritë e tjera të linjës dhe së shpejti do të jetë në qeveri, një projektligj që do ta miratojë Kuvendi i Shqipërisë, me të cilin do t’i jepet trajtimi çdo familjeje deri sa çdo fëmijë i familjes të arrijë moshën 18-vjeçare sikur punonjësi, oficeri i policisë i rënë në krye të detyrës, të ishte i pranishëm pranë jush, duke përfshirë këtu edhe rritjen në grada që do të përfitonte gjatë gjithë periudhës së karrierës së tij”, - u shpreh Basha. Këtë deklaratë ministri Basha e bëri gjatë një feste të organizuar me rastin e festave të fundvitit nga Ministria e Brendshme për fëmijët e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës. Numri një i Ministrisë së Brendshme theksoi se kjo nismë ligjore nuk është dhuratë, por një detyrim ndaj atyre punonjësve të policisë që nuk u ndalën as ndaj rrezikut më të madh, rrezikut për jetën dhe e flijuan atë. Në festën e djeshme e organizuar nga Ministria e Brendshme ishte i pranishëm edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Ai ka përshëndetur fëmijët dhe familjarët e tjerë të pranishëm me rastin e festave të fundvitit. Gjithashtu Burgaj vlerësoi kontributin e dhënë nga punonjësit e policisë të rënë në detyrë dhe shtoi se fëmijët e tyre gjithmonë do të drejtohen nga emri i mirë dhe nga heroizmi që baballarët e tyre kanë treguar në punën e bërë. Për fëmijët e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës u zhvillua një koncert artistik dhe u shpërndanë dhurata.