E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma hekurudhore në Evropën Juglindore dhe Turqi fuqizon rritjen ekonomike dhe përgjysmon kohën e transportit

15-06-2011 / Gazeta 55

Koha që merr udhëtimi nga Lubjana për në Stamboll mund të përgjysmohet, me jo pak, por 25 orë, nëse në sektorin hekurudhor kryhen reformat aq shumë të nevojshme, thuhet në raportin e fundit të Bankës Botërore “Reforma hekurudhore në Evropën Juglindore dhe Turqi: në rrugën e duhur?”, i cili është publikuar dje në Bruksel. “Një test i kryer me linjën ekspres Bosfor-Evropë” në vitin 2009 tregoi se një tren me kontejnerë i nisur nga Lubjana në Slloveni mund të arrijë në Stamboll në Turqi brenda 35 orëve, ndërsa normalisht kërkon mbi 60 orë,” tha Carolina Monsalve, Ekonomiste për Transportin pranë Departamentit të Evropës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore dhe autore e raportit. “Kjo është një diferencë shumë e madhe kohe me rrjedhoja shumë të mëdha ekonomike. Sa më i lartë të jetë rendimenti i sektorit hekurudhor, aq më e gjerë do jetë gama e tregjeve në të cilat mund të konkurrojnë me sukses shoqëritë hekurudhore në rajon". Reformat aq shumë të nevojshme, jo vetëm e ulin kohën e udhëtimit dhe i ndihmojnë shoqëritë shtetërore hekurudhore të kenë përfitime ekonomike nga përmirësimi i bashkërendimit, administrimit dhe organizimit, por i afrojnë hekurudhat e Evropës Juglindore dhe Turqisë me standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian (BE) dhe mundësojnë konkurrencën e sektorit hekurudhor për të përmirësuar shërbimet e transportit hekurudhor të mallrave dhe pasagjerëve.
Raporti i ri “Reforma hekurudhore në Evropën Juglindore dhe Turqi: në rrugën e duhur?” i rishikon hekurudhat e këtij rajoni pesë vjet pas studimit të parë të vitit 2005 “Reforma hekurudhore në Ballkanin Perëndimor”, duke vlerësuar progresin e arritur nga hekurudhat shtetërore lidhur me reformën institucionale, ecurinë e shfrytëzimit dhe atë financiare dhe integrimin. Raporti shikon gjendjen e hekurudhave në dhjetë vende: Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Mal të Zi, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Serbi, së bashku me Bullgarinë, Rumaninë dhe Turqinë. Hekurudhat e Evropës Juglindore dhe Turqisë kanë pësuar rënie të ndjeshme në vëllimin e trafikut në vitin 2009. Kjo ka pasqyruar ndikimin e krizës financiare ndërkombëtare, e cila shpërtheu në tremujorin e fundit të vitit 2008 dhe ndikimin tkurrës që pati kjo krizë në ekonomitë në rajon dhe më gjerë. Rënia e vëllimit të trafikut është pasqyruar në shumicën e rasteve me përkeqësim të rëndë të rezultatit financiar të hekurudhave shtetërore. Kjo ka theksuar kostot që sjell moszbatimi i reformave esenciale për përmirësimin e rezultatit operativ dhe financiar të sektorit, në kohën kur ekonomia ishte e fuqishme.
