Dështimi i kompensimit të pronave, Alibeaj dhe Berisha vonuan procesin
Qeveria shqiptare dhe në veçanti Ministria e Drejtësisë janë shkaktarët kryesorë për dështimin e kompensimit të ish-pronarëve për vitin 2008. Premtimet e kryeministrit, Sali Berisha, në fillim-vitin e 2008, se për pronarët do të ketë dy kompensime, rezultuan të dështuara, në radhë të parë nga paaftësia e ministrit të Drejtësisë për të menaxhuar situatën, dhe më pas dhe nga fodullëku i qeverisë shqiptare për të pranuar hartën e vlerës të nxjerrë nga AKKP vetëm një vit më parë, në bazë të metodikës të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Por, në të vërtetë, ç’ka ndodhur me kompensimin e pronave? Specialistë të AKKP shprehen se në tryezën e ministrit të Drejtësisë është dorëzuar që në shkurt të vitit 2008 një projektvendim për mënyrën e shpërndarjes së kompensimit dhe kriteret që do të duhej të plotësonte çdo aplikant për këtë qëllim. Jashtë çdo logjike dhe jashtë çdo afati ligjor ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, e mbajti këtë projektvendim për tetë muaj në sirtar pa e paraqitur në Këshillin e Ministrave. Ky projektvendim do të paraqitej dhe miratohej vetëm në tetor të vitit 2008, duke i mohuar AKKP çdo mundësi fizike dhe ligjore për të përfunduar këtë proces. Pra, me pak fjalë miratimi me vonesë i projektvendimit në lidhje me procedurën dhe kriteret e ndarjes së fondit monetar prej 500 milionë lekësh të reja që në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008 i ka hequr mundësinë subjekteve të shpronësuara të përfitonin kompensime monetare për vitin 2008 dhe kjo përbën shkeljen e parë të ligjit nga ana e Alibeajt, por edhe vetë qeverisë shqiptare. Sipas specialistëve, në rast se vendimi do të ishte miratuar që në kohën kur është dorëzuar nga AKKP, atëherë ish-pronarët do të kishin mundësi të përfitonin dy kompensime brenda këtij viti.
Rishikimi i çmimeve
Ndërkohë, shkelja e dytë e ligjit ka të bëjë me rishikimin e çmimeve të tokës të hartuar nga specialistët e urdhëruar nga vetë Alibeaj, natyrisht me urdhër të kryeministrit. Ky veprim, pra rishikimi i hartës së vlerës, sipas specialistëve, jo vetëm solli vonesa dhe burokraci tmerrësisht të gjata për AKKP, por është dhe një tjetër shkelje e Ministrisë së Drejtësisë dhe e qeverisë shqiptare, e cila në këtë rast nuk merr parasysh as ligjet e Kuvendit të Shqipërisë. Kjo sepse çmimet e vlerave janë nxjerrë duke përdorur metodikën e çmimit të pronave të miratuar me konsensusin e të gjitha partive në Kuvendin e Shqipërisë, dhe duke e përshtatur këtë metodikë me çmimet e tregut. Pra, me pak fjalë, treguesit e hartës së vlerës duhet të nxirren vetëm mbi bazën e metodikës së miratuar me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë dhe më pas këta tregues përcillen në Ministrinë e Drejtësisë dhe kjo e fundit ia përcjell Këshillit të Ministrave për miratim përfundimtar. Jashtë kësaj procedure ligjore çdo akt tjetër në përllogaritjen e çmimeve është i kundërligjshëm. Por kryeministri Berisha, me propozim të vetë Alibeajt, të cili duket se s’i ka pëlqyer metodika e Kuvendit, vendos të nxjerrë një vendim qeverie për të ri-parë dhe një herë çmimet e vendosura nga AKKP. Ky vendim, veç shkeljes dhe shpërfilljes që i bëri ligjit të Kuvendit të Shqipërisë, solli dhe një amulli dhe çoroditje në AKKP, e cila mori pëlqimin e hapjes së procedurave vetëm tre muaj përpara se të skadonte afati i fundit, ndërkohë që duhej të verifikonte më shumë se 740 pronarë duke i kaluar nëpër një procedurë aspak të lehtë.
Dështimi
Duhet pranuar se dy sektorët ku qeveria ka dështuar keqas, sidomos këtë vit, janë pronat dhe ish-të përndjekurit, dy detyrimet madhore të saj, në rast se e marrim të mirëqenë pretendimin se kemi të bëjmë me një qeveri të djathtë. I habitshëm është fakti se, megjithëse ka gjetur legjislacionin, por edhe infrastrukturën gati nga paraardhësit e tij, sërish ministri Alibeaj duket sikur ka qenë i interesuar që të dy këto procese të dështojnë. Ka që nga viti 2004, që ato pesëqind mijë lekë të reja u jepen ish-pronarëve, dhe është i pari vit që ky proces dështon, jo për faj të agjencisë, jo për faj të specialistëve, por për shkak të fodullëkut dhe paaftësisë së një ministri që nuk e di as vetë se çfarë pune bën në atë dikaster.