Andersen: “Hyka duhet të japë më shumë”
Një javë përpara përballjes së Maincit me Frajburgun (skuadër po e Bundesligës 2) në Kupën e Gjermanisë, gazeta “Rhein-Zeitung” shkruan se trajneri Jorg Andersen dëshironte para së gjithash në miqësoren e fituar 1-0 kundër SV Valdhof Mannheim të testonte Bo Svensonin, Çadli Amrin dhe Jahmir Hykën (luajti në formacionin e pjesës së parë). Sipas rhein-zeitung.de, Hyka shfaqi shumë herë potencialin e tij, para së gjithash, me ritmin e treguar në krahun e majtë, ku dha disa krosime të mira. “Bëri gjëra të bukura, por Hyka duhet të tregojë akoma më shumë”, - citohet Andersen nga “Rhein-Zeitung”. Gazeta “Allgemeine Zeitung” bëri një “skaner” të plotë tw tw gjithë lojtarëve të Maincit, të ndarë sipas reparteve. Për mesfushorin shqiptar Jahmir Hyka vlerësimi ishte ky: “Shqiptari ishte gjatë fazës përgatitore i motivuar nga ndjenja se e meritonte një vend nw mesfushë. Por shpesh 20-vjeçari gjatë përgatitores në Spanjë dha pasa të gabuar. Hyka çalon ende, para së gjithash në dyluftime”.
Kapllani- Sulmuesi shqiptar i Karlsruhes, Edmond Kapllani, është lojtari-gol i miqësoreve. Durrsaku shënoi sërish në fitoren 5-0 të skuadrës së tij me skuadrën e Bundesligës 3 gjermane, Vfr Aalen. Kapllani hyri në lojë në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 2-0 (gola të Kristian Tim e Xhoshua Kenedit), duke shënuar në minutën e 56-të golin e tretë për Karlsruhes. Lars Stindl (58’) dhe Aleksandër Iashvili kompletuan rezultatin 5-0. Karlsruhe do të përballet pas tetë ditësh në çerekfinalet e Kupës së Gjermanisë kundër SV Vehen-Viesbaden dhe trajneri Edmund Beker ndihet i kënaqur me formën e shqiptarit (3 gola në miqësore).
Cana - Kapiteni shqiptar i Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana, i dëmtuar në gju qysh në fund të dhjetorit, do t’i rikthehet stërvitjes normale ditën e mërkurë. Lajmi jepet nga faqja franceze lequipe.fr. Së fundi për Lorikun u fol për një interesim të fortë nga ana e Hamburgut (Gjermani), por edhe Arsenalit (Angli) e Evertonit (Angli).
Bogdani - Nuk ka ditë që të mos ketë lajme për të ardhmen e mundshme të Erjon Bogdanit. Të hënën doli Grenoble e kampionatit francez, që interesohej për të siguruar shërbimet e sulmuesit shqiptar të Kievos, madje u fol se drejtori Sportiv, Pier Vantez, kontaktoi me drejtuesit e Kievos. Të martën u rishfaq sërish pista Roma për ish-sulmuesin e Veronës. Lajmi jepet nga pupia.tv, një faqe e afërt me skuadrën e Napolit. Për sulmuesin shqiptar interesohet edhe Lacio, Bolonja e Salernitana.
21 Janar 2009