Në raport theksohet se ka tri arsye kryesore për vendosjen e prioritetit te ndryshimet në sektorin hekurudhor. Së pari, për të siguruar respektimin e kërkesave të direktivave përkatëse të BE-së. Së dyti, vendet mund të fillojnë të marrin përfitimet e parashikuara, nga miratimi i këtij kuadri institucional; Së treti, kur të futet konkurrenca, operatorët shtetërorë të hekurudhave të jenë në gjendje të konkurrojnë me operatorët e rinj dhe të mos kenë nevojë për nivele më të larta mbështetjeje nga shteti. Me përjashtim të Bullgarisë dhe Rumanisë, të cilat janë anëtarësuar tashmë në BE dhe që  kanë ecur më përpara me reformat në këtë sektor, të gjitha vendet e tjera që mbulon ky raport aspirojnë të anëtarësohen në BE. Për vendet kandidate, si Kroacia, Turqia apo Maqedonia, ekziston një nevojë e ngutshme për të respektuar direktivat e BE-së. Vendet që mund të bëhen vende kandidate, si Serbia dhe Shqipëria, kanë më shumë kohë në dispozicion. Mirëpo, pikërisht ngaqë këto vende kanë mbetur shumë mbrapa, ka një nevojë të ngutshme për të nisur tani përshpejtimin e procesit të reformës. Krahas përmirësimit të mundësive për t’u pranuar në BE, këto vende do të kenë edhe shumë përfitime ekonomike nga miratimi i këtij kuadri institucional të vendosur nga BE-ja. Objektivat kryesore të reformave hekurudhore që janë kryer në Evropë gjatë viteve ’90 kanë qenë: përmirësimi i konkurrencës; krijimi i më shumë shërbimeve më të mira hekurudhore të integruara të transportit ndërkombëtar të mallrave; përmirësimi i përdorimit me rendimet të kapacitetit të infrastrukturës; mundësimi i krijimit të një hapësirë të vetme hekurudhore evropiane; dhe rritja e pjesës që zënë hekurudhat në krahasim me mjetet e tjera të transportit. Këto objektiva janë sot po aq aktuale, në mos edhe më shumë aktuale, për vendet që mbulon ky raport, sa ishin edhe për vetë shtetet anëtare të BE-së.
Me strukturën ekzistuese të drejtimit të brendshëm dhe me ecurinë ekzistuese të shfrytëzimit, shoqëritë hekurudhore shtetërore do ta kenë gjithmonë e më të vështirë të konkurrojnë me aktorë të rin,j kur të hapen tregjet dhe të lejohet konkurrenca. Nga këndvështrimi i politikave publike, një paketë e shkallëzuar e reformave që synojnë përmirësimin e rezultateve financiare të hekurudhave shtetërore ka kosto më të ulëta sociale dhe politike, sesa po të bëheshin shkurtime drastike të personelit gjatë një krize të mprehtë. Krahas zbatimit të legjislacionit të kërkuar, shoqëritë hekurudhore shtetërore duhet të ndryshojnë edhe sjelljen e tyre, në mënyrë që të jenë më të orientuara nga aspekti tregtar. Ato duhet të përqendrohen te përmbushja e nevojave të klientëve dhe ofrimi i shërbimeve efiçiente që i justifikojnë kostot. Krahas ofrimit të shërbimeve hekurudhore efiçiente për pasagjerë, edhe shërbimet hekurudhore të mallrave janë me rëndësi të madhe për prodhimin, tregtimin dhe shpërndarjen e materialeve. Shërbimet konkurruese të transportit, në të gjitha mjetet e transportit, janë elemente me shumë rëndësi në aftësinë konkurruese të një vendi.
Edhe pse reforma hekurudhore në përgjithësi ka ecur në rrugën e duhur, raporti thekson nevojën për ta shpejtuar ritmin e reformave. “Objektivi kryesor i këtij raporti është të shërbejë si një këmbanë alarmi për nevojën e ngutshme për përshpejtimin e procesit të reformës,” tha Monsalve. “Këto vende, të cilat kërkojnë të jenë anëtare të BE-së, duhet ta kuptojnë se ecja me hap të përshpejtuar në këto reforma do t’i rrisë shumë mundësitë e tyre për të marrë një opinion pozitiv nga BE-ja në lidhje me aktet normative të transportit hekurudhor, si edhe do ta fuqizojë rritjen ekonomike të tyre”. Monsalve theksoi se “Burimet e pakëta publike lipset të përdoren me efikasitet dhe efektivitet për financimin e ngritjes së nivelit të infrastrukturës hekurudhore dhe shërbimeve esenciale të pasagjerëve, dhe jo për të mbajtur më këmbë hekurudha jo efiçente shtetërore të mbingarkuara me një numër të tepërt punonjësish dhe me praktika të vjetëruara administrimi. Qëllimi i fundmë i reformave është përmirësimi i shërbimeve hekurudhore”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›