E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradimet, Shqipëria pranë një marrëveshjeje me Belgjikën



Ministria e Drejtësisë është në negociata dhe së shpejti do të ketë një marrëveshje bashkëpunimi gjyqësor me Belgjikën. Një fakt i tillë bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë, sipas të cilave, kjo marrëveshje është në planet më të afërta të këtij institucioni dhe mes dy vendeve kanë filluar negociatat. Gjithashtu, po të njëjtat burime shprehen se është duke u parë për disa ndryshime në ligjin për ekstradimet. “Ndryshimet konsistojnë në vendosjen e afateve për zhdërvjelltësimin e procedurave të ekstradimeve”, - bën të ditur drejtoresha e përgjithshme e Kodifikimit në këtë institucion, Marsida Xhaferrllari. Për ndryshimet në ligjin e ekstradimeve është mbledhur një grup pune, i cili po punon për ndryshime në nenet ku flitet për ekstradimet, pasi ligji është mjaft i vjetër, ndërkohë që për shumë persona po bëhet i vështirë ekstradimi. Grupi i punës përbëhet nga specialistë të këtij institucioni, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Jashtme, të mbështetur edhe nga misionet EURALIUS dhe OPDATE, të cilët përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimit të mendimeve, kanë nisur rishikimin e ligjit. Sipas burimeve zyrtare, ligji i bashkëpunimit ndërgjyqësor, i cili është miratuar që në vitin 1995, do të jetë më i detajuar në disa nene të tij, si në nenet për ekstradimin dhe letër-porositë. Për të bërë një ligj sa më efektiv dhe për të arritur ekstradime në kohë të shkurtër po shqyrtohen modelet e Anglisë, Çekisë, Finlandës, Gjermanisë, Hungarisë, Malit të Zi, Suedisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, për të dërguar në Komisionin e Ligjeve një version të ri të ligjit “Marrëdhëniet juridiksionale me shtetet e huaja”. Këto ndryshime vijnë në një kohë kur mjaft procese gjyqësore kanë mbetur peng i disa letër-porosive apo dhe ekstradimit të personave të akuzuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›