E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivo Banac: Përplasja etnike në Bosnje s’ndalet dot

15-06-2011 / Gazeta 55

Ivo Banac është një nga intelektualët kryesorë kroatë dhe profesor emeritus i Universitetit të Jale-it. Udhëheqës i Partisë Liberale Kroate, një anëtar i parlamentit, një ministër kabineti dhe deri së fundmi, president i Komitetit kroat të Helsinkit, ai paralajmëron për një konflikt të ri etnik në Bosnje-Hercegovinë

Cili është vlerësimi juaj i situatës politike në BiH?
Ivo Banac: Situata në BiH është gati në ndezje dhe po ndizet nga interesa të ndryshme që janë të prirura ta bëjnë atë më keq. Në zemër të krizës është plani i Milirad Dodik për të avancuar ndarjen e BiH. Strategjia e Dodik është e dyfishtë: të pengojë çdo institucion të përbashkët të BiH duke nxitur dualizmin e njësisë, pra duke i veshur njësisë serbe në BiH të gjitha atributet e një shteti të ndarë; të nxisë konflikte midis kroatëve dhe boshnjakëve në Federatën e BiH për të krijuar një përshtypje se RS është e qëndrueshme dhe Federata e lëkundshme.

Cili është qëndrimi i kroatëve në BiH?
Popullsia kroate në BiH është më e begata. Të gjitha pakënaqësitë të tilla si metodat e zgjedhjes së anëtarit kroat të presidencës shtetërore apo të numrit të ministrave kroatë në kabinetet e ndryshme, mund të zgjidhen brenda Federatës së BiH pa ndonjë përzierje nga jashtë. Pozita kroate në Federatë shkon nga e mirë në zonat me mbizotërim boshnjak në mbizotëruese në pjesët e Hercegovinës. Në ndryshim, në RS kroatët janë praktikisht jo ekzistentë. Dy partitë kroate në BiH: HDZ BiH dhe HDZ BiH 1990, nxisin "çështjen kroate" dhe një "pabarazi institucionale" të pretenduar, si problemin kryesor të vendit. Kjo i shkon për shtat përkryer Dodik, i cili përdor gjithashtu çdo mundësi për të fajësuar partitë boshnjake për prirje anti-kroate.

Cila forca të tjera politike kroate brenda BiH formësojnë atje politikën?
Dy parti më të vogla: Partia Kroate e të Drejtave (HSP BiH) dhe Partia Popullore e Mirëqënies nëpërmjet Punës (NSRB). Ato nxisin bashkëpunimin ndër-etnik dhe i janë bashkuar së ashtuquajturës Platforma e Koalicionit në Federatën e BiH, së bashku me Social Demokratët shumë-kombëtarë dhe SDA boshnjake. Këto parti kohët e fundit formuan qeverinë e Federatës së BiH në të cilën anëtari i HSP BiH, Zhivko Budimir ishte kryeministër. Në ndryshim, dy partitë HDZ kanë refuzuar që nga tetori 2010 të ngrejnë qeveritë kantoniale në tre kantone që ato kontrollojnë me qëllim që të pengojnë formimin e një qeverie të Federatës dhe të BiH . Politikat e tyre dëmtuese kanë për qëllim të demonstrojnë se BiH nuk ka të ardhme. Disa politikanë bëjnë përpjekje reale për të rritur armiqësitë midis kroatëve e boshnjakëve dhe publikisht thonë se një luftë po gatuhet. Kjo është pse politikanët e përgjegjshëm kroatë në BiH, ashtu si dhe në Kroaci, duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të penguar shkarjen e mëtejshme në paqëndrueshmëri.

Cili është qëndrimi i Kroacisë ndaj BiH?
Në një përpjekje për të patur një profil të lartë në rajon, presidenti Ivo Josipoviç ka bërë një numër gabime të trasha në BiH. Ai inkurajoi të dy partitë HDZ dhe i bëri një numër përuljesh Dodik, duke e trajtuar atë si një kryetar të vërtetë shteti. Qeveria kroate ka qenë më e moderuara, por ambasadori i saj në Sarajevë, Tonçi Staniçiç, ka bërë deklarata të nxituara duke sfiduar procedurën që ngriti qeverinë e Federatës.

Si duhet të përmirësojë Kroacia qasjen e saj ndaj BiH?
Zagrebi duhet të inkurajohet të bashkërendojë poltikat e tij me komunitetin ndërkombëtar. Problemi është se komuniteti ndërkombëtar është gjithashtu i ndarë në qëndrimet ndaj BiH.

Çfarë mund të presim tjetër realisht në BiH?
Po qe se SHBA nuk investon më shumë përpjekje në BiH, situata do të përkeqësohet. Sistemi i Dejtonit është në vetvete i vjetëruar. Është e nevojshme një nismë e re e BiH.
“Southeast European Times”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›