E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futboll, Roland Luçi, trajneri i 7-të i larguar nga Superliga

TIRANë -Skuadra e Vllaznisë ka shkarkuar trajnerin e saj Roland Luçin nga detyra e trajnerit pas barazimit të djeshëm 2-2 me Flamurtarin në “Loro Boriçi”. Bashkë me Luçin, presidenti kuqeblu Valter Fushaj, shkarkoi edhe ndihmësit e tij, zëvendëstrajnerin Cungu dhe trajnerin e portierëve, Ndoja. Roland Luçi është trajneri i shtatë që shkarkohet apo vetëlargohet këtë sezon, më parë e kanë bërë këtë Gugash Magani (te Shkumbini), Eqerem Memushi (Flamurtari), Ilir Qirjako (Gramozi), Ilija Lonçareviç (Tirana), Esad Karishik (Apolonia) dhe Kristaq Mile (Shkumbini). Roland Luçi zëvendësoi në javën e 6-të Hasan Likën, duke arritur në 12 javët e tij të drejtimit të skuadrës shkodrane: 4 fitore, 3 barazim dhe 5 humbje (15 pikë). Emri më i përfolur për momentin për të marrë drejtimin e Vllaznisë është Edi Martini. Fushaj bëri të ditur se do ta bëjë të njohur emrin e trajnerit të ri brenda muajit dhjetor. Deri tani 6 klube kanë ndryshuar të paktën një herë trajnerin: Shkumbini, Flamurtari,Gramozi, Vllaznia, Tirana dhe Apolonia.(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›