E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: Amerika sërish do të prijë

Nga RFE

Pikërisht në orën 18:05, Barack Obama dha betimin dhe zyrtarisht mori postin e presidentit të 44 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pak çaste më herët betimin e dha edhe nënpresidenti Joseph Biden.

Më herët në ndërtesën e Capitol Hill kishin arritur presidenti i zgjedhur, Barack Obama, dhe presidenti George W. Bush, nënpresidenti i zgjedhur, Joseph Biden, ish-presidentët Carter, Bush e Clinton dhe shumë personalitete tjera të larta amerikane.

Procesit të betimit të Barack Obamës dhe Joseph Bidenit i parapriu fjala e kryesueses së Komitetit për Inaugurim, senatores Dianne Feinstein.

“Brezat e ardhshëm do ta shënojnë këtë mëngjes si pikë kthese për ndryshime reale dhe të domosdoshme në kombin tonë. Ata do të shikojnë prapa dhe do të mbajnë në mend se ky ishte çasti, kur ëndrra që u dëgjua nëpër histori nga hapat e Memorialit të Lincolnit përfundimisht arriti në muret e Shtëpisë së Bardhë”, - tha senatorja Feinstein.

Në fjalën e tij të rastit Barack Obama apostrofoi sfidat, me të cilat aktualisht ballafaqohet Amerika.

“Sot, iu them se sfidat, me të cilat ballafaqohemi, janë reale, të shumta dhe serioze. Ato nuk do të përballohen lehtë dhe as në një afat të shkurtër. Por, Amerika duhet ta dijë – ne do t'i përballojmë”, - tha Obama.

“Në këtë ditë ne jemi tubuar, sepse kemi zgjedhur shpresën në vend të frikës, unitetin në vend të konfliktit. Në këtë ditë ne u japim fund premtimeve false dhe dogmave”, - tha Barack Obama.

“Ka ardhur koha që të riafirmojmë shpirtin tonë të qëndrueshëm, të riafirmojmë madhështinë e kombit tonë, ta ribëjmë Amerikën”, - tha presidenti amerikan.

Ai në vazhdim ka thënë se SHBA mbeten kombi më i prosperitetshëm dhe më i fuqishëm në rruzullin tokësor.

Duke iu drejtuar botës së jashtme, Barack Obama gjatë fjalës së tij tha: “U drejtohem gjithë popujve dhe qeverive që sot janë duke shikuar, nga kryeqytete më të mëdha dhe deri te fshatrat e vogla, ku babai im ka lindur - duhet ta dini se Amerika është mike e çdo vendi e populli, çdo burri, gruaje dhe fëmije që kërkojnë paqe dhe dinjitet. Ne jemi të gatshëm që sërish të prijmë”.

Obama përmendi edhe luftërat në Irak dhe Afganistan: “Ne do të fillojmë që me përgjegjësi të largohemi nga Iraku dhe të bëjmë paqen në Afganistan”.

“Ne nuk do të kërkojmë ndjesë për mënyrën tonë të jetës dhe as që do të hezitojmë në mbrojtjen e saj. Atyre që kërkojnë të avancojnë synimet e veta përmes terrorit dhe vrasjes së të pafajshmëve, ne u themi - shpirti i jonë është më i fortë dhe nuk mund të thyhet dhe ne do t'ju mposhtim”, - tha presidenti Obama.

Duke iu drejtuar botës myslimane presidenti i 44 amerikan pos të tjerash tha: “Botës myslimane i themi se ne kërkojmë rrugë të reja përpara, që për bazë kanë interesin dhe respektin e ndërsjellë. Atyre liderëve në globin tokësor që kërkojnë konflikte ne u themi - populli i juaj do t'ju vlerësojë sipas asaj që do të ndërtoni dhe jo sipas asaj që shkatërroni”, - tha në fjalën e tij presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›